Basha nga SHBA: Do të ketë dhe Reformë në Drejtësi dhe zgjedhje të lira e të ndershme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e kongresmenëve amerikanë për sfidën që ka sot përpara jo vetëm Partia Demokratike por çdo qytetar shqiptar, pastrimi i politikës nga të inkriminuarit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme si dhe reforma në drejtësi.

Në ditën e dytë të qëndrimit në SHBA, lideri i opozitës u takua me kongresmenët Dana Rohrabacher, kryetar i Komitetit për Europën në Kongresin Amerikan Robert Aderholt dhe David Jolly, me drejtorin për Ballkanin në Departamentin Amerikan të Shtetit Thomas Yazdgerdi, si dhe u prit në një takim të veçantë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. SHBA-të kanë pritshmëri se po punojnë me partner të besuar dhe këtë duhet ta tregojë qeveria shqiptare, theksoi kongresmeni amerikan Jolly.

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka asnjë dilemë mes reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve pasi sipas tij do të ketë reformë në drejtësi dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në takimet e zhvilluara në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë është vlerësuar roli i Partisë Demokratike në qeverisje ashtu dhe në opozitë përsa i përket sfidave të sigurisë globale. Sfida e sotme, sipas zotit Basha, është garantimi i një sigurie funksionale në Shqipëri.

“Në takimet me anëtarë të Kongresit Amerikan, me përfaqësues të lartë të administratës amerikane është diskutuar mbi shqetësimet për zhvillimet në Shqipëri e në veçanti sa i përket çështjes së dekriminalizimit. Implementimit të ligjit të dekriminalizimit dhe nxjerrjes jashtë nga politika të njerëzve me rekorde të tmerrshme kriminale që u sollën aty nga Edi Rama. Si dhe për sfidën e Shqipërisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe aprovimin e reformës në drejtësi sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duke i hapur rrugë dialogut politik, kompromisit dhe konsensusit politik, por gjithmonë bazuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Dhe kjo nuk është një çështje zgjedhjesh: O reformën në drejtësi ? O zgjedhje të lira e të ndershme? Edhe reformën në drejtësi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Reformën në drejtësi për të vënë para përgjegjësisë, para ligjit zyrtarët e korruptuar. Për të vënë para ligjit kriminelët me lidhje me pushtetin, të cilët bashkërisht shkelin ligjin duke i imponuar qytetarëve një tirani dhe duke qëndruar për vete me privilegjet e tyre, me korrupsionin e tyre mbi ligjin dhe jashtë ligjit sot e gjithë ditën.

Dhe nga ana tjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme për të vënë para përgjegjësisë keqqeverisjen e këtyre tre viteve. Pra, dilema nuk është reformë në drejtësi apo zgjedhje të parakohshme. Edhe reformë në drejtësi edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është mesazhi që dua të ndaj sot nga Uashingtoni dhe për të cilën kam marrë mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve tanë dhe të përfaqësuesve të tyre në Kongresin Amerikan”, theksoi zoti Basha.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *