Cila është gjëja më e poshtër që po bën Lu dhe Vlahutin?

Cila është gjëja më e poshtër që po bën Lu dhe Vlahutin?

Fitim Zekthi

 

Padyshim që ekonomia, rendi, papunësia, shkollat, spitalet etj. janë sot një vuajtje e madhe për shumicën e njerëzve.

Qeveria shqiptare ka pese vite që i zhyt gjithnjë e më shumë në llucë që të gjitha këto, teksa jep “koncesione” për check up idiot për miqtë e vjetër, teksa rrit borxhin me 1,5 milardë usd pa bërë asnjë investim (e ka premtuar çdo 3 muaj Rrugën e Arbrit që kushtion 0,24 miliardë usd kurse koncesionet që ka dhënë shkojnë në mbi 0,5 miliardë usd deri tani) teksa mbjell gjithë vendin me hashash dhe lavdëron si më të mirin e të gjithëve ministrin e brendshëm, teksa nuk lejon arrestimin e këtij ministri, teksa burgos për mospagim dritash hallexhinj, teksa burgos për mosdhënie kuponi berberë dhe këpucarë etj.

Po ashtu grupe kriminale në Durrës, Elbasan, deputetë, kryebashkiakë që vijnë nga bota e drogës, trafikut dhe krimeve të thirrur nga qeveria kthehen në shembëlltyrën e vërtetë të qeverisjes teksa kryeministri i mbron vazhdimisht dhe me forcë.

Kësaj panorame i jep pamje gati idilike floknaja e ambasadores së BE-së, e cila nuk flet kurrë për kriminalizim të shumicës dhe grupit të saj parlamentar, nuk flet kurrë për mbjellje hashashi, nuk flet kurrë për mbrojtje të ish ministrit i cili hetohet për trafik ndërkombëtar, nuk flet kurrë për thyerje mizore të normave nga qeveria teksa dërgohet me urgjence në Itali një dëshmitar kyç. Përkundrazi ambasadorja vlerëson reformat imagjinare që mbërrijnë ndoshta në mënyrë ezoterike në kokën e mbuluar nga floknaja, kërkon dialog, bashkëpunim të opozitës me shumicën në mënyrë që të luftohet krimi dhe korrupsioni.

Ambasadorja Vlahutin dhe ambasadori Lu ia kanë dalë që në këto vite kjo qeveri të shitet para opinionit si një qeveri reformash, si një qeveri që po përpiqet të sjellë drejtësi, si një qeveri e përkushtuar në “reformën në drejtësi” në një kohë që kjo qeveri mund të jetë vetëm subjekt i reformës dhe asgjë më shumë.

Ambasadori Lu dhe ambasadorja Vlahutin ia kanë dalë – duke mos u marrë fare me hashashin, kriminalizimin e politikës, blerjen masive të votave, mbrojtjen e Tahirit, syrgjynosjen e Seitajt, koncesionet e habitshme, borxhin e rritur për paga dhe shpenzime operative etj etj- të ndërtojnë narrativën se PD nuk e do reformën në drejtesi, se ajo ka frikë nga reforma megjithëse ajo ka 5 vjet në opozitë.

Kjo është gjëja më e poshtër që ka ndodhur. Një qeveri e kriminalizuar e cila me ndihmën e Lu dhe Vlahutin, që po fut gjyqtare të kohës së komunizmit që kanë dhënë vendime politike, ish sigurimsa, njerëz politikë, në krye të institucioneve që do të bëjnë reformën shitet sikur po lufton për drejtësi të pavarur.

Ata (Lu dhe Vlahutin), nuk mund të thonë se duhet bashkëpunim pozitë-opozitë për të luftuar krimin por bashkëpunim opozitë-ndërkombëtarë, kundër kësaj gjendjeje kriminale të krijuar nga shumica qeverisëse. Pra ata duhet ti kërkojnë vetes bashkëpunim me opozitën përballë qeverisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.