Kurthi i zgjedhjeve në universitetet publike/ Nga Albano Zhapaj*

Fakti që politika ka kërkuar dhe kërkon të “shtjerë në dorë” universitetin publik, nuk përbën ndonjë gjë të panjohur në kontekstin shqiptar . Qeveria aktuale, falë ligjit të ri të Arsimit të Lartë, ka hyrë në universitet kësaj here, më shumë se çdo qeveri tjetër e mëparshme, dhe po vijon të shtrijë kontrollin e saj duke përdorur këtë radhë zgjedhjet për krerët drejtues të universiteteve tona publike. Logjika e thjeshtë na mëson se kur ke në dorë krerët e institucioneve, ke në dorë gjithë institucionin. Shumëkush është i bindur dhe do të thoshte se bota akademike është e fortë, e pavarur dhe qeveritë s`ja dalin dot aq lehtë ta venë nën kontroll.
Por çdo të thotë të vesh nën kontroll universitetin, dhe përse ka nevojë një qeveri për ta pasur universitetin nën “hyqmin” e saj?

Bashkëndahet nga shumë vetë fakti që bota akademike e një vendi të caktuar, është opozita më e ndjeshme, më reaguese dhe më argumentuese, përkundrejt reformave sociale apo ekonomike të një vendi. Një qeveri kur ndërmerr një lloj reforme, apo iniciative, e cila nga ana logjike kuptohet edhe qytetari më i thjeshtë që nuk shkon, e ka të vështirë të bindë opinionin publik për të mirat apo avantazhet që mund të sjellë kjo nismë apo reformë, dhe kësisoj mund të tërhiqet në kohë, ose edhe mund ta aplikojë atë me kosto të rënda mbi qytetarin.

Ndërkohë për nisma apo reforma që kanë impakte kohorë afatmesëm dhe afatgjatë, qeverisë përveç retorikës së saj bindëse në opinionin publik, për të mirët apo avantazhet e këtyre nismave apo reformave, i duhet mbështetje me doemos nga trupa akademike, ose më së paku kjo e fundit të mos bëj zë, kur qeveria kërkon ta kalojë këtë apo atë nismë, në favor të klientëve apo të kujt e ka ndihmuar të vijë në pushtet. Bota akademike, janë ata njerëz të përkushtuar punës së tyre, janë ata pedagogë e profesorë që kanë mësuar dhe mësojnë breza të tërë studentësh, dhe njihen e mbahen mend për reputacionin, fuqinë e tyre argumentuese, apo kompetencat në sferat përkatëse të dijes.
Këto 3 vjet qeverisje, bota akademike ka qenë nën presion të vazhdueshëm, ndërkohë që universiteti vetë është përballur me kontrolle të vazhdueshme, të qëllimshme, nga ana e qeverisë, duke mbajtur kështu strukturën drejtuese nën trysni të kota burokratike e psikologjike, aq sa kjo e fundit të filloi të zbatojë vetëm detyrimet burokratike, dhe të harrojë se kishte edhe të drejta.

Ky është realiteti i hidhur, për fat të keq, dhe çdokush në institucionet e arsimit të lartë e ka kuptuar, por s`ka pasur kohën, mundësinë dhe ndonjëherë guximin të flasë.

Profesorët e thjeshtë, përfshi ndonjë rast shumë të rrallë të ndonjë profesori të nderuar, nuk përbëjnë lajm kur flasin apo argumentojnë pasojat e ndonjë reforme të keq konceptuar, aq sa do të përbënte lajm prononcimi i ndonjë rektori apo dekani, mbi një çështje të caktuar. Ligji i shumë përfolur Nr. 80/2015 për arsimin e lartë, u hartuar me aq “dinakëri”, sa në disa nene në vend të parimeve, ka detaje të panevojshme, dhe në disa nene të tjera, ka përcaktime shumë evazive, duke ja lënë detajet për kompetencë ministrisë së linjës. Kur ndonjë nga krerët e universiteteve u shpreh pozitivisht ligjit, që në fillesat e tij, vartësit e tij, ose nuk guxuan më të flisnin, ose nuk ju dha mundësia dhe hapësira për ta bërë këtë gjë.

Ja pra çdo të thotë të kesh në krahun tënd krerët e institucioneve të arsimit të lartë publik. Kur, pastaj, të gjithë drejtuesit e zgjedhur, ose një pjesë e madhe e tyre, janë nën “hyqmin e qeverisë”, ke mundësinë kontrollit, ndrydhjes dhe shuarjes së mendimit opozitar dhe të argumentuar të botës akademike.

Po si do mundet qeveria të zgjedhë “të besuarit e vet” në krye të universiteteve?

Kjo nuk është e vështirë për tu kuptuar. Përvoja 3 vjeçare qeverisëse na ka treguar se është e aftë të vendosë “të besuarin”, kudo, në tatime, në dogana, në spitale, etj. Ndërkohë që për të zgjedhurit në universitete natyrisht që do përdorë Udhëzimin e Ministrisë së Arsimit “Për organizimin e zgjedhjeve të para për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, që daton 15 mars 2016, dhe vjen në shkelje të ligjit të arsimit të lartë, me afatin e vonuar kohor, përkatësisht të nenit 131, pika 2, të këtij ligji, të miratuar nga vetë kjo mazhorancë.

Vetë titulli i udhëzimit na jep të kuptojmë se këto janë vetëm “zgjedhje të para”, dhe se mbas këtyre mund të ketë të tjera. Këtu fillon dyshimi i parë dhe serioz, se zgjedhjet janë kapur, edhe pse shumëkush ndoshta nuk e ka lexuar mirë titullin, nuk gjen ndonjë lidhje logjike të ndonjë veprimi të paramenduar, ose e sheh thjesht si një term të thjeshtë estetik. Udhëzimet në vetvete, dihet se, mbartin dy momente, momenti i parë është ai i përcaktimit të parimeve, ndërsa momenti i dytë është ai i përcaktimit të detajeve që rrjedhin nga të parat. Po të lexosh gjithë udhëzimin, vështirë se e kupton se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra. Ka një ndërthurje të pikave dhe neneve, që aty këtu dalin kundra njëra tjetër.

Unë, si çdo njeri tjetër që e njeh universitetin dhe botën akademike shqiptare, besoj fuqishëm se stafet akademike në çdo universitet publik, janë të aftë të bëjnë zgjedhje demokratike, dhe njëkohësisht zgjedhjen e personave të duhur në krye të universiteteve, fakulteteve dhe departamenteve. Ky është një fakt i padiskutueshëm dhe në parim kreu duhet zgjedhur nga brenda stafit akademik dhe nga vetë stafi akademik.

Kush më mirë se vetë profesorët i njeh kapacitetet brenda universitetit? Por, ja që nëpër fakultete e departamente jo gjithmonë gjendet “njeriu i duhur” për qeverinë, dhe jo më kot udhëzimi i zgjedhjeve në nenin 4, pika 4 na thotë se “i duhuri” mund të vij edhe nga jashtë, duke përcaktuar se: “Të drejtën për tu zgjedhur në postin e një autoriteti drejtues, (rektor, dekan/drejtor dhe përgjegjës departamenti), e kanë edhe persona që nuk bëjnë pjesë në stafin akademik me kohë të plotë në njësitë kryesore”. Kuptohet se këtu fillon dyshimi që ka njerëz të paracaktuar për të kandiduar aty ku qeveria e do.

Stafet akademike të universiteteve me përvojë dhe me traditë, natyrisht që kandidaturat e “ardhura nga jashtë”, i pranojnë, por nuk para i përzgjedhin, dhe historia e ka treguar këtë. Më të lehtë për t`u zgjedhur këta “elementë të jashtëm” e kanë në universitetet rajonalë, ose më saktë në disa prej tyre. Por që të futësh në garë të “jashtmin” dhe ta nxjerrësh fitues, nuk mjafton vetëm pika 4 e udhëzimit, prandaj hartuesit kanë menduar “hollë” për të futur një pikë tjetër, pikërisht një pikën e përbashkët që gjendet tek neni 19, 20, 21 dhe 22 e cila në thelb, në disa gërma, thotë: Nuk mund të kandidojnë, anëtarët e personelit akademik që:

a) Janë në ndjekje penale dhe ndaj tyre është dhënë masë e sigurimit personal;

b) Janë dënuar për vepra penale me vendim gjyqësor të formës së prerë;

c) Janë të dënuar me parë për vepra penale;

d) Ndaj tyre është dhënë masë disiplinore.

Po të shikojmë me kujdes gërmën a, flet për ndjekje penale dhe masë sigurimi personal, por asnjë detaj se përse personi është në ndjekje penale. Një pedagog i nderuar që ka pas dhënë një dyqan të vogël në pronësi të tij, me qera, është ende sot në ndjekje penale, pasi sahati i energjisë elektrike të dyqanit, ishte i manipuluar, dhe i gjori pedagog kaloi 24 orë në paraburgim, duke u lënë i lirë me detyrim paraqitje, një herë në muaj. Sipas kësaj rregulloreje, ky njeri nuk është i denjë të kandidojë, edhe pse nuk ka ndonjë vendim gjyqi të formës së prerë, që ta ketë shpallur fajtor.

Germat b është e pranueshme, ndërsa gërma c, lë për të dëshiruar, pasi ka ish drejtues që janë pezulluar për shkelje, dhe nuk janë të dënuar me vendim të formës së prerë, çka do të thotë se çështja është ende në gjykim në apel. Kuptohet qartë se edhe këtu ndonjë kandidat “skomod” është përjashtuar a priori nga kandidimi. Ky është një tjetër kurth që udhëzimi i vendos personelit akademik të mendimit “opozitar”.

Germa d është sa qesharake aq edhe e paprecedentë, si parimisht ashtu edhe teknikisht. Sulmet e vazhdueshme dhe kontrollet e shpeshta procedurale në universitet, sidomos këtë vitin e fundit, kanë “prodhuar shkelje” dhe rrjedhimisht edhe “shkelës”. Dihet se “shkelësit” janë penalizuar me masë disiplinore nga eprorët përkatës, çka i ka mbyllur mundësinë e kandidimit shumë njërëzve të nderuar në universitet, që për një kapriço të eprorit, të diktuar ose jo nga politika e radhës, u është dhënë masë disiplinore, të cilat ndonjëherë nuk janë ankimuar nga vetë personi, pasi dihet që masat disiplinore kanë një afat të caktuar, mbas të cilit bien e nuk vlejnë më.

Me përjashtimin nga kandidimi të personelit akademik me “masë disiplinore në të kaluarën”, natyrshëm i hapet rruga zgjedhjes së kandidatëve të “dëshiruar” nga qeveria, duke dëmtuar kështu procesin e zgjedhjeve të ndershme të tanishëm, dhe arsimin e lartë në tërësi, për të ardhmen. Stafet akademike sot, për kë e njeh vërtetë universitetin publik, janë vërtetë në hall të madh, ata do të duhet të zgjedhin: nga njëra anë përmirësimint e cilësisë dhe të ardhmen e universitetit, nëpërmjet zgjedhjes së njerëzve të vlefshëm e të përkushtuar, dhe nga ana tjetër të zgjedhin njerëzit e parapëlqyer të qeverisë, të sjellë nëpërmjet kurthit burokratik të ngritur me udhëzim ministri.

*Ish Shefi i Arsimit të Lartë në MASH

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *