Këshilltarët demokratë të bashkisë së Tiranës, letër të hapur ambasadës së SHBA-së

Këshilltarët e djathtë në Bashkinë e Tiranës i kanë drejtuar një letër të hapur organizatave ndërkombëtare që kanë misision në Shqipëri, si dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në letrën e tyre këshilltarët vënë në dukje mosfunksionimin normal të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe shkeljen e hapur të procedurave ligjore veçanërisht nga ana e kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj.

Më poshtë gjeni letrën e plotë të këshilltarëve demokratë.

Letra e plotë:

Me shqetësim të madh Ju bëj me dije se funksionimi i Këshillit Bashkiak Tiranë vijon të jetë thuajse krejtësisht jashtë çdo kuadri ligjor e procedurial dhe në shkelje të hapur të të drejtave të këshilltarit e demokracisë së brendshme, por edhe të drejtave dhe detyrimeve që ka ky këshill në raport me komunitetin apo grupet e interesit.

Edhe pse Neni 53, pika 2, e ligjit Nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, përcakton qartë se: “Mbledhjet e radhës së këshillit bashkiak zhvillohen si rregull, sipas përcaktimit që bën vetë këshilli, por jo më pak se një herë në muaj”, mbledhja e radhës u mbajt më datë 11 mars, ndërkohë që ajo e mëparshme ishte zhvilluar më datë 30 dhjetor të vitit 2015, pra për më shumë se dy muaj këshilli nuk u mblodh. Ndërkohë që pika 4, po e nenit 53, përcakton se: “Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj”, shpesh nuk zbatohet. Mbledhja e datës 11 mars, edhe pse me një pikë të rendit të ditës shumë të rëndësishme, sikundër P/Vendimin: Për “Disa ndryshime në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 59, datë 30.12.2015, ‘Për sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në qytetin e Tiranës’”, u njoftua vetëm 48 orë më herët. Në rastin e mbledhjes së datës 30 dhjetor, ku diskutoheshin dy nga aktet më të rëndësishme për aktivitetin e Bashkisë, sikundër është Buxheti dhe Paketa fiskale, njoftimi u bë në limitet fundore që parashikon ligji, duke mos i dhënë kështu mundësinë Këshillit që ta diskutojë me komunitetin apo grupet e interesit, një e drejtë dhe detyrim ligjor i tij.

Kjo paketë, e cila u miratua në kundërshtim me ligjin, pasi përcaktonte hyrjen në fuqi më datë 1 janar 2016, ende pa u dekretuar nga Presidenti, ashtu sikundër këshilltarët e djathtë e nënvizuan gjatë kësaj mbledhje, solli për pasojë reagime të ashpra kundërshtuese nga biznesi dhe banorët. Protestat e tyre për barrën e rëndë fiskale mbeten dëshmia më konkrete e këtij veprimi arbitrar. Të ndodhur para këtij fenomeni, grupi i këshilltarëve të PD-së filloi një fushatë dëgjesash me biznesin e banorët në gjithë territorin e Bashkisë Tiranë dhe pas këtij konsultimi frutdhënës, më datë 23 shkurt 2015, paraqiti pranë Këshillit Bashkiak propozimet e tij, një pjesë e mirë e të cilave u propozuan edhe në mbledhjen e datës 30 dhjetor, por që nuk u morën fare në shqyrtim.

Në mbledhjen e datës 11 mars, në rendin e ditës Bashkia paraqiti edhe një pikë ku kërkonte rishikimin e disa aspekteve të paketës fiskale, si pasojë e presionit dhe protestave të vijueshme të bizneseve dhe kontakteve që kryetari i Bashkisë kishte patur me ta. Për fat të keq, në shkelje flagrante të Kushtetutës, të ligjit Nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, “Rregulloren e funksionimit të Këshillit Bashkiak Tiranë”, parimi i demokracisë, fjalës së lirë dhe transparencës u godit sërish në themel.

Në kundërshtim të çdo kuadri ligjor e procedurial, drejtimi arbitrar i drejtuesit të seancës, nuk mundësoi jo vetëm diskutimet mbi pikën nr. 6 të rendit të ditës, P/Vendimin: Për “Disa ndryshime në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 59, datë 30.12.2015, ‘Për sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në qytetin e Tiranës’”, por nuk lejoi që në seancë të merrnin pjesë përfaqësuesit e grupeve të biznesit, një e drejtë kjo e garantuar nga Kushtetuta, si dhe Neni 16, pika 1 dhe 2 (1. Organet e vetëqeverisjes vendore janë të detyruara të garantojnë pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes. 2. Çdo njësi e vetëqeverisjes vendore është e detyruar të caktojë koordinatorin për njoftimin dhe konsultimin publik, në përputhje me dispozitat e ligjit në fuqi për njoftimin dhe konsultimin publik), si dhe Neni 17, pika 1 (Mbledhjet e këshillit të bashkisë janë të hapura për publikun. Çdo shtetas lejohet të ndjekë mbledhjet e këshillit, sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit), të ligjit Nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”.

Kjo praktikë arbitrare e ndjekur në vijimësi nga mazhoranca e Këshillit, bie ndesh edhe me Neni 18, pika 1 dhe 2 të ligjit Nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, ku theksohet qartë se “Këshilli bashkiak ose këshilli i qarkut, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon seanca këshillimi me bashkësinë, të cilat janë të detyrueshme për rastet e parashikuara në nenet 54, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, dhe 77, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, të këtij ligji”, por edhe me pikën 2, ku thuhet: “Këshillimi me publikun, në çdo rast, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit, duke përdorur një nga format e nevojshme, si takimet e hapura me banorët e grupet e interesit, takime me specialistë, me institucione të interesuara dhe organizata jofitimprurëse ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore”. Në gjykimin tonë dhe të gjithë grupeve të interesit kjo dhunë fiskale, në kufijtë e gjobëvenies, në mungesë të plotë transparence dhe dialogu është një goditje e rëndë që i bëhet iniciativës së lirë dhe sipërmarrjes, duke e çuar atë në prag falimenti.

Ashtu sikundër Ju kemi bërë me dije edhe me letrën e datës 07/12/2015, për atë çka ndodhi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, të mbajtur më datë 11.11.2015, por edhe në mbledhjet e mëparshme, situata u ripërsërit. Dhuna e kartonëve ndaloi diskutimet e detyrueshme të këshilltarëve dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të biznesit që kishin kërkuar zyrtarisht, konfrom ligjit, të ishin pjesë e dëgjesës. Kjo arrogancë e diktat që u bëhet këshilltarëve të zgjedhur më votën e qytetarëve dhe grupeve të interesit është prova më elokuente e faktit se Këshilli Bashkiak Tiranë tashmë nuk njeh as një kuadër ligjor e procedurial, me përjashtim të abuzimit në emër të shumicës. E konsiderojmë krejtësisht antiligjore dhe antidemokratike praktikën “rutinë” tashmë, për fat shumë të keq, të drejtuesit të seancës, i cili kërkoi votimin pa diskutime P/vendimit: Për “Disa ndryshime në Vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 59, datë

30.12.2015, ‘Për sistemin e Taksave dhe Tarifave Vendore në qytetin e Tiranës’”, duke injoruar krejtësisht jo vetëm kuadrin ligjor e sipërpërmendur, por edhe përkatësisht nenet 33, 34, 35, 36, 37, 38, 39, 40, e “Rregullore e funksionimit të Këshillit Bashkiak Tiranë”. Në thelb, ashtu sikundër Ju kemi bërë me dije edhe më parë, ky veprim minon elementët më bazikë të funksionimit demokratik të Këshillit.

Si përfaqësues të zgjedhur me votën e lirë këto veprime e akte të rënda antidemokratike jo vetëm nuk na mundësojnë të respektojmë betimin e bërë për të mbrojtur interesat e qytetarëve e atë publik, por fatkeqësisht janë një injorim e neglizhim i paprecedent dhe absolut i interesave të qytetarëve të Tiranës.

Ata kanë të drejtën të dinë se çfarë vendimesh merren në emër të tyre, por edhe të dinë si cilat mund të ishin alternativat më të mira. Ashtu sikundër Ju kemi bërë me dije, në mbledhjet e Këshillit Bashkiak propozimet, amendimet apo kërkesat për informacion të opozitës injorohen krejtësisht, ndërkohë që futen për diskutim dhe miratim në rendin e ditës çështje të cilat nuk i ishin paraqitur më parë këshilltarëve apo edhe jashtë rendit të ditës. Një tentativës e qartë, në gjykimin tonë, për të uzurpuar pushtetin në emër të shumicës.

Mungesa e transparencës dhe dialogut në Këshill është kthyer në një praktikë pune në tërësi edhe më qytetarët. Konflikt i rëndë social është krijuar me banorët e zonës ku po ndërtohet Bulevardi i Ri, në shkelje të plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe shenjtërisë së pronës private. Një konflikt i cili sa vjen e agravohet dhe, në disa raste ka shkaktuar tragjedi të rënda njerëzore, deri në humbje të jetës.

Po kështu, dhuna e policisë bashkiake dhe asaj të shtetit e përdorur në mënyrën më brutale ndaj qytetarëve që kanë protestuar për ndërtimin e paligjshëm në brendësi të Liqenit artificial të Tiranës, e cila vijon pa hezitim edhe në këtë moment, është një tjetër dëshmi e hidhur jo vetëm e mungesës së transparencës, por dhe logjikës së dhunës shtetërore në vend të dialogut, informimit dhe konsultimit me komunitetin. Qytetarët që protestojnë në mbrotje të mushkrisë së vetme të gjelbër që i ka mbetur Tiranës, po dhunohen barabarisht nga pushteti qendror dhe vendor, vetëm e vetëm se kërkojnë transparencë dhe ndaljen e një krimi ndaj ambientit. Kjo është e papranushme në një shtet që pretendon se është demokratik.

Për fat të keq, në këto 8 muaj funksionimit të Këshillit dhe drejtimit të Bashkisë nga z. Veliaj, logjika e “të fortit” është i vetmi kuadër ligjor e procedurial që po funksinon. Ju bëj me dije se gjatë këtyre 8 muajve rreth një mijë punonjës janë pushuar nga puna në kundërshtim me ligjin, por z. Veliaj hesht dhe refuzon të informojë edhe vetë të

larguarit nga puna, duke e shndërruar Bashkinë në një institucion tërësisht hermetik dhe të bunkerizuar. Kjo situatë antiligjore dhe totalisht shpërfillëse ndaj të zgjedhurve me votë është bërë praktikë “normale” në marrëdhëniet e anëtarëve të këshillit me kryetarin e Bashkisë dhe administratën e Bashkisë Tiranë. Në kundërshtim flagrant të Nenit 51, pika 3, Neni 54, germa, ‘ë’ dhe germa ‘k’, të ligjit Nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”; VKB, Nr. 14, datë 02.05.2012, neni 14, pika 2, “Për miratimin e rregullores për organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e administratës së aparatit të Bashkisë së Tiranës”, ku këshilltari ka të drejtë të informohet “për gjithçka dhe në çdo kohë” nga kryetari dhe nga administrata e Bashkisë Tiranë, këshilltarëve të opozitës kërkesa për marrje dokumentacioni apo informacioni nga administrata e Bashkisë u është mohuar krejtësisht. Kryetari i Bashkisë dhe administrata në mënyrë permanente vijojnë të refuzojnë informimin.

Bashkangjitur keni të gjitha kërkesat tona që në kundërshtim të hapur me ligjin vijojnë të mos marrin përgjigje, në mungesë të plotë transparence dhe shpërdorim të hapur të detyrës nga ana e z. Veliaj.

Ritheksoj se mungesa e transparencës në veprimtarinë e Këshillit Bashkiak si dhe mos respektimi i të drejtës themelore për informim nga administrata e bashkisë Tiranë, ndaj këshilltarëve të këtij organi kolegjial apo pasqyrimin e plotë të asaj çka ndodh në mbledhjet e tij është një strategji e qartë. Një veprim që e reflekton më së miri këtë fenomen është fakti se për herë të parë që nga formimi i këtij organi, mbledhjet e Këshillit Bashkiak transmetohen me regji qendrore duke ndaluar ‘de facto’ prezencën e kamerave të mediave vizive.

Edhe pse formalisht pranohet e drejta për të qenë prezent çdo media, redaksitë na bëjnë me dije se nga zyra e shtypit të Bashkisë Tiranë u thuhet se nuk është e nevojshme të jenë në sallë, pra se nuk do të lejohen, me justifikimin se nuk ka vend mjaftueshëm apo se krijohet konfuzion. Përpjekja e qartë për të kontrolluar fjalën dhe mesazhet e këshilltarëve nëpërmjet një regjie qendrore, e cila më pas shpërndan sinjalin për televizionet e tjera përbën një shkelje të rëndë të së drejtës për informim të parashikuar nga neni 23/3 i Kushtetutës. Po kaq problematike është situata edhe në ëeb-site e Bashkisë, pasi aktet e miratuara nga Këshilli qëllimisht janë hedhur në mënyre kaotike dhe shumë prej tyre ndër vite nuk i gjen dot.

Këshilltarët e Partisë Demokratike kanë bërë me dhjetëra herë apel publik, edhe në mbledhjet e këshillit, që mazhoranca e këshillit Bashkiak dhe kryetari Veliaj të kenë kurajën të zbatojnë pa asnjë ekuivok dhe me rigorozitet absolut gjithë kuadrin ligjor për sa më sipër parashtroj. Mendësia e arrogantit, megalomanit apo “të fortit”, në abuzim me besimin që u kanë dhënë qytetarët po kundërshtohet më të gjithë forcën dhe të drejtën që na jep ligji, por dhe nga vetë qytetarët.

Ne shprehim vullnetin tonë të plotë për të qenë një opozitë konstruktive. Kemi dhënë dhe do të vijojmë të japim për çdo projekt-vendim jo vetëm kritikat tona, por mbi të gjitha alternativat tona, sepse besojmë se e bëjmë për interesin më të mirë të qytetarëve të Tiranës. Por kjo përpjekje e sinqertë po refuzohet kokëfortësisht nga shumica, duke e sjellë në një rrugë pa krye funksionimin normal të këshillit.

Për asnjë çast nuk harrojmë se opozita është mision jo në favor të politikës së ditës apo retorikës politike, por në dobi të mirë administrimit të qytetit dhe interesave të qytetarëve të Tiranës. Për të përmbushur me sukses këtë mision ne po ndjekim të gjithë hapat ligjore dhe mjetet demokratike, për të vendosur ligjshmërinë, transparencën në funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë dhe respektimin e plotë të të gjitha të drejtave që na jep ligji si këshilltarë, por edhe si qytetarë nga ana e administratës së Bashkisë.

Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin e ndarjes së shqetësimeve tona me Ju,

Me respekt, Leonard Olli
Kryetar Grupi i Këshilltarëve të PD Këshilli Bashkiak Tiranë

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *