A nuk është referendumi votim o Edi? Nga Flamur TAJARI

Para nja një jave tek Fevziu Edi Rama argumentoi se nuk mund të futej partia në votime në vitin elektorale. Sipas tij kjo do ta lodhte anëtarësinë e partisë. Se si mund të lodhet partia nëse voton, kjo është çështje që duhet studiuar, se në fakt partitë pikërisht kur janë në aktivitet janë edhe më të freskëta e efiçente. Por le ta marrim të mirëqenë teorinë e Ramës. Le ta zemë se partia u lodhkërka nëse do të votonte për kryetarin e ri….

…po si ka mundësi që ky kryetari që e ka në inventar PS po e fut vet partinë në votim? Një referendum brenda partisë nuk është as më shumë e as më pak sesa një votim i mirëfilltë. Imagjino sikur anëtarësia të shprehet pro votimit për kryetar të ri. Imagjino edhe sikur ajo votë të numërohet saktë e me ndershmëri. Nuk do të kishim një , por dy votime! Pra “lodhje” dyfish.

Mirëpo cili është rreziku i këtij referendumi?

Nëse anëtarësia shprehet “JO”, që do të thotë “nuk duam votim për kryetarin e partisë”, kjo forcë politike çertifikon me firmë e vulë karakterin e saj antidemokratik. Alfa e demokracisë është vota. Nëse një parti voton që brenda saj të mos ketë votim, si mundet të cilësohet më tej demokratike ajo?

Ky s’është veçse një hap më tej degradimit dhe dekompozimit të PS, mision që Edi Rama e ka nisur shumë herët por po e përmbush suksesshëm që prej ardhjes në pushtet. Krahas shpalljes së vetvetes si sovran i socialistëve po e shfytyron PS -në duke e kthyer në një monstër nga e cila vet socialistët do të kenë frikë kur ta shohin pas ikjes së Edi Ramës prej kreut të saj.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *