Blushi: Një pakicë e pavotuar po detyron një shumicë ta pranojë atë pa zgjedhje

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi ka mbajtur një fjalim tepër të ashpër në Kongresin e Partisë Socialiste, ku shprehet i zhgënjuer i premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale.

Githashtu Blushi thekson se barazia dhe transparenca brenda parties po cënohet, pasi sipas tij, një pakicë e pavotuar po detyron një shumicë ta pranojë atë si shumicë apo pakicë pa zgjedhje.

“Ne të gjithë jemi pronarë të një prone të përbashkët që është Partia Socialiste. Barazia është zemra e saj. Bashkimi është muskuli i saj. E ardhmja është ecja e saj, drejtësia është dora e saj, solidariteti është prekja e saj, dhe liria është shpirti i saj. Ne socialistet duhet t’i mbajmë këto shqisa në harmoni. Duhet t’i bindim qytetarët se Shqipëria bëhet nga socialistët duke përfaqësuar të gjithë shqiptarët. E këtë mund ta bëjmë duke mos i ikur vetes tonë, duke mos e fshehur PS nga shqiptarët, duke mos e rrëmbyer PS.

Kë një shumicë absolute në këtë parti që kërkon një patri të përbashkët për të gjithë. Ka dhe një pakicë relative që kërkon një parti për vetë.

Unë kam ardhur sot të fals në emër të kësaj shumice që mund të jetë e heshtur e dhunuar e frenuar, por ekziston. Ajo është duke pritur aty që të çlirohet, është një shpirt i zënë rob me kusht. Ne duhet t’i japim mundësi kësaj shumice të flasë dhe të votojë me votë të lirë. Por të gjithë bashkë qofshim shumicë apo pakicë duhet të kemi një gjë të përbashkët, të vërtetën. A jemi ne të barabartë në këtë parti? A po i kemi respektuar rregullat që i kemi vendosur bashkarisht? A po i japim dikujt më shumë fuqi? A ka shkelje në jetën e PS? A ka patur deformime? E vërteta në PS po mbytet, e drejta e secilit prej nesh për një parti të lire të barabartë e transparencë po cënohet. Një pakicë e pavotuar po detyron një shumicë ta pranojë atë si shumicë apo pakicë pa zgjedhje.
Një pakicë po kthehet në shumicë pa votim në këtë parti. Një pakicë po emëron krerët e organizatave, të qeverisë, etj, po merr peng gjithë partinë.

Për këtë pakicë nëse kërkon zgjedhje je armik, nëse do mbledhje je 2 herë armik, nëse do më pak borxh publik, zgjidhje punësim, rritje pagash, pensionesh, pastrim të partisë nga krimi, je më shumë armik.
Nëse i mohon të gjitha këto që thashë je mik, besnik, i vyer i lyer, i shpërblyer, i ndërsyer. Je besniku i partisë që shpërblehesh sa herë gënjen. Të jesh apo të kesh, sot është kjo çështja në PS.
Ky është morali i kësaj pakice. Ky është kriteri i kësaj pakice të shumicës. Tesera e PS sot nuk është puna, mendimi, vendimi, besimi, por është mohimi.

Këto nuk mund të jenë rregullat e një partie por të një pabesie, që nuk e kam pranuar, dhe nuk do ta pranoj kurrë.

Kur erdhi në krye të PS, Edi Rama mori një punë, për ta lënë Shqipërinë pa punë.
Nuk ka zgjedhje në PS prej 3 vitesh, nuk është opinion fakt. Rama është i vetmi kryetar partie në Europë që ka një mandat prej 7 vitesh. Statuti i PS është shkelur në më shumë se 40 % të neneve të tij. referendumet nuk bëhen për persona, por vetëm për çështje. Në PS janë futur pa votim njerëz me precedent penal, dhe ky nuk është opinion fakt. Fakt është që pagat nuk janë rritur prej 3 vitesh, borxhi është rritur, ekonomia nuk është rritur me ritmet që ne prisnim,. Paga minimale në Shqipëri është skllavëruese, taksa ka mbetur e sheshte si në kohën e Berishës. Shëndetësia falas që premtuar në 2013 nuk është bërë. Nuk kemi garantuar naftën pa akcizë që premtuan, e blemë naftën më shtrenjtë se kudo në rajon. Çmimi i energjisë është rritur, ndërtimet janë bllokuar prej 3 vitesh për arsye që nuk janë arsye. Nuk kemi hapur dot 300 mijë vende pune siç premtuam. Emigracioni në Shqipëri nuk është ulur siç premtuam, por është rritur.

Unë nuk jam Saliu, por ne po qeverisim si Saliu pa Saliun. Do luftoj deri në fund që PS, Shqipëria të mos jenë kështu siç janë. Këto nuk janë opinione por fakte. Kjo është arsyeja pse po pengohen zgjedhjet në PS. Nëse doni të provojmë se kush është shumica e pakica, ka vetëm një rrugë të shkojmë një zgjedhje. Ja pese kërkoj zgjedhje, asgjë më shumë e asgjë më pak. Kush ka të drejtë t’ia mohojë secilit prej nesh këtë të drejtë. As ky Kongres nuk ka të drejtën të heqë të drejtën e votës kësaj partie.” – ka përfunduar Blushi.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *