Aktori me teser!/ Nga Aulon Kalaja

Në Shkodër, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama bëri edhe një tjetër show. Sigurisht që nuk ka ndonjë habi të madhe, kur ke parasysh faktin se Shkodra është djep kulkture, por arti dhe mënyra se si desh t’iu impononte Rama shodranëve, la për të dëshiruar dhe ngjau me shfaqjet e thata të modelit komunist. Jo se në sallën e porositur dhe të dekoruar me shijet e Ramës nuk kishte spektator, kishte plot, por të pranishmit kurdiseshin për të duartrokitur në kohën e duhur dhe të caktuar nga “regjisorët”.

Rama shkoi më larg, kur ftoi njerëzit për referendum në sallë. Duhet apo s’duhet të ketë zgjedhje në PS?! Përgjigjen ia dha deputetja e zonës, shkenctarja Mimoza Hafizi, por Rama për t’a sfiduar atë i vuri turmën kundër dhe e mbylli, duke deklaruar se me votë të fshehtë do të vendosej kjo cështje. Duket se takimet e Ramës nëpër qytete, janë një “déjà-vu” e njëra tjetërës dhe nuk ka asgjë interesante…

Por Shkodra si një qytet që mbetet gjithmonë i paparashikueshëm, bëri diferencën. Përvec faktit se në sallë gjendeshin vetëm disa robotë që mernin komanda për të reaguar, Rama kish menduar edhe për shfaqjen e radhës. Kasandra e Shkodrës, foli në mes të sallës dhe deklraoi krejt pa droje, se Kryetari i Ardhshëm i Partisë Socialiste të Shqipërisë, do të ishte Edi Rama. Pra Kasandra shkodrane, e vendosi vulën.

Kasandara është një plak 70-vjecar, aktori i filmave dhe teatrit shqiptar zoti Bruno Shllaku. Ai ndër të tjera tha se, po bëhëj tani anëtar i Partisë Socialiste, sepse Kryetar i kësaj force politike do të bëhëj sërish Rama. Një gjë fort e vështirë për t’u parashikuar, ose më saktë për t’u thënë. Sepse debati shterpë për të votuar nëse do ketë apo s’do ketë zgjedhje në një forcë politike, është në vetvete një absurd i madh, që drejtohet nga kryeabsurdi Edi Rama. Por aktori Shllaku këtë nuk do t’a dijë. Janë punë të thella këto, jo punë artistash…
Ai u ngjit në skenë, sic ka bërë gjithë jetën, por kësaj radhe për të luajtur rolin më të shëmtuar që nuk ka asnjë lidhje me dramën apo filmin. Ai u ngjit në skenë jo për të marë ndonjë cmim të merituar, por për të marë teserën e Partisë Socialiste, që ia dorëzon me dorën e tij kryeabsurdi Edi Rama.

Fillimisht mendova se ky artist shkodran u keqpërdor nga pushteti, sic ishte rasti i këngëtares shkodrane Elhaida Dani që bëri fushatë për kandidatin për Bashkinë e Tiranës Erion Veliaj. Por kur të kujtohet se ky njeri, nuk është ndonjë adoleshent flutarak që ka dale nga kompeticionet televizive, por është një burrë me moshë të thyer dhe me vite e role mbi shpatulla, ekuacioni mbetet me shumë të panjohura.
“Kur artistët bëhen pjesë e partickave, arti i tyre gremiset.”

Keshtu shkruante në një koment, regjisori Saimir Kumbaro, për atë c’ka ndodhi dje në Shkodër. Kumbaro shkon më tej duke thënë se, të jesh opozitar me të keqen i shërben shoqërisë. Si shpjegohet thotë Kumbaro, që 90% e moshave të treat janë anëtar të PS?! Komentet në rrejetet sociale shkojnë edhe më tej, kur thuhej se me ikjen e viteve dhe plakjen, vazhdon edhe rrjedhja e truve. Por kjo nuk ka aspak lidhje me rastin e aktorit Bruno Shllaku, sepse ky i fundit ia kish ditur gjithmonë për nder Partisë Komuniste, që në kohën e Sul Bushatit, por tani në moshën 70-vjecare e pa të udhës t’i bashkohej integrales së partisë së sipërpërmendur. Ndoshta në moshën e Shllakut është koha e duhur ku ai mund të japë kontributin e tij në Partinë Socialiste. Kurrë nuk e kam kuptuar këtë…

Pra lajmi është se aktori Shllaku nuk iu bashkua zërave intelektualë brënda partisë ku ai aderon. Zërave ndryshe që kërkojnë demokratizimin e partisë, sic është rasti Blushi dhe Hafizi. Artisti kësaj radhe zgjodhi të bëjë kokë-ulurin dhe të pranojë autoritetin dhunues të Kryetarit. Zgjodhi të tradhëtonte shkenctaren, shkrimtarin dhe artin dhe të bëhej pis me artin e së mundurës, por që në Shqipëri është e pamundur, pra me politikën. Ai nuk zgjodhi të bënte antikonformistin, ashtu sic i ka hije një artisti të vërtetë që duhet të jetë në opozitë me “regjimin”, por zgjodhi të jetë ”yes-man”. E neës ky do jetë kontributi i aktorit Shllaku në PS, më mirë të mos anëtarësohej, sepse nuk do të jetë vecse një numër më shumë në listat e anëtarësimeve.

Ndoshta ky mund të jetë roli i fundit i aktorit Bruno Shllaku, por epilogu i karrierës së tij është roli më i dobët që ai ka luajtur deri më sot. Do të doja t’a shihja këtë njeri që të ngjiste sërish skenën për të luajtur teatrin e radhës, për të interepretuar ndonjë poezi, por kurrë nuk do të doja t’a shihja një artist, aq më pak shkodran të merte nga dora e kryeabsurdit teserën e një partie, që po kthehet ne granizon jenicerësh. Në një parti ku nuk ka mbetur asgjë për të ndryshuar, nëse futesh me mentalitetin e militantit-artist.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *