Reformat, opozita dhe teorema e qimes…. Nga Armir SHKURTI

Në tren. Një psikolog po shihte prej në cope here pasagjerin përballë që luante me një qime të spërdredhur. E tërhiqte dhe e lëshonte papushim. Dikur, kur vështrimet iu kryqëzuan, psikologu e pyet:

– Nga stresi e ke?

– Jo! Nga koqet! – përgjigjet pasagjeri.

Si puna e kësaj qimeje është dekriminalizimi, reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore. Si puna e këtij pasagjeri është opozita sot. Dy vjet me tërhiq e lësho qimet e  dekriminalizimit. Se ndodhën përmbytje, abuzime, padrejtësi, raprezalje, pushime nga puna, burgime, shpronësime, falimentime, konçensione e më the e të thashë, këto kaluan me konferenca për shtyp dhe kaq.

Tani jemi tek qimja tjetër, ajo e reformës në drejtësi. Tërhiq e lësho, tërhiq e lësho, tërhiq e mos e këput…po merr edhe kjo kohën e vet e siç duket do ta kapë vjeshtën. Në vjeshtë, do – s’do, do të merremi të gjithë me qimet e tretë: reformën zgjedhore, me të cilën shtyhet bukur udhëtimi deri në stacionin e fundit, atë të zgjedhjeve.

Në PD gjallon një grupim i rëndësishëm burokratësh, ish funksionarë, që janë mbështetësit më të fuqishëm të teoremës së qimeve. Mes tyre gjendet edhe grupi i atyre që me dhjamosjen gjatë qeverisjes së PD – së e çuan këtë parti në opozitë. Ardhja vërdallë me këto qimet për ta është ideale. Së pari një herë, se bie shi, se ka diell, ligjet e reformat bëhen zyrave me kondicionerë , bëhen më nge dhe, kryesorja, pa çarë dërrasat me militantët e uritur e revoltuar. Së dyti, nuk ka mjet më të artë për të qenë para kamerave, e për rrjedhim edhe në qendër të vëmendjes e sa më afër listës për pushtetin e ardhshëm. E treta, në të treja këto qime ka lekë. Ekspertiza, konsulenca, mendim, që të gjitha paguhen.

Ky lob është rreziku sot. Nuk janë të vetmit, natyrisht. Ëmbël u vjen dhe të tjerëve, të paaftëve apo atyre që u shpëlahet truri dhe  që presin llokumin e pushtetit. Ku ka si zyra dhe kafja në oborrin e PD -së? Është pikërisht ky grupim që sot me kast “aksioni politik” e përkthen në çast me “protesta të dhunëshme”. Janë këta që herë e pëshpërisin e herë e thonë me zë të lartë: “Pse, opozitën e Berishës do bëjmë ne”? Bëjnë sikur nuk dëgjojnë e fare nuk kuptojnë kur dikush u thotë se aksion politike nuk do të thotë vetëm protestë. Përkundrazi, ajo vjen e fundit dhe vjen vetvetiu nëse duhet. Sot këtij tarafi i kërkohet thjesht të ngrenë prapanisat e të shkojnë të takojnë njerëz, të dëgjojnë me kujdes hallet e problemet e të ndërtojnë kauza të opozitarizmit si dhe të marrin edhe de fakto rolin e partisë kryesore të opozitës. Përfaqësim dhe prezencë.

Ndërkohë që Shqipëria vlon. Në çdo derë ka nga një hall e nga një kauzë që ulërin e kërkon prijës. Kushmos po fut lugën e po ngopet duke përfituar pafundësisht prej tyre. Vetëm partia kryesore e opozitës ende jo.

Ditët e fundit kryetari Basha ka zbritur nëpër fshatra e qytete dhe kjo është gjë shumë e mirë. Por ai drejton një parti e nuk është mesia që endej vetëm. Ndërsa kryetari është në Vlorë, kryesia duhet të qe përditë në Tropojë e Gjirkokastër, Shkodër e Korçë, Pukë e Ersekë e jo të luajnë me qimen në kafenenë e partisë e ato të lagjeve. I pari mbetet besimi. Pa e ndjerë gjithë shqiptarët se PD e ka me tërë mend pushtetin kësaj rradhe e pa u thirrur demokratët në aksion serioz, loja me qimet do të vazhdojë të mbetet alibia e kohës dhe shanseve të humbura të  opozitës së sotme dhe garancia për opozitë të gjatë për nesër.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *