Bandat e Elbasanit/ A mund t’i besohet Xhafajt kur del përkrah Qazim Sejdinit?

Bandat e Elbasanit/ A mund t’i besohet Xhafajt kur del përkrah Qazim Sejdinit?

Fatmir Xhafaj u përpoq të flasë troç në forumin me qytetarët në Elbasan. Përmendi bandat që veprojnë në qytet, pranoi gabimet e policisë në të shkuarën, dhe premtoi se “do t’ia nxijë jetën” banditëve dhe kriminelëve. Për të qenë më bindës, veçoi emrin e Altin Qatos, si një ndër oficerët më të mirë të policisë, i zgjedhur posaçërisht për të rikthyer rendin dhe sigurinë në Elbasan.

Besim kërkoi Xhafaj nga qytetarët. Besim kërkoi Altin Qato. Besim kërkoi edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në forumin që kishin organizuar në formën e një dëgjese, me pyetje dhe përgjigje nga qytetarët.

Por megjithë përpjekjet për t’i dhënë kurajo të pranishmëve, askush nuk guxoi t’i përmendë Çapjat dhe Çelajt, dy grupet e famshme për sulmet kundër policisë pak kohë më parë.

Në panel, bashkë me Fatmir Xhafajn ishte edhe Qazim Sejdini, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, i cili u vlerësua publikisht për rolin e tij në krijimin e një mjedisi më të sigurtë në Elbasan. Qazim Sejdini mbajti edhe një fjalë në forum, ku foli për punën që kishte bërë për të rritur sigurinë në qytet.

Por ngjarjet e shkuara tregojnë të kundërtën.

Qazim Sejdini është identifikuar publikisht si garanti i lidhjeve politike me njërën nga bandat që sulmuan policinë në Elbasan.

Vetë Sejdini është marrë nën mbrojtjen e policisë, pas ashpërsimit të luftës mes bandave në këtë qytet.

Dhëndëri i tij, Sokol Sanxhaktari, konsiderohet një nga protagonistët e përplasjes mes grupeve kriminale në Elbasan dhe është marrë në pyetje nga policia pas ngjarjeve të rënda.

Është provuar tashmë se Sejdini ka qenë një prej sponsorizuesve të biznesit të Suel Çelës, i shpallur në kërkim nga policia për sulmin ndaj policisë.

Në zgjedhjet e fundit lokale, ka pasur denoncime publike të qytetarëve të kërcënuar, që e përshkruanin Suel Çelën, si udhëheqës të krahut të armatosur të fushatës së kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Kompania në pronësi të bashkëshortes së Qazim Sejdinit është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për një kamion me 8 ton kanabis që u kap në Itali vitin e kaluar. Bëhët fjalë për agjencinë “Ujori” të Xhuljana Sejdinit, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit.

Këto fakte dhe shumë më tepër se kaq janë të njohura mes qytetarëve në Elbasan. Madje mbështetja politike për bandat në këtë zonë është konfirmuar edhe nga Fatmir Xhafaj në parlament.

Për të gjitha këto arsye, forumi i organizuar nga Ministria e Brendshme ishte lehtësisht i paragjykuar për hipokrizinë që tregoi, duke folur për aksidentet, për policët e lagjeve apo për shqetësimet e zhurmave, në një qytet të marrë peng nga krimi, ku ende nuk janë zbardhur atentate me disa të vrarë. Për të gjitha këto arsye, fjalët e Fatmir Xhafajt, sado troç, tingëlluan teatrale dhe në vend të rrisin besimin për policinë, shtojnë frikën se nyja që mban të lidhur krimin dhe politikën nuk do të zgjidhet kurrë. /Lapsi.al