Blushi flet për takimin në Elbasan: Rama më bëri gjyq si Enver Hoxha në vitin ’73

Edi Rama dhe Ben Blushi u përballën dje, për herë të parë, në të njëjtën sallë me socialist, pikërisht aty, ku në zgjedhjet e vitit 2013, Rama e prezantoi Blushin si të parin e listës së kandidatëve për deputetë. Pasi e ka marrë vesh, se Rama do të ndante dje, në orën 15:00 karta anëtarësie, në Elbasan, i paftuar, Ben Blushi vendosi të shkonte dhe t’i kërkonte llogari në sy se përse nuk bën zgjedhje për kryetarin e partisë.

Asnjë nga deputetët e Elbasanit nuk i dha dorën Blushit, ndërsa ai vajti e u ul në rreshtin e parë në sallën e takimit. Disa herë kërkoi t’i jepnin fjalën, madje, për një moment, kur po fliste zv.kryeministri Niko Peleshi u ndërpre edhe transmetimi televiziv, por më pas fjala i është dhënë nga deputeti Taulant Balla.

Ndërkohë në fjalën e tij, Blushi, mes vërshëllimash dhe thirrjesh nga një grup pjesëmarrësish në sallë, i tha Ramës “Pse nuk do të zgjidhesh?”. “Ik. Largohu, Nuk je përfaqësuesi ynë”, ishin këto thirrjet që e shoqëruan dje, Blushin. Në fjalën e tij, mes zhurmës, Blushi tha, në mungesë të kamerave dhe medias: “Juve ju kanë marrë votën. Po e pyes Edin përballë: Pse nuk do zgjedhje në PS? Këtu ka banditizëm dhe banditët janë këtu dhe në Parlament. E dini pse nuk vij në Elbasan?! Sepse ndihem i turpëruar. Nuk kam frikë të them të vërtetën, vërshëlleni sa të doni.

Për mua nuk ka rëndësi partia, por Shqipëria. Nuk na duhet një parti e një njeriu. Po ju kërkoj vetëm të më dëgjoni, kam ardhur si deputet i këtij qarku”, tha Blushi. Më pas, nën këtë tension të krijuar, Blushi është shoqëruar jashtë sallës së mbledhjes nga përkrahësit e tij. “Paskam bërë një gabim të madh se paskam bërë një libër. Keto lloj gjyqesh kanë ndodhur në vitin 73. Këtu u bë gjyq edhe për librat tani. Shkoi pak larg. Më vjen keq se këtu pati njerëz që u munduan të sulmonin çka nuk është absolutisht Elbasani që njoh unë. Është një qytet mikpritës, i cili nuk meriton të përfaqësohet nga ata që janë kapur me armë dhe ishin këtu në sallë për të intimiduar njerëzit.

Njerëz që përpiqen të sulmojnë dhe pengojnë të hysh në një sallë… Kjo sallë u kthye në një gjyq kundra një njeriu. Kini parasysh që nuk po qeveris unë. Pra, është vendi për t’i kërkuar llogari dikujt tjetër. Duhet të pyesni bodigardët që kanë qenë atje dhe njerëzit e sigurisë, të cilët mbajtën disa njerëz që unë si njihja, që ishin shumë të dhunshëm për fat të keq. Përshëndetjen që i bëra atyre do jua them dhe ju. Nuk është e imja e ka thënë në një moment të vështirë Lasgush Poradeci i cili është detyruar të përshëndesë disa miq. ‘Gjigandë apo shkurtabiq ju përshëndes me mall or miq’. Kjo është ajo që kam për të thënë për ata që ishin aty dhe për ata që nuk mendojnë si unë.”, – tha Blushi.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *