Rrënimi i Maturës Shtetërore. Nga Profesor Bardhyl MUSAI

Matura Shtetërore u zbatua për herë të parë në vitin 2006, si rezultat i degjenerimit të konkurseve të pranimit të universitete, kryesisht për shkak të korrupsionit, përmbajtjes së papërshtatshme dhe të organizimit të dobët. Ishin të parët maturantët, të cilët kishin humbur besimin te procedura e konkurseve dhe kërkuan ndërhyrjen e Qeverisë. Zbatimi në vitin e parë, për të cilin përgatitjet u bënë në një kohë të shkurtër, qe mjaft i suksesshëm, madje u përshëndet nga nxënësit, qytetarët, nga Komisioni Europian dhe u përfshi në raportin e progresit për Shqipërinë.

Nga viti në vit Matura Shtetërore fillojë të zbehë entuziazmin e fillimit, pasi metodologjia e prapambetur në mënyrën e ndërtimit dhe vlerësimit të testeve nuk arritën të përmirësohen, përqendrimi ende te riprodhimi dhe hamendësimi, apo te bota subjektive në pyetjet e letërsisë; shumëllojshmëria e testeve, rreth 60, për profile të ndryshme të shkollave, shtoi subjektivizmin dhe mënjanoi vlerësimin objektiv të dijeve; shumëllojshmëria e testeve për lëndët me zgjedhje numri i të cilave arriti deri
në 27 e dëmtoi seriozisht procesin.

Administrimi evidentoi të meta, keqpërdorime dhe abuzime jo të pakta, disa prej të cilave dihen tashmë pasi janë bërë publike. Në vend që këto të meta dhe abuzime të riparoheshin, duke marrë masa ndaj atyre që i shkaktuan, por edhe këtu si për mjaft raste të tjera në këtë vend, mbizotëroi kultura e pandëshkueshmërisë. Masat që u morën për të disiplinuar administrimin, nuk e përmirësuan atë, madje edhe kontrollet gati policore, me përdorimin e dedektorëve për aparatet e telefonave celularë, nuk dhanë efektin e pritshëm.

Gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçare të zbatimit të Maturës Shtetërore, është shkruar e folur shumë, janë mbajtur qëndrime kritike, janë dhënë propozime, disa konstruktive, por në disa raste është tejkaluar masa dhe janë përdorur edhe etiketime, përtej edukatës qytetare dhe etikës profesionale, të tilla si; krim i organizuar, procedurë e dështuar, eksperiment pa vlerë etj. Këtu ka një keqkuptim që buron nga mosnjohja e qëllimeve të Maturës Shtetërore dhe nga një këndvështrim i ngushtë dhe egoist duke e lidhur atë vetëm me pranimin në universitete. Mangësitë në zbatim, administrimi i dobët, diletantizmi në hartimin e tezave dhe korigjimi i pasaktë e me gabime në mjaft raste, nuk mund të venë në dyshim Maturën Shtetërore, por ato janë arsye të mjaftueshme për përmirësime të vazhdueshme të saj.

Matura Shtetërore është procedurë standarde që ka ndërtuar bota e përparuar dhe ekziston në pothuaj
të gjitha vendet e Europës. Në vende të ndryshme ajo ka emërtime të ndryshme, por ka të përbashkët realizimin e qëllimeve të cilat janë: (a) mobilizimi i rinisë për të përballuar sfidat e së ardhmes, (b) sistemimi i njohurive të mësuara, të ndërtuara dhe krijuara në vitet e shkollës së mesme, (c) ushtrimi i përgjegjësisë së shtetit për cilësinë e shërbimit arsimor që ofron përpara qytetarëve si taksapagues, ku përfituesit e këtij shërbimi janë nxënësit. Qëllimi tjetër i Maturës është, (d) të shërbejë edhe si mekanizëm për hyrjen në universitete. Pra nota e Maturës Shtetërore është e besueshme dhe e bazuar në një standard kombëtar, ku nxënësit vlerësohen dhe krahasohen me njëri-tjetrin në shkallë vendi.

Pikërisht këto qëllime që realizon Matura Shtetërore, e bën atë institucion serioz dhe Ministria e Arsimit ka për detyrë që ta rritë besimin e publikut për të dhe jo të merret me deklarata kundërthënëse, të paqarta dhe profesionalisht të pasakta në ndonjë rast, që defektet në zbatim t’i quajë si procedurë e dështuar. Matura Shtetërore duhet të shndërrohet në institucion prestigjoz me besim të palëkundur te të gjithë.

Përballë këtyre çrregullimeve, Ministria, që nga fillimi, përjashtuar vetëm vitin 2009, u ka hequr të drejtën e maturantëve për ankimim kur testet u korigjohen me gabime. Neni 28 i rregullores, viti 2015, pika 8 shprehet: ”Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve, me një kërkesë drejtuar KShMSh-së, e cila do t’i kthejë përgjigjen. Afatet e kërkesës përcaktohen me udhëzim të veçantë të Ministrit. Proces rivlerësimi të testit nuk do të ketë.” Në çdo vend demokratik, e drejta e ankimimit apo rishikimit për një procedurë është e pamohueshme.

Absurditeti qëndron në atë se mund ta marrësh fotokopjen, ta vëresh se ta kenë korigjuar gabim, por në fund merr përgjigjen: “Ke të drejtë, por nota nuk ndryshon!” Kjo procedurë, nuk është as demokratike, as profesionale pasi penalizohesh padrejtësisht për gabimin që bën shteti, madje edhe pa të kërkuar kush falje. Për më tepër, të rinjtë pësojnë zhgënjim ende pa filluar përballjen me jetën, se edhe kur kanë të drejtë, shteti i tyre nuk ua njeh atë. Në të gjitha vendet ku zbatohet Matura Shtetërore, kandidati i cili është i pakënaqur me vlerësimin e testit të tij ose të saj, ka të drejtë t’i kërkojë bordit, a një strukture tjetër të provimit, vlerësimin e testit. Nëse bordi zbulon se në vlerësim është bërë ndonjë një gabim, atëherë ai korrigjohet.

Këto vite të fundit, është artikuluar shpesh nga politika ideja se Matura Shtetërore nuk mund të vlejë si procedurë për në universitete, e prandaj do të ndryshojë. Janë bërë deklarata të shumta herëpashere se Matura Shtetërore tashmë është dalëse dhe jo hyrëse, si kjo: “Matura Shtetërore do të jetë edhe në vitin akademik 2016-2017, por do të ketë ndryshimin që është maturë që përmbyll apo certifikon ciklin e arsimit parauniversitar. Do të ketë procesin e vet dalës dhe nuk do të jetë e lidhur me procesin e hyrjes në universitet. Kjo do të thotë që sivjet do të jetë matura që ka qenë. Mot do të jenë provimet e maturës që certifikojnë, që kanë mbyllur një cikël studimi, por nuk do të jetë me procesin e rankimit dhe përzgjedhjes së universiteteve”. (Lindita Nikolla, gazeta Sot, 12 maj 2015)

Në të vërtetë Matura Shtetërore mbetet dalëse dhe hyrëse, përderisa pranimi i studentëve në universitete nuk bëhet me konkurs, por përdoren, si edhe më parë, rezultatet e Maturës. Ka ndryshuar vetëm raporti i mesatares dhe përzgjedhja e lëndëve që parapëlqen çdo fakultet. Pra, notat e Maturës përbëjnë kriterin bazë për pranimin në universitete. Pra Matura është ajo që ka qenë këto vite, edhe dalëse edhe hyrëse për në universitet, pavarësisht deklaratave, se duke filluar nga ky vit do të jetë vetëm dalëse.

Matura Shtetërore, ashtu sikurse edhe shumë procese të tjera gjatë këtyre viteve, ka përjetuar një tranzicion të tejzgjatur, i cili edhe pas dhjetë vjet zbatimi, nuk ka përfunduar, është e pastabilizuar. Çdo vit maturantët presin udhëzimin në janar, shkurt apo mars, se çfarë do të ketë Matura Shtetërore e atij viti për ta. Rregullat e lojës janë ndryshuar pothuaj çdo vit. Ministria ka detyrimin që nxënësve t’u japë katalogun e Maturës Shtetërore (i cili asnjëherë nuk është hartuar), të paktën dy vjet përpara provimeve, me qëllim që të bëjnë zgjedhjet në kohë dhe jo sipas improvizimeve të Ministrisë. Kjo praktikë është standarde në vendet që zbatojnë Maturën Shtetërore e që janë më të zhvilluara se ne.

Të ndryshosh rregullat në mes të vitit mësimor është e papranueshme. Ndyshimet e ndjeshme që pësoi Matura Shtetërore këtë vit nuk mund të pranohen nga nxënësit maturantë dhe prindët e tyre. Ata e kanë filluar shkollën me rregulla të tjera dhe tani vetëm katër muaj përpara provimeve ato ndryshojnë. Kjo quhet pabesi ministrore. Në çdo vend demokratik nxënësit dhe prindët, nuk pranojnë ndryshime të tilla. Por, edhe nëse ka përpjekje të tilla, atje ka organizim qytetar dhe gjykata, të cilat e bëjnë funksionale demokracinë. Arsimi, si e mirë publike, mbahet me taksat e prindërve të nxënësve dhe ata që menaxhojnë këto taksa nuk kanë të drejtë të dëmtojnë interesat e atyre që paguajnë për këtë shërbim.

Dhjetë vjet kaluan dhe ende Matura Shtetërore nuk është stabilizuar, ajo përjeton tranzicionin e zgjatur. Ndryshimet e befta nuk rreshtin. Edhe sa kohë do të vazhdojmë të dëgjojmë dhe të lexojmë statuse të nxënësve, si ai i maturantes Majlinda: “Mbi ne eksperimentohet çdo vit.”?

Comments

Ne i duam komentet

3 Comments

  1. June 26, 11:25 #1 RONALDO DEMHASAJ

    JAM PLOTESISHT DAKORT ME JU

  2. June 26, 11:27 #2 RONALDO DEMHASAJ

    DAKORTESOJ PLOTESISHT ME JU SEPSE SISTEMI YNE PARAUNIVERSITAR I VLERESIMIT ESHTE I DEGRADUAR DHE ASPAK I PERFILLSHEM ……JAM NJE NXENES I EKSELENCES DHE SKAM TE DREJTE TE KERKOJ NOTEN TIME POSHTERUESE

  3. June 27, 15:05 #3 Structural

    Skema e vleresimit te provimit te matematikes me zgjedhje u publikua gabim nga AKP dhe korrigjua vetem diten e neserme pasi vete nxenesit ne rrjetet sociale ju evidentuan gabimin???????

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *