Intervista/Berisha: Byroja e Hetimit është alfa dhe omega e Reformës në Drejtësi

Sali Berisha ka dhënë një intervistë për Top Channel ku ka trajtuar gjerë çështjen e reformës në dretjësi dhe rekomanditmet e Komisionit të Venecias.

Ja cila është intervista e publikuar prej tij në Facebook:

ELONA MECO – Zoti Berisha, përfundimisht, është miratuar opinioni i Venezias për reformën në drejtësi. A është PD e gatshme të miratojë këtë reformë sipas Venezias, siç ka deklaruar gjithmonë?

SALI BERISHA – Përgjigjen më të saktë të kësaj pyetjeje e jep Kryetari i PD-së Lulzim Basha, por unë besoj së PD-ja është konsistente në parimet dhe qëndrimet që shpall. Mendoj se rekomandimet e Komisionit të Venezias përbëjnë një bazë shumë solide për reformën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Duhet të theksoj dhe një herë se është emergjente të fillohet me Njësinë Antikorrupsion apo FBI-në e Edi Ramës. Se donte që, meqë presidenti Obama ka FBI, donte edhe ky FBI, por Venezia ka dhënë rekomandime të qarta e të kristalta, të cilat Rama nuk i pranon. Rama nuk pranon një njësi hetimi të pavarur nga ai dhe Saje qorri. Rama e refuzon në menyre patologjike, se e di që ai është është targeti kryesor i hetimit nga nje njësi e pavarur ose e varur lehtësisht nga Prokuroria e Përgjithshme.

ELONA MECO -Do t’ju pyes pak më vonë për Byronë e Hetimit. Në ndryshimet që i janë bërë opinionit te ndërmjetëm të Venezias vihet re që kanë rënë pothuajse të gjitha pretendimet kryesore të PD-së. Nga 11 pikat e saj, kanë mbetur, veç shumicës së cilësuar, disa çështje teknike, përfshirë edhe BKH, sepse ajo nuk preket nga ndryshimet. A është e gatshme PD-ja të heqë dorë nga këto kërkesa, që u prezantuan si 11 kushte një javë më parë?

SALI BERISHA – Për Sali Berishën Alfa dhe Omega e reformës në drejtësi është ajo që po thoni ju, BKH apo Njësia Antikorrupsion. Nëse Shqipëria do të kishte një luftë efiçente kundër korrupsionit, ligjet aktuale të sistemit të drjetësisë janë absolutisht të standardeve ndërkombëtare, janë të standardeve shumë të mira, por, për fat të keq, nuk japin sistemin që duhet. Duhet filluar me shpejtësi nga Njësia Antikorrupsion. PD ka shpallur qendrimet e veta. Nga një parim ajo nuk mund të lëvizë kurrësesi. Nga parimi i mbrotjes së sistemit nga kapja politike.

ELONA MECO – Që do të thotë shumica e cilësuar.

SALI BERISHA – Jo, nuk do të thotë vetëm shumicë e cilësuar. Ka disa mënyra, se këtu është problemi. Nuk ka vetëm një zgjidhje për një çështje. Gjithmonë ka më shumë se një zgjidhje për një çështje. Kështu që, në rast se moskapja nuk realizohet me shumicë të cilësuar, atëherë duhet të gjenden forma të tjera të moskapjes, të cilat vërtet nuk lejojnë kapjen nga asnjë palë. Pra, PD duhet të ketë check and balance, duhet të ketë moskapjen si parimet më themelore, si dhe përgjegjshmërinë e sistemit gjyqësor, mbrojtjen e tij nga korrupsioni dhe ndërhyrja politike.

ELONA MECO – Ju thoni që gardiani në këtë rast është njësia antikorrupsion?

SALI BERISHA – Njësia Antikorrupsion është shtylla më kryesore e kësaj reforme. Do të ndalem vetëm një moment. Vendi me drejtësinë më të konsoliduar në botë janë SHBA. Pse? Sepse deri më sot është i vetmi vend që procedon presidentin në detyrë dhe ka mekanizmin ligjor për ta bërë këtë. Nëse të tjerët i japin Presidentit imunitete kushtetuese, ligjvënësi amerikan i ka bërë ligjin presidentit për t’u hetuar në çdo rast që gjykohet se duhet të hetohet, por për t’u hetuar nga një trupë e pavarur, që nuk varet nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili varet nga Presidenti.

ELONA MECO – Ndërkohë ju dje i keni bërë thirrje opozitës që të kushtëzojë qëndrimin e saj ndaj qeverisë vetëm më miratimin e njësisë antikorrupsion. Mund të më shpjegoni si kushtëzohet qëndrimi i opozitës?

SALI BERISHA – Të isha unë, nuk marr pjesë në asnjë lloj bashkëpunimi pa u votuar njësia antikorrupsion.

ELONA MECO – Veçmas reformës në drejtësi?

SALI BERISHA – Në fillim. Të jetë preludi. Pse? Shumë e drejtë pyetja. Reforma në drejtësi, përveç amendamenteve kushtetuese, ka edhe rreth 40 ligje. Siç më kanë thënë ekspertë ndërkomëbtarë, ajo do 2-3 vjet për t’u zbatuar, kurse, po të shkëputet veç ose të përparësohën amendamentet dhe ligji vertikal i njësisë antikorrupsion votohen brenda 2-3 javëve, kjo njësi fillon punën, më së largëti, brenda 2-3 muajve. A ka kohë Shqipëria të presë 2-3 vjet për luftën kundër korrupsionit në një kohë që kjo qeveri është lëshuar me një lukuni të paimagjinueshme në plaçkitjen dhe grabitjen e pasurive publike të vendit? Prandaj them të fillohet me këtë, pastaj tek kapitulli tjetër e tjëtër e tjëtër me rradhë. Unë jam për të plotë reformën, por shtylla absolute kryesore është njësia antikorrupsion.

ELONA MECO – Pse të mos miratohet e gjitha brenda marsit, siç ka premtuar edhe kryeministri?

SALI BERISHA – Nuk kam kundërshtim, por problemi është se, po ndoqëm këtë platformë, atëherë do të presim 2-3 vjet për zbatimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. A e dini ju se Edi Ramës i kanë shkuar në zyrë, ka rrezik edhe 10 herë, për t’i kërkuar që të shprehet se pranon rekomandimet e Komisionit të Venezias dhe deri më sot, në mënyrë kategorike, s’e ka bërë?! Përkundrazi! Unë di dhe kam bërë publike disa biseda private të tij në kafenenë e parlamentit, ku ai është vërsulur me tërbim ndaj sponsorizuezve të Byrosë, sepse ai mendon një konspiracion kundër tij dhe gjykon se për aferën e Surrelit, për pallatin në pajë, për paratë që ndan me Beqjen dhe ndrikull Nushin, ai do të ketë dekada të tëra vuajtje dënimesh.

ELONA MECO – A mund të bëni një parashikim sesi do të shkojë çështja e reformës në drejtësi?

SALI BERISHA – Jo, nuk mund të bëj një parashikim, sepse varet shumë nga qëndrimi i Edi Ramës ndaj Byrosë së Hetimit, sipas variantit që ka sjellë Komisioni i Venezias.

ELONA MECO – Dhe një pyetje të fundit. Nëse reforma në drejtësi nuk kalon, zgjidhja janë zgjedhjet?

SALI BERISHA – Nëse nuk kalon reforma në drejtësi, me Edi Ramën kryeministër, një njeri që nuk pranon të bëjë zgjedhje në parti, i garantoj shqiptarët se, kurrë, që nga koha e Enver Hoxhës, vullneti i tyre më në rrezik s’ka qenë. Dhe nuk duhet ta pranojnë kurrë, ta hedhin mënjanë me të gjitha mjetet e mosbindjes të një revolucioni demokratik për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme pas tij.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *