Miu nën mustaqe – frika e Ramës prej Blushit. Nga Armir SHKURTI

Me këtë mobilizim e vendosmëri të Edi Ramës për të mos lënë Ben Blushin të kandidojë pyetja e parë që lind është: Vërtet ka frikë ky se ia merr Blushi votat e partisë dhe bëhet kryetar?

Në gjykimin tim dhe shumë të tjerëve kjo është mundësi e vogël. Për të mos thënë e pamundur. Po pse atëhere gjithë ky pështjellim, a thua se ka ardhur fundi i botës për rilindorët?

Sepse Rama nuk do t’i kalojë miu nën mustaqe. Nëse Ben Blushi kërkon një gjë kaq të madhe sa kandidimi për kryetar i Partisë Socialiste, pra sfidant i drejtpërdrejtë i këtij që kemi dhe kjo mundësi i jepet, në çast hapet kutia e Pandorës. Mijëra socialistë që mezi i kanë vënë tapën gojës do të ngriheshin fuqishëm për të kritikuar, ankuar, gjykuar e mbi të gjitha: KËRKUAR.

Skena e takimit të Elbasanit s’qe tjetër veç demonstrim terrori për këdo tjetër që e çon ndërmend të mendojë ndryshe nga kryetari. Kur Blushin e vërshëllyen dhe për pak e linçuan edhe fizikisht. Po ju? Ky qe mesazhi, siç ky ka vazhdimisht që është mesazhi ngulmues për vite me rradhë: Në atë kotec këndon vetëm një gjel. Të tjerët o janë pula o duhet të rrijnë si pula.

Nga ana tjetër, beteja e Ben Blushit dhe të tjerëve në atë forcë politike nuk është për postin e kryetarit. Më mirë se ne, janë ata që e dinë se edhe nëse bëhet votim i lirë e i ndershëm në atë parti, të paktën këtë herë Rama rifiton. Por ky grupim po dëshmon botërisht se Rama me rilindorët e tij kanë shkuar shumë larg Partisë Socialiste, idealeve e interesave të së majtës, bazës tradicionale të socialistëve dhe aleatëve të natyrshëm të saj.

Rilindja funksionon si një (in)sekt parazit që bëri vezë e u rrit në trupin e PS, thithi gjithë lëndën e saj, veshi emrin e fytyrën e saj dhe tashmë që fluturon vetë, karkasa e socialistëve të heshtur e topitur mbetet gjithnjë e më larg e më poshtë. Këtë po thotë Blushi, për këtë kandidon Blushi dhe këtë nuk do Rama të thuhet. Se mot do shkojë prapë tek ajo qyqarja që me dy jetimë betohej se edhe pa bukë po ta lenë do votonte Partinë Socialiste. Se ajo kujton se voton partinë socialiste e jo një sekt që ka përvetësuar çdo të mirë, përfshi edhe emrin e kësaj force.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *