Mos nxorri sytë në vend të verë vetulla sot Blushi? EDITORIAL

Nëse ndjek logjikën e Ben Blushit ka nja dy gjëra që logjika e njeriut të zakonshëm, madje edhe atij ndoshta pak më lart, nuk i rrok dot, se sikur nuk qëndrojnë. Le ti marrim me rradhë:

1 – Ben Blushi akuzon Edi Ramën se, bashkë me një grup të vogël, ka uzurpuar Partinë Socialiste dhe “po qeveris si Saliu”

2 – Ben Blushi kërkon që nga Rama dhe ky grupim të votohet edhe ai vetë për kryetar të PS.

3 –  Kongresi me unanimitet vendos që kjo çështje të zgjidhet me referendum

4 – Në fund të Kongresit, të lumtur e të kënaqur, edhe ata që Blushi i quan “njerëzit e Ramës” kënduan “lavdi” për demokracinë në partinë e tyre.

Nëse Edi Rama ka shkelur 40% të statutit të partisë së tij – siç tha Blushi – dhe ka ndryshur liritë e ka shuar demokracinë e brendëshme, ç’garanci ka ky deputet se votimet nga ky “Saliu” i tij do të bëhen të ndershme e prej tyre do të fitojë Ben Blushi? Se besoj që në garë ka hyrë për të fituar e jo për theatër. Pasi , nëse nuk është ky qëllimi dhe bindja e tij, domethënë që fiton garën, atëhere as ky djalë nuk është më i mirë se ai që kemi sot në krye. Do të thotë se po luan me emocionet e socialistëve thjesht për t’u nxjerrë nga zemra Edin e për të hyrë vet aty. E këtu do të qe pikë për pikë si ai tjetri. Por le të vazhdojmë të mendojmë se Blushi është në qëllimmirë, që po lufton për demokraci brenda partisë së tij dhe do të shporrë tiranin Rama për të drejtuar pastaj socialistët e vërtetë si socialist i vërtetë:

Vetëm 6 delegatë kundër referendumit brenda PS. Çfarë uniteti!!! Si në kohët e vjetra, e gjithë partia , si një trup i vetëm, vendosi që çështja të kalojë në referendum. Në këtë referendum socialistët do të pyeten nëse duan të votojnë që Ben Blushi të kërkojë karrigen e Ramës. Po cilët socialistë? Vet Beni na tha para ca netësh tek Çani se një shok i mirë socialist i kishte kërkuar që meqë i përgjohej telefoni, ta merrte ky në telefon e ta kundërshtonte që përgjuesit ta raportonin këtë tek Edi, ky ta merrte me sy të mirë e t’i fuste djalin në punë. Po aty Blushi pranoi botërisht se socialistët janë të terrorizuar e shantazhuar. Pra këta do të pyeten në referendum. E do trimërohen më 9 prill? Si zorr!

Ka të ngjarë që atë ditë të kemi një festë të vërtetë. Si njëherë në një kohë, kur zgjoheshin që në 5 të mëngjesit shqiptarët për të mbaruar votimet në 8 të mëngjesit me rezultatin 99.9%, edhe pas tri të shtunash s’është çudi ta shijojmë atë skenë të votimeve të Enverit.

Kush del i fituar? Natyrisht demokracia brenda PS. Ç’tha Blushi sot tretet si kripa në det. Triumfon solidariteti, barazia, demokracia, liria, besimi ndaj udhëheqësit. Edi me të tijët dhe me ata që mbushi sallën di ç’bën. Ndaj dhe si gjoja me pishman, iu bind Gramozit. Po ashtu edhe salla. Pak ditë më parë sipas një sondazhi, besueshmëria tek PS ka rënë ndjeshëm. Ky kongres “i lavdishëm” sot, konfirmimi i unitetit përmes referendumit dhe lumi i anëtarësimeve janë padyshim doping fantastik për imazhin e kësaj partie dhe sidomos udhëheqësit të saj.  Në shkon kështu, pa dashje Ben Blushi , në vend t’i bëjë dëm Ramës i shërben në të kundërt.

 

 

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *