Dashamir Shehi: Politika në Shqipëri të bën të pasur. Ja ç’ndodh në Danimarkë

Politika nuk është e bukur, por unë nuk jam pishman që jam marrë me këtë punë. Ky është konkluzioni i deputetit Dashamir Shehi për 25 vitet e tij në politikën shqiptare.

“Nëse do dal nga politika, nuk do të di të bëj një punë tjetër”, tha Shehi në studion e Zululand përballë gazetarit Mustafa Nano, duke theksuar edhe faktin se politikën e ka në gjak, e ndaj e ka vështirë të largohet prej saj.

Por Shehi si kreu i LZHK-së, në zgjedhjet e 2013 u shpall deputet në Tiranë, edhe për faktin që ishte në listën e Partisë Demokratike në këtë qark. Por kjo nuk e detyron atë aspak për të mbajtur një qëndrim superlativ ndaj Berishës.

Sali Berisha në 15 tetor mbush 72 vjeç, por a duhet të jetë më në politikë? shtroi pyetjen Nano.

“Politika në Shqipëri në të mirë edhe në të keq e ka pasur Berishën. Ai që rri në politikë ka ego personale, grupe interesash, lavdinë, idenë “që kjo është e imja”. Po logjike është që këta njerëz duhet t’i lënë vendin gjeneratës së re. Historia ka një trend të vetin, ka një kah, i cili shkon në një drejtim të caktuar, është kahu i kohës”, tha Shehi.

Por a duhet të largohet pas më shumë se 25 viteve Berisha nga politikbërja? “Nuk mund të bësh eksperimente në politikë, hajde e ik. Edhe shprehja e urtë popullore thotë “më bëj edhe një herë nuse, se e di unë si nusëroj”, por jo më bëj për herë të tretë. Besoj se Berisha e ka kuptuar vetë që duhet të ikë”.

Pyetjes së Nanos se si kanë qenë këto 25 vite në politikë, Shehi gjeti momente kur ajo është e shëmtuar, por edhe interesante. “Për Shqipërinë ka rezultuar pjesa më e shëmtuar. Politika nuk është e bukur. Por është interesante, sepse nga një vend komunist të çon drejt Evropës. Dhe këtë e bën politika. … rinisë shqiptare i duhet të angazhohet me politikë edhe për shumë vite të tjera”, u shpreh Shehi.

Në krahasim me politikanët në Danimarkë, çfarë i dominon politikanët shqiptarë? “Politika këtu bën njerëz të pasur, politika të bën të pushtetshëm. Në Danimarkë të bën administrator të punës publike, por kurrë të pushtetshëm”, nënvizoi Shehi në studion e Zululand.

Të rrallë janë politikbërësit që pranojnë riskun kur kanë gabuar në politikë. Sot nëse do të pyesësh një politikan do të ketë vështirë që të të gjejë gabime në qeverisje, por Shehi pranon se kanë bërë plot gabime, që edhe sot mund të korrigjohen. “Më mirë të pranojmë se kemi gabuar, se sa të themi kemi qenë drita e diellit”, tha Shehi.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *