5 rastet kur Kryeministri ka dredhuar nga skandalet duke intimiduar gazetarët

5 rastet kur Kryeministri ka dredhuar nga skandalet duke intimiduar gazetarët

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për vizitën në samitin e Sofies, procesin e hapjes së negociatave dhe skandalin që ka përfshirë prej disa ditësh mazhorancën.

Siç pritej, Kryeministri nuk surprizoi njeri. Nga njëra degë në tjetrën, Rama e justifikoi një dështim të mundshëm dhe të afërt në qershor me negociatat me baltën që hedh opozita në rrugën e integrimit.

E nëse për negociatat Rama përdori si mburojë baltën e hedhur sipas tij nga opozita, e njëjta gjë nuk ndodhi kur Kryeministri u pyet për Albert Veliun, dëshmitarin X, që dje me zë dhe figurë denoncoi vëllain e Xhafës si “kreun” e një bande që merret me trafikun e drogës në Vlorë.

Gazetarja e Fax News, Ambrozia Meta, pyeti Kryeministrin si ndihej tani që dy njerëz të besuar të tij, të dy në postin e ministrit të Brendshëm, janë të akuzuar për trafik droge.

Përgjigja e Ramës nuk ishte e paparashikuar.

Siç ka ndodhur edhe më herët, kryeministri u përpoq të intimidonte gazetaren duke u shmangur nga pyetja, e duke e shkëputur vëmendjen nga Xhafaj dhe i vëllai i tij i dënuar për trafik droge, tek pronari i televizionit Fax News.

S’është hera e parë, e as e fundit.

Janë 5 raste kur Kryeministri iu është shmangur skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë duke u përpjekur të intimidojë gazetarët e politikës.

Merita Haklaj

Pak javë më parë kur shpërtheu protesta për tarifën në Rrugën e Kombit, gazetarja Merita Haklaj pyeti Ramën se përse qytetarët paguajnë me euro dhe kusuri u jepet në lekë.

Rama duke u shmangur iu kthye gazetares duke thënë:

“Unë nuk ndërhyj në programin e Top Channel, mos ndërhy në programin e ERTV.
Sigurisht mund të kisha bërë këtë, mund të kisha bërë edhe diçka tjetër.”

Eni Vasili

Kryeministri i tha moderators së “Studio e Hapur”:

“E kam shumë të qartë se kush je ti, sepse e kam parë filmin e fundit, Narcos”.-duke e krahasuar me një nga personazhet e filmit për Pablo Eskobarin.

Në një tjetër rast, kur Vasili pyeti Ramën për shkrimet në mediat e huaja për kanabizimin e vendit,

Rama i sugjeroi gazetares të fuste publicitet.

Replikat:

Vasili: Pra ju thoni që opozitë të mos flasë fare.

Rama: Kalo në publicitet që të marrësh pak veten se e shoh që je e pavëmendshme.

Vasili: Unë jam shumë mirë zoti Rama.shumë mirë zoti Rama.

Erisa Zykaj

Një nga konfliktet emblem të Ramës me gazetarët, është dhe ai me gazetaren e Abc Neës në Bruksel, Erisa Zykaj

Erisa Zykaj e ka pyetur kryeministrin Rama se presidenti i Bashkimit Europian ka thënë se Shqipëria është më e suksesshme në politikën e jashtme, dhe do donte që të ishte po aq e suksesshme në politikën e brendshme.

Pyetjes se pse Shqipëria është gjithmonë e suksesshme në arenën ndërkombëtare dhe problematike në atë të brendshme, Rama i është përgjigjur gazetares se duhet të marrë më shumë leksione anglisht sepse presidenti i BE nuk është shprehur në atë mënyrë.

Pas kësaj Zykaj ka drejtuar një tjetër pyetje për shkallën e kriminalitetit në vend, ndërsa Rama e injoroi duke mos i kthyer fare përgjigje.

Ambrozia Meta

A nuk ka PS njerëz, që nuk kanë vëllezër apo kushërinj të lidhur me drogën që të drejtojë Ministrinë e Brendshme?

Kjo pyetje ka nxjerrë Edi Ramën nga vetja e tij, duke vendosur që të braktisë konferencën për mediat.

Ai është kapur personalisht me gazetaren Ambrosia Meta duke i kujtuar asaj pronarin e televizionit, dhe duke e akuzuar atë se po bënte propagandë.

Rama si rrallëherë i kujtoi lidhjet e pronarit të televizionit ku ajo punon me të vëllanë e saj.

“Nuk e gjej krahasimin tuaj me vend pasi nuk kanë lidhje pronarët e mediave me qeverisjen e vendit. Nuk po bëj propagandë. Bëra thjesht një pyetje”, iu drejtua gazetarja kryeministrit.

“Hajdeni këtu të flisni ju dhe ta thoni ju fjalën e fundit”, tha Rama duke u larguar nga konferenca.

Pavarësisht indimidimit që Rama tentoi ti bënte, gazetarja qëndroi deri në fund me fjalën e saj.

Rama me gazetarët para Kuvendit

Në tetor Kryeministri vendosi të merrej me të gjithë gazetarët e politikës para selisë së Kuvendit.

Në një dalje të shkurtër në oborrin e Kuvendit, Rama tha se gazetarët nuk lexojnë, e për rrjedhojë edhe nuk kuptojnë.

“Ju s’keni marrë vesh akoma dhe mund të qeshni sa të doni. Ju u përçoni si një tel bakri që as ka detyrën të logjikojë dhe as ka përgjegjësinë për atë që përçon. Këtë nuk e vendos gjykata dhe nuk keni si ta kuptoni ju për fatkeqësinë tuaj që as lexoni, as përpiqeni të thelloni dhe as nuk doni të dëgjoni për çfarë bëhet fjalë.
Ju kam dëgjuar edhe juve. Ju jeni më të pafajshmit në fakt në këtë histori. Ato kokat e mëdhaja që tundin dynjanë nëpër kulbet e katundit mediatik. E kuptoni që pyetjet tuaja burojnë nga padituria, jeni kaq të paditur dhe mbi të gjitha nuk është ndonjë problem të jesh i paditur se nuk keni detyrën ju të dini gjëra që nuk janë pjesë e formimit tuaj.
Ju jeni për të qarë hallin. Tha ai, po ti si thua? Po ju ku jeni në këtë mes? Ju që paguheni…është detyra ime tju përgjigjem si të më dojë e bardha e zemrës. Ju nuk keni të drejtë të më kufizoni. Është mirë që ju të kuptoni se roli juaj nuk është që të amplifikoni thashethemet. Jeni një amplifikator thashethemesh i paparë.”-iu drejtua Rama gazetarëve./ Faxweb