Jorida Tabaku jep alarmin: Shqipëria rrezikon krizë ekonomike

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, denoncon politikat ekonomike të qeverisë “Rama”, të cilat sipas saj kanë sjellë gjendjen e deflacionit, ndërkohë që ekonomia rrezikon të kalojë nga stanjacioni në recension.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Tabaku ka bërë të ditur edhe zgjidhjet që ofron PD-ja për funksionimin dhe ringritjen e ekonomisë së vendit.

“Deflacioni në teori vjen si pasojë e uljes së çmimeve dhe rënies së ofertës së parasë. Natyrisht që ka shumë
faktorë të tjerë që e çojnë një vend në deflacion, për ta kuptuar në rastin e Shqipërisë po përpiqem ta perifrazoj në tri terma kyç.

Kërkesa e ulët, politikat fiskale dhe mungesa e rritjes ekonomike. Së pari, kërkesa e ulët në treg nga ana e konsumatorëve ka sjellë si pasojë që produktet e tregut të kenë një çmim më të ulët se sa zakonisht. Por, ndonëse kjo mund të tingëllojë interesante apo e volitshme në dukje të parë, nuk është e tillë dhe kjo sepse rënia e çmimit nuk ka ardhur si pasojë e ofertës së lartë në treg dhe mbiprodhimit, por mungesës së konsumit, për rrjedhojë shitësi nuk do të mbajë mallra stok, prandaj e shet me çmim në kosto apo shpesh nën kosto.

Kjo gjendje e detyron shitësin që të shkurtojë një vend pune, një tjetër vend pune shkurtohet te grosisti dhe po kështu, një tjetër vend pune do të shkurtohet te prodhuesi (apo ai që importon dhe shpërndan te grosisti). Mirëpo edhe kjo nuk do të mund të mjaftojë, sepse qeveria ka vendosur të ndjekë politika fiskale që rëndojnë biznesin dhe nuk e stimulojnë atë.

Pra, vijmë te pika e dytë e politikës fiskale, që do të prodhojë mbylljen e bizneseve që do t’u mbyllin dyert punëtorëve, që nuk do të kenë të ardhura dhe rrjedhimisht nuk do konsumojnë si më parë. Nga ana tjetër, kjo gjendje përkeqëson rritjen ekonomike, që për rrjedhojë ka kaluar në një stanjacion ekonomik.

Për fatin e keq, vendi është në deflacion dhe rrezikon të kalojë nga stanjacioni ekonomik në recension. Dhe ky nuk është një lajm i mirë, e kam shprehur këtë qëndrim edhe në parlament përpara një viti e gjysmë, por sot e them me bindje që gjendja është edhe më e keqe se sa një vit më parë. Si rrjedhojë e tre faktorëve të cituar më sipër”, është shprehur Tabaku.

E pyetur se çfarë zgjidhjes ofron PD-ja në këtë rast, ajo u shpreh:

“Çelësi për të rikthyer edhe një herë ingranazhin e ekonomisë sonë në funksionim është rigjallërimi i konsumatorit dhe kërkesës së tij. Ne mendojmë që biznesi është promotori i zhvillimit të konsumit dhe jemi të mendimit se ulja e taksave do të heqë nga bizneset një lak që qeveria i ka hedhur sot në fyt. Si çdo parti e djathtë, gjykojmë që paratë që një qeveri mund t’i marrë përmes taksave të larta, një biznes mund t’i investojë në prodhim dhe punësim e për këtë arsye duhet t’i jepet më shumë frymë e hapësirë biznesit.

Konkretisht kemi premtuar se do të ulim Tatimin mbi Fitimin 9%, taksën e sheshtë për biznesin e mesëm dhe të madh, 9% kontributi shoqëror duke e lehtësuar biznesin nga njëra anë, por edhe duke zgjeruar bazën tatimpaguese, që këto dy vitet e fundit ka ardhur në reduktim. Do të ndërhyhet gjithashtu në taksa të ndryshme që ndikojnë në rritjen artificiale të çmimeve të produkteve, siç është taksa e qarkullimit (e ngritur abuzivisht), tarifat studentore, akcizat për cigaren.

Gjithashtu, do të punohet me bizneset e vogla duke përcaktuar një paketë fiskale realiste dhe jo politika artificiale zero taksa dhe nga ana tjetër barrë fiskale shumë e lartë dhe të papërballueshme, që nuk ia gjen shoqen në asnjë shtet evropian. Barra më e madhe e një biznesi të vogël është administrata tatimore e inspektimet, që do të eliminohen duke u hequr atyre barrën e kontrolleve edhe abuzive të qeverisë përmes “Pullës Fiskale të Biznesit të Vogël”. Tanimë, përtej fasadave dhe projekteve që më shumë prodhojnë lajme se sa punë, premtimi ynë është në zbatimin rigoroz të ligjeve dhe barazinë e qytetarëve përpara tyre. Duke ndërgjegjësuar realisht qytetarët nga më të pasurit e deri tek më të varfrit se edhe në Shqipëri askush nuk mund t’i shpëtojë vdekjes dhe taksave!”

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *