Në 70 vjetorin e Vilson Blloshmit, shkëlqen vetëm krimi i Diana Çulit

Në 70 vjetorin e Vilson Blloshmit, shkëlqen vetëm krimi i Diana Çulit

Sot është 70 vjetori i Vilson Bloshmit, poetit të ri të talentuar, të vrarë nga diktatura në mënyrën më të shëmtuar, së bashku me poetin tjetër Genc Leka.

Ai u dënua me vdekje në moshën 29 vjeç pa asnjë arsye. Motivacioni i dënimit të tij ishte për shkak se poezitë e tij, natyrisht të pabotuara, u konsideruan armiqësore dhe në kundërshtim me standardet stilistike e estetike të vendosura nga censura. Dhe për këtë, sipas kasapëve që drejtuan Shqipërinë e asaj peridhe, që nga hetues e gjyqtarë e deri tek shkrimtarët që përgatitën dosjen, ai duhej pushkatuar.

Ky përvjetor i Vilson Blloshmit vjen sot në harresë të plotë nga shoqëria shqiptare. Asnjë përkujtim, asnjë ceremoni, ndërsa njerëzit e atij regjimi, përfshirë edhe vrësësit e tij, gëzojnë sot të gjtha të mirat, madje dhe privilegjet e demokracisë.

Diana Çuli, ishte një nga personat që mori pjesë në përgatitjen e dosjes që i dërgoi të dy poetët në pushkatim. Ajo përgatiti recensën që vërtetonte përse poezitë e tij ishin armiqësore ndaj regjimit, e cila u përdor nga gjykata si provë për ta dënuar si armik. Nëse i lexon sot ato poezi, nuk arrin ta besosh dot as që aty kish diçka për t’u qortuar, lëre më për t’u dënuar me vdekje.

E vënë me shpatulla pas murit nga shumë njerëz në opinionin publik, ajo u detyrua të pranojë të vërtetën, disa vite më parë duke pohuar se ndjente keqardje mbi çfarë ndodhi, por se asokohe kish qenë vajzë e re dhe për më tepër nuk e kish ditur që ai do të dënohej me vdekje. Në fakt, ajo i tha këto vetëm pas reagimit të disa shkrimtarëve dhe intelektualëve të cilët e vunë vërtetë në pozitë.

Por sidoqoftë, justifikimi pas moshës së re është i papramueshëm pasi nuk ka qenë minorene dhe pretendimi se nuk e ka ditur se do dënohej me vdekje, është një argument i shëmtuar pasi, të gjithë e dinin në atë kohë se çfarë të priste pas akuzave të tilla, si ato me të cilat znj. Çuli po akuzonte kolegun e saj: Në mos pushkatimi, ajo ka qenë e sigurtë që po e dërgonte Blloshmin në një ferr të përjetshëm, burgjeve të regjimit.

Natyrisht, znj. Çuli i arriti privilegjet  për shërbimin e kryer ndaj Partisë, duke e vaditur karrjerën e saj me gjakun kolegëve, shumë herë më të zotë e më të talentuar. Ajo u bë redaktore e gazetës Drita dhe përveç botimeve, vuri në skenë edhe skenarin e tre filmave. Partia dinte të shpërblente për shërbimet. Dhe di ta bëjë këtë ende.

Ajo sot gëzon frytet e një kariere të suksesshme, duke qenë një shkrimtare e promovuar, drejtuese e një emisioni televiziv për kulturën dhe një aktiviste e të drejtave të grave, e mirëmbështetur me projekte OJQ-shë. Ajo ka qenë gjithashtu përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës si dhe presidente e Federatës Shqiptare të Grave.

Genc Leka dhe Vilson Blloshmi sot treten në dhe, të harruar plotësisht nga shteti dhe elita kulturore, ndërsa familjarët e tyre enden kryesisht nëpër emigrim, të pamundur për një jetë normale në “saharanë” që përpiu jetët e dy të rinjve të talentuar, si dhe fatet e trishta të mijëra të tjerëve si ata. /Civitas.al