Basha tur takimesh në SHBA: Ja axhenda

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në SHBA për një vizitë disaditore. Ai shoqërohet nga një delegacion që ka në përbërje deputetët: Eduart Selami, Gent Strazimiri, Jorida Tabaku, si dhe kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu.

Vizita e kryetarit të Partisë Demokratike në SHBA përkon me 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA.

“…Sfidat e Shqipërisë për ndërtimin e një demokracie funksionale dhe shtetit të së drejtës, si: zbatimi i Reformës së Dekriminalizimit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe Reforma në Drejtësi do të jenë në qendër të axhendës së kreut të opozitës në SHBA. Por po kështu pritet që gjatë takimeve me zyrtarët e lartë amerikanë të diskutohet edhe për qëndrimet e Partisë Demokratike për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza dhe për programin e alternativën qeverisëse të demokratëve…”, – thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.

Edhe pse Partia Demokratike nuk ka zbardhur më konkretisht takimet e Bashës në SHBA, mësohet se nivelin më të lartë të takimit ai do ta ketë me ndihmës/sekretaren e Shtetit, Viktoria Nuland.

Basha do të takohet edhe me një prej përfaqësuesve për Europën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Ai do të zhvillojë takime edhe me kongresmenë amerikanë. Burime nga PD-ja sqarojnë se Basha bashkë me delegacionin që e shoqëron do të zhvillojë një takim me grupin e miqësisë SHBA–Shqipëri në ditën e 25-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.

Basha pritet të ketë edhe një intervistë për Zërin e Amerikës. Ai gjithashtu do zhvillojë një takim të veçantë me studentët shqiptarë që jetojnë dhe studiojnë në SHBA.

Vizita e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha konsiderohet e rëndësishme për opozitën, por edhe për vetë kreun e saj.

Kjo është vizita e parë e tij zyrtare në SHBA në cilësinë e kryetarit të PD-së, ndërkohë që gjatë qeverisjes së demokratëve ai e ka vizituar disa herë Uashingtonin.

Pak kohë më parë, kryetari i demokratëve zhvilloi në Tiranë një takim me sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry.

Pas takimit të zhvilluar, Basha u shpreh se mbështetja e SHBA-ve ishte vendimtare për procesin e dekriminalizimit, një temë të cilën Basha (referuar njoftimit për shtyp të PD-së) do ta cekë sërish në takimet që ai do të zhvillojë në SHBA.

Po aq e rëndësishme për opozitën konsiderohet edhe Reforma në Drejtësi, për të cilën deri më tash ka disa qëndrime por asnjë dakordësi me PS-në lidhur me metodologjinë që do të ndiqet.

Qëndrimet e Bashës pas takimeve që ai do të zhvillojë në SHBA do të zbardhin më shumë dritë mbi lëvizjet që opozita do të ndërmarrë, duke pasur parasysh se realizimi i kësaj reforme është angazhim i përhershëm i departamentit amerikan të shtetit, përmes ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *