Panairi apo funerali i librit – Nga Ergys Mërtiri

Panairi apo funerali i librit – Nga Ergys Mërtiri

Për Civitas.al nga Ergys Mërtiri

Panairi i librit gjatë këtij viti po vjen më i varfër se kurrë. Organizatorët e tij thonë se gjatë këtij viti ka më pak tituj të rinj se kurrë më parë, më pak shtëpi botuese pjesëmarrje dhe pa asnjë sponsorizim. Ministria e Kulturës mbetet vetëm e pambështetur nga asnjë kompani apo institucion tjetër shtetëror apo privat. Për librin nuk interesohet kush më në këtë vend.

Por nuk është kjo më e keqja. Drama e vërtetë qendron tek zhdukja e lexuesve. Shoqata e botuesve thotë se tirazhet kanë rënë në nivele drastike dhe se kanë arritur të nxjerrin libra deri në 200 kopje. Nuk dijmë sa prej këtyre kopjeve, arrijnë të shiten, por kjo do të thotë se ky panair të ngjan më shumë si një funeral i librit. Dhe kjo nuk është thjesht një rënie momentale. Botuesit thonë se rënia ka ardhur duke u rritur nga viti në vit dhe duket se, më keq do të bëhet. Lexuesi ka humbur interesin e nuk afrohet tek libri. Dhe ky është një ogur i keq.

Në fakt, alarmi për rënien e lexuesve është nexur prej kohësh kudo në botë. Zhvillimi i teknologjisë së komunikimit, e sidomos argëtimit ka qenë një zhvillim vrastar për shoqërinë moderne duke iu vjedhur njerëzve kohën e leximit, mësimit apo të menduarit. Televizioni, kinemaja, por edhe interneti po shkatërrojnë aftësitë e njeriut për të mësuar e menduar.

Megjithatë, në vendet e zhvilluara, njerëzit mundohen të mbahen sado pak. Kuzhdo që ka udhëtuar nëpër Europë e di që, nëpër trena, tramvaje apo metro, duke shkuar në punë apo kudo, njerëzit mbajnë me vete përgjithësisht ndonjë libër, për të përfituar në kohë. Kjo nuk ndodh në Shqipëri. Infeksionet e botës moderne ne i kemi marrë me doza katastrofike.

Me këto ritme, ne do të kthehemi, dhe kemi filluar tashmë, në një shoqëri injorantësh, ku padituria do të sundojë në mënyrë të frikshme. Po rrisim një brez që i ka sytë vetëm tek qefi, argëtimi, parazitizmi, paratë, seksi dhe makinat e bukura. Nëse nuk kultivojmë asnjë vlerë, e ardhjma nuk mund të jetë aspak premtuese. Civitas.al

Share this...
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInPin on PinterestShare on TumblrEmail this to someone