Shvejku dhe Ndërmarrja e Dekorit si një ridimensionim modern për artin bashkëkohor tiranas

Shvejku dhe Ndërmarrja e Dekorit si një ridimensionim modern për artin bashkëkohor tiranas

Nga Roald A. HYSA

(Ushtari i mirë Shvejk është gjithmonë në shërbim të eprorëve të vet, por në modernitet ai po na shërben një art kitsch të shoqëruar me birra, qofte e aheng. Muret e rrugëve të Tiranës janë zbukuruar me lloj-lloj komikesh ordinere dhe me një pop art vulgar germash të emrave të lagjeve të vjetra tiranase. Art i lirë, aheng i lirë, qofte me çmime të lira, pop art e çdo gjë e lirë.)

Arti është një shprehje e shpirtit njerëzor, ku artisti nëpërmjet ngjyrave, formave dhe perspektivës kërkon të japë më të mirën e vet për ta tërhequr spektatorin drejt një bote më të mirë jo vetëm artistikisht, por duke ndikuar në përmirësimin shpirtëror dhe të shijeve individuale të spektatorit. Veprat e mëdha janë ngritur në nivelet më të larta të interesit të opinionit publik për të tërhequr vëmendjen e njerëzimit për një jetë më të mirë dhe për të krijuar një kujtesë kolektive. Guernika e Pikasos është një paralajmërim i asaj se çfarë mund të ndodhë me eksperimentet ushtarake mbi popullsinë e pambrojtur civile. Po ashtu vepra të ndryshme të mëdha që të fusin në modernitet mund të gjykohen për frymën e lartë artistike që përmbajnë. Ndërkaq e kundërta po ndodh prej disa kohësh në Tiranë, ku një art ordiner e i pavlerë po shfaqet nëpër muret e rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Imitime të pavlera alla Dali në muret e Rrugës së Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, ekspozita të pajeta me në qendër të vëmendjes jetën mu midis Pazarit, muret e pallateve me ornamente qilimash dhe ngjyra të ndezura, lejlekë pa asnjë lloj vlere në Pazar, personazhe komiksash të vendosur nëpër kasetat e telefonisë, pop art kitsch me germat e emrave Ali Demi, Pazari i Ri, 21 dhjetori ju përkujtojnë njerëzve vendbanimet e lagjeve, ku kanë jetuar prej tre ose katër brezash më së paku dhe ekspozita masive për të tërhequr sa më shumë njerëz pranë pazareve e dyqaneve, ku përfituesit e vërtetë janë pronarët e këtyre tregtoreve së bashku me këta artistë. Si për ironi një nga këto vepra kitsch i drejtohet shikuesit me fjalët “You are a sunflower”, pra shih këndej nga unë, unë jam që vendos për shijet e tua. Po lëmë mënjanë këtu muralet e shkollave 9-vjeçare apo edhe të gjimnazeve. Tashmë shijet vendosen si një herë e një kohë nga Ndërmarrja e Dekorit të Bashkisë së Tiranës, ku komiksat janë më të preferuarit e tyre. Një galeri e tërë personazhesh të adaptuara me kontekstin e sotëm shqiptar modern, ku dallon mbi të gjithë Shvejku me një gotë të madhe birre në dorë, një reklamë e domosdoshme kjo për birranat e organizuara me lejen e Bashkisë te Pedonalja e Toptanasve dhe së fundmi edhe te birra partyt në Pazarin e Ri të rindërtuar për kësi gjërash.

Aheng pesë paresh, tym qoftesh, zhurmë deri në mes të natës, mjedis i zbukuruar me art pesë lekë copash dhe mu midis tyre qëndron Shvejku me poçin e birrës në dorë, që lëshon batuta popullore, për të kënaqur miletin e rilindur, i cili ka nevojë për kësi gjërash “për të kaluar një fund jave të këndshme” (po lemë manash këtu shqetësimin e ndotjes akustike dhe acarimin e banorëve nga volumi i lartë). Ndërkaq logoja “Ndërmarrja e Dekorit” është ajo që na i zbulon misterin e këtyre solemniteteve dhe kënaqësinë estetike të përftuar nga ky art kitsch. Popullit mjafton t’i ofrosh diçka, ashtu siç i ofrohej dikur nga barku pjellor i këtij institucioni pjellor të propagandës së kuqe një art ordiner i mbushur me optimizëm fals për t’ua lehtësuar ditën e punës punëtorëve dhe fshatarëve, e për t’i nxitur ata të punonin më fort “për ndërtimin e socializmit”. Tashmë e konstekstualizuar në kohët moderne për t’ua marrë me lezet vëmendjen publikut dhe në kësi lloje festash t’iu zbrazen xhepat festuesve nëpër bizneset e ngritura për këto raste, ku edhe Bashkia nëpërmjet taksave vjel pjesën e vet. Në të dyja rastet është partia-shtet që përfiton pavarësisht rrethanave historike, ku impakti mbi publikun në përfundim të ngjarjeve është po i njëjti, ta mbajmë me gajret dhe të nxjerrim përfitimet maksimale të mundshme në mënyrë të njëanshme. Rrugë njëkalimshe, në finish të së cilës janë thjesht një grup njerëzish me bizneset e tyre përfituesit. Në fund të kësaj historie shkrimtarit Rudi Erebara do t’i duhej ta rishihte edhe një herë veprën e tij tashmë të mirënjohur dhe të çmuar ndërkombëtarisht “Epika e yjeve të mëngjesit” në kontekstin më të fundit, ku Shvejku me poçin e birrës do të ishte një personazh tejet i vlefshëm për vazhdimin e romanit të tij.