Aqif Rakipi zbardh aksidentin: Më doli si hije para makinës. Zbrita e pashë dhe u dorëzova në polici

Aqif Rakipi zbardh aksidentin: Më doli si hije para makinës. Zbrita e pashë dhe u dorëzova në polici

Aqif Rakipi, deputeti i PDIU-së, i cili aksidentoi për vdekje dy ditë më parë Seit Sorrën në autostradën Tiranë-Durrës shprehet se nuk është larguar nga vendi i ngjarjes. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Rakipi tregon se ka ndaluar menjëherë, ka dalë nga makina dhe nga tronditja s’ka qëndruar më aty por është dorëzuar në Komisariatin e Policisë ku ka treguar ngjarjen.

Ai hedh poshtë pretendimet se ka kërkuar që të shkojë në varrimin e të ndjerit dhe tregon se kthehej nga një i afërm i shtruar në spitalin e Durrësit.

INTERVISTA

Zoti Rakipi, ju keni heshtur, por mund të zbardhim disa detaje rreth aksidentit. Si ndodhi?

Në radhë të parë, më vjen keq për njeriun që humbi jetën. Në radhë të dytë, më vjen keq për familjarët, nënën, vëllezërit, bashkëshorten dhe fëmijët. Më shqetëson vetëm pjesa që i përket të ndjerit që humbi jetën. Për pjesën time, nuk e kam menduar për asnjë çast, sepse nuk kam pasur asnjë faj. Kam qenë në rrugën time, jo me shpejtësi dhe i ndjeri më ka dalë përpara si hije. Aq sa nuk kam arritur ta shoh. Më mirë aksidentin e tregojnë dëshmitarët okularë që ishin në furgonin që i kishte sjellë ata për në punë. Ata e zbardhin më mirë sesa unë që isha brenda në makinë dhe u godita. Edhe kur kam treguar në Polici kam thënë se nuk e di dhe nuk e kuptova se si më doli përpara makinës. Personat e tjerë që ishin me të ndjerin, e që punonin bashkë, kishin kaluar rrugën, ndërsa i ndjeri kishte qëndruar më prapa me shoferin e furgonit. Ai ka dalë nga para furgonit dhe e kam parë vetëm kur e kam goditur.

A keni qenë më shpejtësi?

Kam qenë me shpejtësi normale të lejueshme, sepse nëse do kisha pasur shpejtësi të madhe do të isha bërë copë edhe vetë, mund t’i kisha rënë murit ndarës të autostradës, sepse goditja më erdhi si nga lart, papritur. Mospasja e shpejtësisë më ka lënë në korsi pa u përplasur me betonin.

Është thënë se ju nuk keni ndaluar fare pas aksidentit, por keni vazhduar rrugën. Si është e vërteta?

Nuk është e vërtetë. Unë ndalova menjëherë. Zbrita nga makina dhe pashë se çfarë kishte ndodhur. Erdhën dhe makina të tjera nga pas dhe ndaluan. U afruan dhe njerëz që ishin aty përreth, nga tregu a ku di unë. Isha shumë i tronditur nga ngjarja e papritur. I kam hipur makinës dhe shkova në komisariat. Kam shkuar me makinën time në komisariat. Nëse do isha me shpejtësi, dëmtimi i saj nuk do të lejonte që të lëvizte nga vendi.

Ju po ktheheshit në Tiranë, ishit në ndonjë sebep?

Unë po kthehesha nga spitali i Durrësit ku kisha qëndruar deri në mëngjes pranë një njeriut tim, që është e shtuar me sëmundje të rëndë. Shumë është thënë këto dy ditë se isha këtu e isha atje, kisha këtë e kisha atë. Politikanët e pashpirt le të flasin, ata nuk janë njerëz. Unë nuk i përkas atyre, unë jam njeri i thjeshtë pranë njerëzve dhe e jetoj si çdokush dhimbjen e secilit. Unë ju thashë dhe më lart, se më vjen keq për të ndjerin dhe familjarët e tij për një aksident të ndodhur jashtë vullnetit tonë, për fatin tonë të keq.

Nga familjarët e të ndjerit është thënë se ju keni dashur të shkoni në varrim. Keni kontaktuar me ta?

Jo, nuk është e vërtetë. Është një situatë e rëndë dhe unë e kuptoj gjendjen e familjarëve. Mua më vjen zor që të shkoj dhe t’i pijë kafen e vakisë dhe pse nuk kisha faj, por fatkeqësia ndodhi. Edhe më vonë, pasi të jetë kaluar dhimbja e madhe, mua përsëri më vjen zor t’i dal përpara familjarëve, gruas e fëmijëve të të ndjerit. Jemi njerëz mbi të gjitha. Unë ndaj me ta dhimbjen për këtë fat tragjik. Por unë kam çuar njerëz të mi për të shprehur ngushëllimin në emrin tim dhe ata e kanë kuptuar këtë pjesë të fatit të keq që na ndodhi të dy palëve. Familjarët e të ndjerit janë treguar shumë njerëzorë, i kanë pritur mirë dhe kanë mirëkuptuar pozicionin tim.

Share this...
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInPin on PinterestShare on TumblrEmail this to someone

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *