REAGIM NDAJ REAGIMIT. Nga Sazan GURI

Prej kaq kohësh në ballafaqimet publike me të fortët e biznesit dhe të politikës, me problemet që kanë lindur nuk kam patur frikë për sigurinë që kisha, se kurrë nuk kam bërë marrëveshje apo pazare.

Të ishte e vërtetë, si mendoni ju qytetarë, a do të ma falnin ata haraçin. Kjo për faktin se politika që kemi goditur pa anë e skaj, a nuk kanë lidhje me TV. Ndërkohë që është e vërtetë që në debatin me Kryetarin e Bashkisë për herë të parë në ballafaqimet e mia u ndjeva ngushtë për çfarë dëgjova, sepse më kapi dilema sesi kam punuar për 12 vjet dhe çfarë po më thuhej. Djersitja e çastit nuk ishte nga ato që dëgjoja, por nga ato që do të përthyenin qytetarët pas emisionit, ndaj ajo (djersa) vetreagoi për çka i ndodhi. Dhe nuk më zgjati shumë. Zoti më ndihmoi dhe e kalova shpejt, pastaj më kapi dilema tjetër, nëse mund t’i kthehesha me të njëjtin monedhë apo jo, që më bëri të mos i përgjigjesha akuzave, ashtu si me të drejt e donte qytetari.

Pastaj mendova se nuk ka mundësi, që qytetarët të besojnë, sepse më njohin. Por jo s’më paskan njohur ose bëjnë sikur s’më njohin. 70% e tyre e besuan te ato që në jetën time prej 60 vjeçari kurrë nuk i kam pasur, por siç thotë Pukëvilli: “Kush mposhtet nga dëshira që të ndodhë, ashtu siç i pëlqen atij, e lejon veten të gënjehet.

Për pakëz profil, mund t’ju thoja juve që dyzoheni se kam 13 vjet privat, dhe drejtoj së bashku me time shoqe një studio për projekte në mjedis e gjeoshkencë. Ndër 2000 ekspertë me licensa mjedisore, ne e shumë pak si puna jonë jemi të organizuar si studio me QKL e QKR, që tregon shkallën më të lartë të transparencës ndaj shtetit, që d.t.th se kemi bllok tatimor dhe jemi të lidhur me APP, në të cilën aplikojmë 20 herë dhe arrijmë të fitojmë një herë tender ‘online’ të blerjeve të vogla. Punë më të qëruar me shtetin nuk ka, sepse çdo gjë është e kontrolluar me kontrata, me fatura e me banka. Dhe një pjesë shumë e vogël e studimeve tona janë me porosi nga Bizneset për Raporte të Ndikimit në Mjedis, si ekspert të pavarur, që sipas ligjit vetëm këta duhet t’i kryejnë, më pas Ministria e Mjedisit lëshon lejet përkatëse mjedisore. Vetë Raporti mjedisor, kurrë nuk ndalon apo lejon zhvillimet ekonomike, por thjesht i gatit bizneset që të marrin masat për ndikime sa më të ulta në mjedis.

Si në gjithë botën, këtë raport e porosit Kompania, por rregullat që ne mjedisorët përshkruajmë janë standarde botërore, dhe nëse nuk i mbush mirë ato kthehesh nga Ministria e Mjedisit, deri sa ti e plotëson sipas kërkesave jo të Biznesit, por të standardit dhe mandej del leja mjedisore.
At’here, a qendron ajo që tha Kryetari që ti jep leje mjedisi për zgara e qofte. Po kush jam unë? Punonjës Ministrie? Përkudrazi, ne lodhemi, jo për ta bërë studimin, por për të mbushur rregullat që kërkon Ministria. Ja pse djersitesha te fjala fyerje e Kryetarit, sepse mendoja, si mundet që një punë me të cilën ushqehemi si familje, ku me taksat tona e paguajmë atë, dhe ai me paturpësinë më të madhe na i kthen punën si mjet allishverishi, ku shkruajmë sesi qoftet e zgarat të mos ndosin, sepse kjo është detyra e vetme e një eksperti.

Fyerje tjetër më e madhe ishte se ti ndan me djalin. Prap mendova t’ja them apo jo, që je pa shkollë e pa diploma dhe djali im me status nëpunës civil, me 11 vjet shkolla të larta (juridik, gjeografi mjedisi dhe doktoraturë) apo mos të bie në nivelin e tij. 30% e sondazhit thonë bravo të qoftë që nuk re në nivelin e tij dhe kështu fitoi qytetaria e ardhmja. Shumica atë donin, duelin. Dhe kjo shumicë hëngri një gjë tjetër, edhe më të rëndë, se unë ndaja punë me djalin, kur ky djalë punon si specialist i thjeshtë në një drejtori dhe vetë Bashkia nuk ka lidhje me pritje punërash mjedisore, që ky djalë i merr dhe i çon te babai. Të ishte në Ministri Mjedisi ‘për show’ edhe mund ta thoshje.

Edhe këtë, qytetarët që nuk na duan për ato që bëjmë, e hëngrën dhe nuk menduan për asnjë çast, se ky Sazani, duke qenë se ka djalin, si e kundërshton Kryetarin për ndërtimet nën digë, për parkinget nëntokësore dhe për ndërhyrjet në Park. Në fakt, djali dhe familja m’u lutën, mos burrë e mos ba, dhe unë duke qenë trap, vura kauzën mjedisore mbi familjen, dhe me besimin se nuk kam asnjë cen në të kaluarën nuk ngurrova të vija në një emision për përballje, megjithëse me kurthe. Fare mirë mund të luaja si kolegët e tjerë. Fare mirë mund t’i vija në takim Kryetarit, kur thiri ambientalistët. Fare mirë mund t’i vija në një takim, kokë më kokë, dy ditë para dhe të bëja marrëveshje, mos më ngacmo dhe nuk të them gjë. Askush s’do e merrte vesh. Shpëtova shpirtin, por humba ca qytetarë, po në fakt humba ata që iu pëlqente të mashtroheshin. Humba ata, që si shushunja i vijnë vërdallë këtij vendi. Humba ata, që e pranojnë të jenë krimba dhe nuk e kanë problem të shkelen me këmbë.

Askush nuk u mor me qëllimin e luftës që bëj, ku për 12 vjet, qysh nga 2004, me ndalimin e importit të plehrave, pastaj me ndalimin e tec-eve dhe petroliferave (2005-2006), me ndalimin e zënies së hapësirave publike dhe të gjelbërta në Tiranë (2007-sot), me ndalimin e projektit “pallatet e gurta nën digë”, ku filloi krisja me Kryebashkiakun Rama dhe Kryetarin aktual (ky burrë me fytyrë civile që shihni ju sot më kërcënonte se do të çoj si mbetje në Sharrë-2008), me stisjen e moratoriumeve për ndalimin e gjahut dhe prerjen e pyjeve (2010-sot), me ndalimin e zënies së Namazgjasë (2013), me ndalimin e armëve kimike (2013), me ndalimin e marrjes së ujit në Radikë e Vjosë (2014-2015), me ndalimin e prerjeve të pemëve te rruga e Elbasanit (2012) dhe së fundi me ndalimin e ndërtimeve nën digë (2013- sot), ku për secilën nga këto kemi zbuluar ngjarjen si Zyrë Qytetare e Mbrojtjes së Mjedisit, e kemi lobuar atë, më pas e kemi protestuar atë deri në organizim tryezash me shkëncëtarë e qytetarë dhe me dërgim letrash te Personat Drejtues të Shtetit.

Të gjitha këto pa pikën e projektit, pa pikën e financave, veçse me energjinë e ZQMM, dhe dashamirës që paguanin ndonjë sallë. Të gjitha këto më mjaftonin për t’iu mos përgjigjur çështjeve personale, por të vazhdoja të mbroja kauzën. Kë kauzë do thoni ju? Atë që iu kam prishur punë shumë personave të pangopur me babëzi, shumë të tjerëve të ngopur me rehati. Nuk thuhen ndër shkrime ç’më kanë ofruar, por di të them: se pasi u lodhën, duke me prurë njerëz të fortë, e unë që ‘dhëmb për dhëmb’ iu thoshja se kam vdekur njëherë, e jam ngjall me “shok elektrik’ e zëre se jetova aq; se pasi më ofruan joshjen me apartament, të cilëve iu jepja një shprehje përmendësh se jam trap, jam i çmendur për mbrojtjen e mjedisit, mos u merrni me mua; se pasi, me joshje të paparë financiare, ku më thoshin vetëm ti mos fol, çfarë të duash të japim, më së fundmi arritën dhe e stisën me emision. Ku Kryetari i tanë publikut u soll si individ i rëndomtë me zhargon herë vulgar si një gangnster dhe herë i përpunuar Gëbelsian, njeriu i dytë i historisë së nazismit. Vetëm një shprehje e Eminguejit te “Plaku dhe Deti” vazhdon e më frymëzon, ‘the man can be destroyed, but not defeated – njeriu burrë mund të lodhet, por jo të mposhtet’.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *