Politika e tranzicionit, vdekuri dhe i gjalli që kalbin vendin. Nga Armir SHKURTI

Çdo qenie a proçes e ka një cikël. Lind, zhvillohet dhe vdes. Sidomos ato proçese që kanë lidhje me njeriun. Tranzicioni në vetvete do të thotë “kalim”, “shndërrim” dhe vetvetiu ky kalim nga një gjendje në një tjetrën nuk mund të jetë as i gjatë, pale i përjetshëm.

Nuk them gjë të re kur rikujtoj se tranzicioni polli klasën përkatëse politike, ashtu siç mizat e uthullës mbijnë papandehur sa hapet një shishe verë. Por tranzicionit me kohë i ka ardhur ngordhja, është i vdekur, por e mban ende mbi dhê pikërisht kjo klasë politike që refuzon t’i shkojë pas kufomës së tranzicionit. Ky i gjallë me të vdekur bashkë kanë kohë që sëmurin vendin. Korrupsioni tashmë është edhe mjeti edhe qëllimi. Vet zgjatja e lëngatës për të mbajtur pushtetin përmes të cilit të shtosh palat e parave është korrupsion. Nuk po vazhdoj me të tjerat që dihen, siç janë për rrjedhim infektimi i drejtësisë, zgjedhjeve, shoqërisë civile etj…

E rrallë dhe i fortë është mesazhi i SHBA. Praktikisht kanë vendosur embargo pikërisht për korrupsionin dhe hajdutët. Të korruptuarit nuk marrin vizë për në Amerikë! Do të thotë se zullumi është trashur deri në pikën e këputjes.

Si në lojrat elektronike jemi në çastin kur lojtari o digjet o kalon në nivelin tjetër. Po a do digjet kjo politika e tranzicionit? Kushtet janë pjekur, si në vitin 1990. Jemi po në atë dekadencë të regjimit, diskreditim të politikës, korrupsion e prepotencë të pushtetit dhe  varfërim e humbje shprese për masën.

Ligji i dekriminalizimit dhe reforma në drejtësi ishin dy mundësi që Shqipëria ta mbyllte tranzicionin me bisturi, siç e bëri Italia në vitet ’92 – ’93 me operacionin “Duart e pastra”. Duket se ky shans është në humbje e sipër për shkak se as njëri e as tjetri ligj nuk po i shkojnë në zemër problemit por po i bëjnë kozmetikë sistemit. Po kjo politikë e tranzicionit po vendos dhe po vendos për të vazhduar të zgjasë jetën e saj dhe agoninë e tranzicionit.

Çdo ditë që kalon me klasën politike që zvarritet për mbijetesë me tranzicionin e vdekur e në dekompozim e sipër mbi shpinë prodhon të këqija mbi të këqija. Nëse s’ikën me një Deus ex machina ka të ngjarë që shumë shpejt të kemi njerëzit në rrugë, si në vitet ’90, pa kokë e pa drejtim, e atëhere e keqja ka për të qenë edhe më e madhe

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *