Ish shefi i Shtabit të Ushtrisë shqiptare jeton në arrati. E mashtrojnë dhe i marrin apartamentin

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, i dënuar me pesë vite burg për tragjedinë e Gërdecit, është mashtruar nga një person, i cili banesën e ka shitur dy herë.

Megjithëse në arrati, Hoxha ka bërë padi në Gjykatën Civile, ku kërkon apartamentin në fjalë, ndërsa ka depozituar edhe një kallëzim penal në prokurori.

Luan Hoxha dhe Besnik Kaimi kanë nënshkruar një kontratë kapari më datë 1 qershor 2002, përpara noteres Tamara M., për të siguruar ekzekutimin e kontratës së shitjes së një apartamenti. Vlera e plotë e shitjes së apartamentit do të ishte 55 000 USD”, thuhet në vendim.

Mësohet se vlera e plotë e përcaktuar si çmim për shitjen e apartamentit, do të likuidohej në dy faza, faza e parë e pagimit të shumës do të ishte menjëherë me nënshkrimin e kontratës së kaparit dhe faza e dytë do të ishte pasi pronën t’ia kalonte Kaimi. Ndërkohë, menjëherë me nënshkrimin e kontratës së kaparit, Luan Hoxha zhvendoset dhe banon në këtë apartament. Edhe pas përmbushjes së kushtit të plotë të pagesës, Besnik Kaimi nuk e ka realizuar kalimin e pronësisë në emër të Luan Hoxhës, kështu që ky i fundit i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, për të kërkuar detyrimin e Besnik Kaimit dhe bashkëpronarëve të tjerë për ta njohur pronar.

“Shqip” raporton se Luan Hoxha në mirëbesim ka shlyer vlerën e plotë të apartamentit, pra edhe pjesën e mbetur, dhe ky fakt provohet me një deklaratë noteriale. Gjykata thotë se, në fillim të gjykimit në Shkallë të Parë, me vendimin e ndërmjetëm të datës 27 dhjetor 2013, është vendosur masa e sigurimit të padisë, për të ngrirë gjendjen juridike të apartamentit objekt gjykimi, deri në zgjidhjen e këtij konflikti.

Në përfundim të gjykimit në Shkallë të Parë, u vendos rrëzimi i padisë dhe heqja e masës së sigurimit të padisë. Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankesë Luan Hoxha. Mësohet se në pritje të gjykimit në Apel, Besnik Kaimi ia ka shitur këtë apartament një shtetasi tjetër, me një kontratë noteriale. Prona është regjistruar edhe në hipotekë. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe rigjykimin e kësaj çështjeje penale.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *