Si t’a bëjmë fëmijën gjyqtar?!/ Nga Aulon KALAJA

Javën që lamë pas u propozua për miratim një projektligj për ndryshimin e kritereve për hyrjen në Shkollën e Magjistraturës, thënë ndryshe për t’u bërë gjyqtar ose prokuror. Lajmet janë, se për studentët ekselentë, që zgjidhen me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministres së Arsimit dhe Shkencës, dhe që kanë përfunduar jashtë shtetit, nuk ka konkurs. Konkurs nuk do të ketë edhe për studentët ekselentë të Universiteteve shqiptare. Jo vetëm kaq, studentët ekselentë vendas dhe të huaj do të bëhen gjyqtarë dhe prokurorë me kurs të përshpejtuar, që do të thotë, nga 3 vite që është Shkolla e Magjistraturës për ata që e kanë fituar me konkurs, kthehet vetëm në 1 vit për ekselentët.

Pasoja e parë është se, indirekt kushtet për të qënë gjyqtar ose prokuror përcaktohen nga ekzekutivi, nga dy ministrat respektivë Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, që kur lidhen me figurat do të thotë, pas një kompromisi “check and balance”, PS-LSI.

A mund të mendohet një gjyqtar i pavarur, i cili që në krye të herës është i kapur dhe do ia dijë për nder ministrit dhe partisë, përse ka veshur togën e zezë?! Kjo pasojë në kuadër të reformës në drejtësi, rrokullis sistemin dhe cedon kushtet për të qënë gjyqtar dhe prokuror, nga Kushtetuta, tek vendimi i Ministrit.
Pasoja e dytë është se, studentët “jo-ekselentë” do përleshen me një pyetsor të mundimshëm, konkurs ky i bërë traditë që nga viti 1997 për pranimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra, e parë në këtë këndvështrim kemi dy standarte që prishin barazinë.

Kur e gjithë reforma në drejtësi po bëhet për një sistem gjyqësor, i cili në 60% të tij përbehët nga magjistratë të dalë me konkurs dhe i është veshur se sistemit i kanë sjellë korrupsion dhe paaftësi, imagjinoni se si do jetë fytyra e një “ekselenti” të futur pa konkurs, me kurs të përshpejtuar dhe nga ministri. Kjo duket se rrethanat rëndëuese shkojnë në paragrafin e tretë! Më falni, por kjo është zgjidhje. Situata rëndohet në kushtet kur, nuk dihet asgjë për kuotat e pranimeve të ekselentëve dhe “jo-ekselentëve”.

Kjo nuk është iniciativa e parë që c’bën këtë standart të vendosur deri më sot. Në projekt-amendamentet kushtetuese është parashikuar një kurs i përshpejtuar për gjyqtar dhe prokuror “OMG”, që mund të bëhen këshilltarë, ish këshilltarë, ish gjyqtarë, ish prokurorë, e ish kushedi se cfarë! Duket se përjashtimi nga rregulli i nisur nga rrethanat për të punësuar gjyqtarë dhe prokurorë, bëhet rregull. E mesa duket vendet në administratë janë të pamjaftueshme, për të kënaqur elektoratin. Reforma në Drejtësi me të ashtu-shpikurin “vetting process” do jetë telendisës për sistemin, por bark-ngopës për militantët. Kjo do të thotë se, që në fillim procesi është i paragjykuar dhe aq më keq akoma, i paravendosur, sepse do të shkarkohen me një normë të paracaktuar gjyqtarë dhe prokurorë, pavarësisht institucioneve që do krijohen dhe procedurave që ato do kryejnë.
Më kujtohet një bisedë me një berber që punonte në pjesën e bregut.

Në bisedë e sipër me tha se deputeti i zonës, zoti Koco Kokëdhima i kish thënë se do t’a sistemonte në punë, fill pasi të përfundonte “Reforma në Drejtësi”. Në fakt në optikën e berberit, krijohej idea se do hapen vende të reja pune, sepse do shkarkohen disa dhe do futen disa, ku mund të pretendonte dhe berberi që kapte dicka, sigurisht me ndërhyrjen e deputetit.
Aq më e pakuptimtë duket situata edhe nga ana e opozitës, e cila nuk ka bërë asnjë reagim në lidhje me këtë cështje. Së paku ajo do të duhej të mbronte krijesën dhe kontributin e vet, sepse minimalisht i njihen dy arritje të djathtëvë në lidhje me këtë cështje, në kohën kur ata kanë qeverisur. E para është krijimi i Shkollës së Magjistraturës, në vitin 1996, kur Berisha ish President i Republikës së Shqipërisë dhe viti 2008, ku demokratët po qeverisnin vendin tonë, me ligjin “Alibeaj”. Ministri i Drejtësisë së asaj kohe Enkelejd Alibeaj, me ligj përcaktoi si kriter të detyrueshëm, se për t’u bërë gjyqtar dhe prokuror, duhej të fitoje konkursin e Magjistraturës dhe të shkolloheshe aty për tre vite. Por asnjë fjalë!

Liria dhe mesazhi që ka sjellë Shkolla e Magjistraturës në sistemin e drejtësisë është se, ka krijuar premisat që gjyqtraë dhe prokurorë të bëhet kushdo, mjafton të jetë i aftë dhe mos t’ia dijë për nder askujt përvec vetes përse është bërë gjyqtarë dhe prokurë. Dhe Shkolla e Magjistraturës ishte një ndër të paktët institucione më pak të kontestuueshme, kjo edhe për shkak të monitorimit të rreptë prej ndërkombëtarëve. E ndërsa sot konstatohet një hipokrizi e tillë, ndërkohë që projekt-amendamentet kushtetuese vendosin si kusht të detyrueshëm për t’u bërë gjyqtarë ose prokuror përfundimin e shkollës së Magjistraturës, kesaj të fundit me ligj i hiqet konkursi. Futen ekselentë afrofe, me urdha qeverie dhe partie, dhe rikthehet kursi i përshpejtuar i “plepave”, por kesaj radhe edhe nën maskën e qiparisave! Kursi i përshpejtuar të sjell në mëndje ose është reminishencë i plepave, por këta janë gjyqtarë dhe prokurorë qiparisash ose urithë të drejtësisë.

Duket se do të rikthehet “lufta e nuseve” për të kapur notën 10. Fakultetet e Drejtësisë, do bëhen hambari i thashethemeve për nota të pamerituara. Do rritet inflacioni i notës 10, po ashtu edhe cmimi për t’a arrituar atë. Do luftohet që në gjenezë, sepse për të shkuar e për të kapur 10-tën, duhen rekrutuar pedagogë dhe miq të partisë, që të mos kemi probleme. Fakulteti do t’i ngjajë një hambari, ku nota 9, mund t’i conte fëmijët e zyrtarëve në vetvrasje.

Por le të rikthehemi dhe një herë tek historia e berberit, që ju shpjegova më sipër! Deputeti i zonës zoti Koco Kokëdhima ia ka dhënë atë premtim berberit për t’a përcjellë dhe me gjasë do jetë në vazhdën e premtimeve të pambajtura. Sepse në të vertetë ky projektligj i dedikohet elitës dhe bijve të tyre dhe jo shtresës së berberave. E thënë shkurt, kjo lëvizje bëhet që djem e vajza ministrash, deputetësh, gjyqtarësh e prokurorësh që në të shumtën e rasteve janë pyka, tani e tutje do kthehen në ekselentë, e nga ekselentë do të shëndrrohen e katapultohen në gjyqtarë dhe prokurorë. Faktet flasin se ata që kanë fituar Shkollën e Magjistraturës dhe i janë bashkëngjitur sistemit të drejtësisë, nga viti 1997 e deri më sot, nuk janë bij ministrash, deputetësh, gjyqtarësh apo pedagogësh, por djem dhe vajza të thjeshtë të këtij vëndi, sigurisht këtu mund të ketë ndonjë përjashtim të papërfillshëm. Kjo është një përmbysje e madhe.
Por le të të hedhim një shikim në retrospektivë, për të kuptuar se si mund të bëheshe gjyqtar dhe prokuror ndër vite,1944-2016.

Byroja – Plepat – Magjistratura – Partia

Në kohën e komunizmit ishte byroja, partia shtet që të caktonte gjyqtar, hetues dhe prokuror.
Pas rënies së diktaturës dhe ardhjes së demokracisë dhe me zhvillimet demokratike të vendit, u rekrutuan në sistem ata gjyqtarë që kanë marë konotacionin negativ, si “Gjyqtar plepash”. Janë gjyqtarë të përfolur dhe të papërgatitur. Sepse ata përfunduan kurs 6-mujor, i cili nuk të bënte dot plep, e jo më gjyqtar.
Në vitin 1996, u formua Shkolla e Magjistraturës, një shkollë me konkurs dhe që zgjaste 3 vite, e cila pranonte gjyqtarë dhe prokurorë dhe i bashkangjiste në sistemin e drejtësisë.
Dhe vijmë në këtë kohë që po jetojmë. Partia do jetë ajo që do të bëjë pranimet dhe emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Duket pra, se po kthehemi në kohën e parë, vetëm se at’herë të emërontë byroja dhe tani të emëron partia, ose partitë. Pra kursi i përshpjetuar, nuk mjafton dot për t’u bërë qiparis dhe jo më gjyqtar dhe prokuror. Thuhet se aq e madhe do jetë dyndja e ekselentëve që do bëhen gjyqtarë dhe prokurorë, sa që do kërkohen ambientet e Fakultetit të Gjeologji-Minierës, ose mund të bëhen dhe leksione të përbashkëta.

Po përse po bëhet e gjithë kjo përmbysje?!

U pa që kjo mënyrë e funksionimit të Shkollës së Magjistraturës nuk i shërbente qëllimeve të një grupi që deri dje kish shënjuar në këtë sistem. Sepse gjyqësori dhe drejtësia nuk i përkiste më atyre dhe shtrinë tentakulat për rikthim në origjinë, për rimarrje të ofiqeve. Elita e shkuar, kërkon rikthim dhe lavdinë e dikurshme. Që nga 1997 e deri këtej kjo nuk arrihej, por ata gjetën instrumentin që është pikërisht ky projektligj që ka propozuar Ministri i Drejtësisë.

Kur bota po shkon drejt prakticitetit dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, c’do ditë shpiket nga një manual, “Si të gatuajmë”, “Si t’a bëjmë për vete vajzën që duam”, duket se më në fund, doli në treg edhe tek ne, manuali “Si ta bëjmë fëmijën gjyqtar dhe prokuror”, megjithëse ky, ngjan me manualin tjetër “Si të vrasim, veten” …

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *