Ja pse ne shqiptarët i humbim gjithmonë shanset historike!

Ja pse ne shqiptarët i humbim gjithmonë shanset historike!

Çelo HOXHA

Ka disa dekada që shqiptarët e shikojnë historinë si një realitet linear. Sipas këtij këndvështrimi, shoqëria vjen nga një pikë A dhe vazhdon udhëtimin drejtvizor drejt pikave të tjera. Për komunizmin, fillimi i historisë ishte marrja e pushtetit prej tyre më 1944 (pika A) dhe prej asaj pike pretendohej që historia lëvizte drejt socializmit (pika B), e prej këtej drejt komunizmit (pika C). Me mbërritjen në komunizëm, progresi ndalej, tashmë gjindja ndalej për të shijuar jetën deri në pafundësi.

Ndërprerja e udhëtimit linear u ndërpre më 1990. Asgjë fatale nuk ndodhi. Shqipëria nuk u ndal si tren i dalë nga shinat (e historisë), por vazhdoi më tej, në një drejtim tjetër (në demokraci). Historia nuk rezultoi aq lineare sa mendohej. Por, kjo nuk zgjati.

Politika e Tiranës nisi ta shikojë drejtimin e ri sërish në mënyrë lineare. Pikënisje (pika A) u bënë vitet e para të demokracisë. Ashtu si komunistët që mendonin se do të arrinin në komunizëm e pastaj do të jetonin të lumtur deri në pafundësi, pluralistët që i pasuan, krijuan fabulën e integrimit evropian. Politika shqiptare ka qëllim të fundmë, një teori fikse – të bëjmë gjithçka për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. BE-ja është pika e fundit e historisë, qëllimi i fundmë i shoqërisë, komunizmi i ri. Dhe, ky iluzion vazhdon.

Historia e përpjekjeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE, publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ), nisi që më 1991. Ajo vendosi marrëdhënie diplomatike me Komunitetin Ekonomik Evropian dhe në maj 1992 u nënshkrua Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik, e cila u shoqërua edhe nga nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët Politike Shqipëri-Komuniteti Evropian. Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që nënshkroi një marrëveshje të tillë, por gjërat nuk shkuan mirë. Shumë shpejt Shqipëria u zhyt në krizë politike, e cila kulmoi me trazirat e dhunshme të vitit 1997. Të gjitha proceset u frenuan.

Në nëntor 2000, në samitin e Zagrebit, BE-ja prezantoi Procesin e Stabilizim-Asociimit për 5 vendet e Evropës Juglindore, duke përfshirë dhe Shqipërinë. Në Samitin e Selanikut, qershor 2003, BE-ja e konfirmoi zyrtarisht perspektivën e anëtarësimit në BE për të gjitha vendet pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit dhe po atë vit u hapën zyrtarisht negociatat e BE-së me Shqipërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Marrëveshja u nënshkrua në 12 qershor 2006.

Sipas MPJ-së, Marrëveshja hyri në fuqi më 1 prill 2009 dhe ajo shënoi një fazë të re më të avancuar të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në, të konceptuar si një marrëdhënie kontraktuale me detyrime dhe të drejta reciproke ndërmjet palëve. Kjo marrëveshje e zëvendësoi Marrëveshjen e Përkohshme, që ishte në fuqi për palët që nga dhjetori 2006 dhe që synonte një qasje graduale politike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë me BE-në. Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), dialogu politik Shqipëri-BE zhvillohet në formatin e Këshillit të Stabilizim-Asociimit (KSA) dhe strukturave të tjera të përbashkëta.

Më 28 prill 2009 Shqipëria paraqiti në Këshillin e BE-së kërkesën për anëtarësim, por sot ende vazhdon të jetë jashtë saj.

Në Raport-Progresin e vitit 2012 Komisioni i BE-së rekomandoi që Këshilli i BE-së duhet t`i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, në varësi të përmbushjes së masave kyçe në fushën e drejtësisë dhe reformës së administratës publike, si dhe përfundimin e rishikimit të procedurave të rregullores parlamentare. Akoma nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat.

Më 16 tetor 2013 u prezantua Raport-Progresi i fundit për Shqipërinë, kjo si pjesë e Strategjisë së Zgjerimit 2013-2014. Komisioni rekomandoi që Këshilli duhet t`ia japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, me mirëkuptimin që vendi do të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Njëkohësisht, Komisioni i përcaktoi 5 prioritete kyçe për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Konkretisht: reforma në administratën publike; forcimi pavarësisë, eficiencës dhe llogaridhënies së gjyqësorit; lufta kundër korrupsionit; lufta kundër krimit të organizuar; mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë romët dhe politikat anti-diskriminim; si dhe respektimi i së drejtës së pronës.

Më 11 nëntor 2013 u prezantua Dialogu i Nivelit të Lartë për Prioritetet Kyçe, Shqipëri-Komisioni Evropian, ku marrin pjesë qeveria, institucionet e pavarura, si dhe opozita. Sajimi i radhës, një lloj artifice që nuk ndryshon ndonjë gjë në përmbajtjen e gjërave.

Sipas qeverisë shqiptare, programi i saj (2017-2021) për integrimin europian synon fillimin, sa më parë, të procesit të negociatave për anëtarësim dhe përmbylljen e kapitujve kryesorë.

Më 2015 termi Ballkani Juglindor u hoq nga qarkullimi dhe u zëvendësua me Ballkanin Perëndimor. Në ligjërimin politik diplomatik hyri dhe termi Procesi i Berlinit. Më 28 gusht 2015 kancelarja gjermane Angela Merkel organizoi në Berlin një takim me kryeministrat, ministrat e punëve të jashtme dhe ministrat e ekonomisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Aty u ra dakord që takimi të shërbente si kuadër për një periudhë prej katër vjetësh, gjatë së cilës do të ndiqen përpjekjet për të bërë progres të mëtejshëm në procesin e reformave, në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe dhe të brendshme dhe në arritjen e ripajtimit midis dhe brenda shoqërive në rajon. Shkurt: asgjë e re, veç ca ndryshimeve në ligjërim.

Dhe, kjo histori takimesh do të vazhdojë, të paktën deri më 2025. Në fillim të shkurtit 2018 Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, deklaroi se për anëtarësimin përfundimtar në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor “dera është e hapur…”

Deri tani integrimi ka qenë një seri takimesh e një radhë dokumentesh të mërzitshme, të cilat nuk ndryshojnë asgjë në realitet. I vetmi veprim konkret mes Shqipërisë dhe BE-së në drejtim të integrimit ishte heqja e vizave më 2010. Kjo u mundësoi shqiptarëve lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Në periudhën 1945-90 shqiptarët i pengoi komunizmi të lëviznin, ndërsa në periudhën 1991-2010 i pengoi Bashkimi Evropian.

Atë që synon ta arrijë me BE-në Shqipëria e ka bërë më herët me vendet e tjera. Më 1945, të sapoardhur në pushtet, komunistët nisën procesin e bashkimit të Shqipërisë me Republikën Federale të Jugosllavisë (anëtarësimi në BE është bashkim). Një vit më vonë, të dyja vendet nënshkruan marrëveshjen ekonomike, që thuajse i shkrinte të dyja ekonomitë në një, dhe, sikur Jugosllavia të mos ishte prishur me Bashkimin Sovjetik (1948), brenda pesëvjeçarit Shqipëria do të ishte bërë republikë e shtatë e Jugosllavisë. Pasi ky dështoi ky projekt, më 1955 Shqipëria u bë anëtare e KNER-it dhe Traktatit të Varshavës, kjo brenda një kohe të shkurtër. Pavarësisht mendimit që mund të kemi sot për këto “integrime”, ajo që dua të vë në dukje është fakti që, kur një palë është e interesuar ta përfshijë Shqipërinë në gjirin e saj, e bën atë pa kushte e procedura qesharake.

Procesi i anëtarësimit në BE po merr përmasa groteske. Para se të bëhet vend anëtar, një vend i caktuar (si Shqipëria) më parë duhet të marrë statusin e vendit kandidat. Atyre që kanë jetuar periudhën e regjimit komunist në Shqipëri, kjo ua kujton procedurat e anëtarësimit në Partinë e Punës të Shqipërisë (komuniste). Aplikuesit bëheshin fillimisht kandidatë partie, pastaj, nëse plotësonin kushtet, bëheshin anëtarë partie ose kërkesa u refuzohej. Parë nga ky kënvështrim, historia nuk lëviz në mënyrë lineare, por qëndron në vend. Prej 70 vitesh. Jo vetëm në Shqipëri.