Deplutokratizimi më mirë se dekriminalizimi. Nga Armir SHKURTI

Plutokracia është një regjim politik, i tipit të  oligarkisë, kur pushtetin e kanë ata që kanë paranë. Tashmë në Shqipëri ky  është regjimi. Dhe ky regjim është pjellë e natyrshme e tranzicionit 25 vjeçar. Nuk është vendi për ta stërholluar këtë punë, por me pak fjalë ja si ka ndodhur.

Që me rënien e diktaturës shqiptarët “e shkathët” nisën të “bubrrojnë”. Kush me skafe, kush me femra, kush me trafik klandestinësh, një tjetër me armë…. U bënë shumë para dhe këto në xhep nuk mbaheshin dot më, ndaj dhe hynë në ekonomi. Ca si lokale, hotele, motele, dyqane. Të tjera si pallate e firma që i ndërtojnë ato. Tranzicioni e pati këtë të mirë të njërit sy mbyllur. “Mos më pyet për milionin e parë”  tashmë në Shqipëri përdoret sikur ta ketë zbritur Perëndia në pllakë guri. Ca nga këta që i bënë paratë siç thashë, ua besuan të tjerëve. Të tjerët hynë vetë në treg. Ndaj dhe nuk është çudi që shoku ngelës i bankës në fillore sot të jetë bossi yt.

Më tej këto biznese pollën edhe median. Pas çdo gazete “të pavarur” e televizioni privat ndodhet një biznes tjetër. Herë heshturazi e herë haptazi pronarët e tyre deklarojnë se “e kam gazetën/televizionin për të mbrojtur bizneset “. Por më pas, nga “armë për vetmbrojtje” këto media u kthyen në “armë gjahu”, me të cilat kapen leje ndërtimi, tendera e…deputetë.

Sepse kjo plutokraci e krijuar me bekimin dhe tolerancën e politikës më pas nisi të sponsorizojë politikën e të prodhojë klasën politike që i shërben drejtpëdrejt asaj.

Kthehemi tek “dekriminalizimi” që po ndodh sot. Ta zemë se ligji dhe aktet që do të  rrjedhin prej tij do ta sterilizojnë kuvendin dhe administratën nga kriminelët. Pra kush ka vrarë, ka shitur drogë, gra e burra, nuk futet fare në punë shteti. Kush do t’i zëvendësojë? Djem me diploma të marra jashtë, me kostum e kravatë, çupa të shkolluara mirë e nga derë e mirë! Por kush do t’i përzgjedhë dhe emërojë? Ky sistem oligarkik: Plutokracia. Është kjo mitër (biznes & politikë së bashku) që pjell të njejtën krijesë, pambarimisht. Çunat e gocat e mira në dukje e me letra në rregull, po kjo plutokraci do t’i përzgjedhë dhe emërojë. Nuk është se ka ndodhur ndonjë ndryshim në vend që të shpresojmë për ndryshim të kësaj ADN -je. Madje me këta që ka sot ky kuvend e kjo administratë janë më të çiltra. Nesër, kur ta kesh sallën e kuvendit të mbushur me profesorë, kjo llumnajë do të krijojë iluzionin e  një bote të mirë e të ndryshuar.

Pra është çështje sistemi. Ai duhet ndryshuar pasi ai riprodhon sistematikisht klonet e veta, duke i shpërndarë kudo, por në rradhë të parë në politikë, qeverisje e media. Ka fuqi që me ligje e votime të mobilizojë bashkinë, qeverinë, policinë, mediat, shoqërinë civile e çmos tjetër për të bërë për budalla një mile të tërë duke ia marrë nga goja një park të rrallë si ai tek Liqeni, ditën për diell.

“Parja e hedh ujtin përpjetë” – thuhet në Tiranë. Sot kjo thënie është në thelb pushteti plutokratik që ka kapur vendi. Pa e shpërbërë, dekriminalizim nuk ka. S’mundet një sistem i ndërtuar me pasuri të bëra me krim, me individë që kanë kryer krime e që sot kanë ekonominë formale dhe informale në dorë, që paguajnë fushatat e zgjedhin deputetët, të prodhojë një dekriminalizim të vërtetë.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *