Të shkosh në luftë me himnin e paqes (rehatit). Nga Astrit Patozi

Të shkosh në luftë me himnin e paqes (rehatit). Nga Astrit Patozi

Nga Astrit Patozi

I paskam rënë kot më qafë disa të mërziturve publikë me Lulzim Bashën. Sepse deri më sot mendoja se termi “i vonuar”, që ata përdornin për të, ishte pak i rëndë dhe i ekzagjeruar.

Por tani po shoh slloganin e protestës së 27 janarit, i cili qenka frymëzuar nga një këngë e hershme e John Lennon. Atë e paska shpallur Lulzim Basha si një gjetje të veçantë të vetën apo të ndonjë këshilltari jodizastër, pak rëndësi ka.

Kënga i përket vitit 1971, por nuk është mosha e saj që e bën të duket kaq të vonuar Lulin.

As fakti që ajo është një lloj himni Krishtlindjesh dhe u bë një copë kohë që e kemi lënë pas atë festë. Ne këtu ishim gjithësesi, edhe populli i mërzitur nga qeveria, edhe viktimat e narkoshtetit, edhe ata që duan të ikin nga Shqipëria, por nuk kanë mundësi, ndërsa Luli vetë ishte në Holandë.

Jo vetëm për Krishtlindje, por edhe për Vitin e Ri. Tamam si në tekstin e këngës së John Lennon, sepse ai i drejtohet të dyja festave.

Por një Zot e di se pse i ka ngelur mendja tek ajo këngë e vjetër, që i kushtohet paqes, në kohën që po përgatitet të shkojë në luftë? Sepse nuk besoj që Lulzim Basha ka ndërmend ta rrëzojë qeverinë e drogës, duke mbajtur në duar degën e ullirit.

Të jetë bërë Gandhi-st vallë Lulzim Basha, apo është thjesht “i vonuar”, siç thonë prej kohësh disa figura publike?