“Ujku – ujku”! i opozitës. Po a ka ndonjë plan kundër “ujkut”? EDITORIAL

Duhet një alternativë. Për çdo akuzë që bën opozita, që të ketë vlerë, ka nevojë për një rrugë zgjidhjeje. Ditë pas dite dalin përfaqësues të Partisë Demokratike dhe denoncojnë. Të marrim konçensionet. Dhe po marrim më të përfolurin prej tyre, atë të check – up falas për moshat 40 deri 65 vjeç. Në kuvend e studio televizive demokratët nuk kanë lënë rast pa ia numëruar si një nga njollat më të zeza të qeverisjes Edi Rama. Por deri më sot ne nuk e dimë se ç’do të ndodhë kur të vijë në pushtet PD: do ta anulojë? do t’i kërkojë përfituesit të kthejë paratë? do ta mbajë? do të gjejë një formulë tjetër me të njejtin konçensionar? Këtë nuk e ka thënë askush. As për këtë konçension as për plot të tjerë nuk ka që qëndrim për çka do veprojë opozita kur të vijë nesër në pushtet.

Denoncimet në vetvete pa përcaktuar qëndrimin politik a juridik ndaj të keqes s’bëjnë tjetër veç atë që i bën inflacioni parasë: zhvleftësim. T’i thoje dikur “hajdut”, qoftë edhe shokut të brigadës,  dikujt bëhej nami. Sot bëhet nami po të mos ia thuash. Hajdut e kriminel Rama, mafioz Tahiri, hajdut e mashtrues Erion Veliaj, hajdut Ilir Beqaj dhe Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri…. Mirë fare, nuk thotë njeri që s’janë. Por ç’do të bëhet me ta? Po me bëmat e tyre? Nëse thua se konçensioni i shëndetit i dhënë në mënyrë korruptive nga Ilir Beqaj është vjedhje e pastër atëhere na duhet ta dimë ç’do të ndodhë kur në vend të Beqajt të jetë një demokrat, kur tenderat dhe konçensionet e Gjiknurit dhe Ahmetajt t’i ketë në tryezë pasardhësi që sot i demaskon nga foltoret.

Për fat të keq në kulturën shqiptare termat “gangster”, “mafioz”, “bos”, “cub”, “garip” janë komplimenta. Me këtë stilin e denoncimeve pa kokë ka mundësi që në toplist të zenë vende nderi edhe “hajdut” dhe “i korruptuar”, të cilat sot për sot duan të thonë “burra të paaftë për të bërë tjetër gjë përveçse të bëjnë para pa hesap përmes postit publik, pa u hyrë gjemb në këmbë”

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *