A do të bjerë Matura Shtetërore?/ Nga Dr. Albano Zhapaj

Tashmë ligjin e ri të arsimit të lartë e kemi, dhe më shumë se diskutimet mbi të, duhet të përqendrohemi më shumë tek zbatimi i tij në vitin e ardhëm akademik, ku presin të përfundojnë shkollën e mesme rreth 40 mijë maturantë.

Po ç`është Matura Shtetërore. Matura Shtetërore u krijua si koncept, e më pas sistem, në vitin 2006 dhe pati një eksperiencë 9 vjeçare, me të mirat apo të këqijat e saj. Maturantët dhe familjet e tyre ishin mësuar në një farë mënyre të kuptonin se pikët e grumbulluara nga nota mesatare dhe katër provimet e maturës, ishin kriter meritokratik, hyrës në universitet, shtuar këtu edhe preferencën e vetë kandidatit në përzgjedhjen e programit të studimit universitar.

Matura Shtetërore ekziston ende si koncept, por vetëm për të përfunduar shkollën e mesme, dhe jo si një rrugë për të hyrë në universitet. Sistemi i kaluar i pranimeve në universitet kishte arritur, proceduralisht, në fazën më semplifikuese duke bërë që një kandidat të aplikonte për në universitet direkt nga një kompjuter, apo edhe nëpërmjet telefonit, dhe tarifa e vetme e aplikimit ishte ajo prej 1600 lekë. Kandidatit nuk i duhej të spostohej fizikisht nga një universitet në tjetrin, nga një fakultet në tjetrin, për të aplikuar, por e bënte nga shtëpia, në mënyrë të ngjashme si pagesat e faturave të energjisë elektrike që me të drejtë proklamohen si arritje e një politike të caktuar të qeverisë.

Një qeveri nëpërmjet politikave lehtësuese që ndjek për qytetarët e vet, si në aspektin e reduktimit të procedurave, ashtu edhe në aspektin e reduktimit të kostove në kurriz të qytetarit, mund të quhet padyshim e suksesshme. Përtej retorikës së bukur, duhet të pranojmë të gjithë, se qytetari këtë kërkon në thelb, pra: të mos rrijë e të humbasë kohë zyrave të shtetit dhe të mos harxhojë lekë të tepërta lart e poshtë, por ti kursejë ato për familjen e tij. Sipas kësaj logjike, pa hyrë në brendi ecurisë së procesit të Maturës Shtetërore, politika e ndjekur mbi pranimet në universitet, del se ka qenë e suksesshme.

Ndërkohë, ajo që ofron sistemi i ri i pranimeve, sipas nenit 69 të Nr. 80/2015, për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, është se: “…pranimet e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në të gjitha programet e studimit bëhen me vendim të universiteteve”, ndërkohë që neni 74 i këtij ligji përcakton se: “ ..pranimi në programet e ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat …që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Në mungesë të akteve nënligjore, pamë se senatet e disa universiteteve publike, përcaktuan kriteret e tyre për pranimet e kandidatëve të rinj. Në thelb universitetet, për programe të ndryshme studimi, vendosën si kriter notën mesatare të shkollës së mesme, dhe notat mesatare të lëndëve të profilit, që më shumë i përshtaten njërit apo tjetrit program studimi.

Nga sa më sipër kemi dy momente të pranimeve.

Momenti i parë është se Maturës Shtetërore i janë lënë provimet me zgjedhje, të cilat humbasin totalisht vlerën, me sistemin e ri të pranimeve. Kjo sepse ato nuk përmenden në vendimet e senateve, dhe nuk janë kriter për të fituar ose jo një program të caktuar studimi. Një shembull: në rast se dikush do të aplikojë në shkencat natyrore për programin e Biologjisë, ndërkohë që në provimet me zgjedhje ka kryer provimin në një lëndë tjetër natyrore, atëherë atij s`ka çfarë ti duhet më provimi i kryer, dhe si pasojë është lodhur një vit të tërë për ta mësuar më mirë atë lëndë.

Por edhe sikur të ketë bërë provim më zgjedhje në biologji, ka të ngjarë që nota mesatare e biologjisë në gjimnaz të jetë më e ulët/e lartë se ajo e provimit me zgjedhje. Si do të veprohet në këtë rast? Universiteti mund të bëjë edhe një mesatare të: notës së lëndës me zgjedhje biologji që maturanti ka, dhe notës së provimit me zgjedhje që maturanti ka marrë. Por edhe sikur të ndodhë kjo, cila është nota reale që përcakton njohuritë e maturantit, mesatarja e biologjisë së 3 viteve apo nota e provimit me zgjedhje? Ky është një ngërç serioz që deri tani nuk po shikojmë propozime të mundshme për zgjidhje.

Po në këtë moment, duhet shtuar se, kandidati i pajisur me diplomën e Maturës Shtetërore, do të aplikojë fizikisht në secilin universitet (të paktën deri tani gjasat janë këto), çka do të thotë se, krahasuar me sistemin e kaluar të pranimeve, do të ketë disa kosto shtesë, të tilla si: kosto e lëvizjes nga njëri universitet në tjetrin, kosto e noterizimit të dokumenteve për çdo program që do aplikojë, si dhe kosto monetare të aplikimit në çdo fakultet.

Normalisht disa universitete do të vendosin mekanizmin e konkurrimit për ato degë ku ka më shumë kandidatë me mesatare të njëjtë, sesa numri i kandidatëve që do të pranohen në atë lloj programi. Nuk dihet se si, apo kush, do të koordinojë të paktën datat e konkurrimit, pasi ka të ngjarë që në të njëjtën ditë të bëhen konkurrimet në sporte, në arte, në arkitekturë, mjekësi, stomatologji etj.. Kush ka pas hyrë në universitet përpara viteve 2006, e kupton lehtësisht ngërçin që do të krijohet.

Momenti i dytë është se qeveria përcakton çdo vit mesataren ose pragun e notës hyrëse në universitet, dhe me sa është folur këtë vit do të jetë nota gjashtë. (A nuk do të ishte ky një diskriminim? Më tej dimë se Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 57, pika 1, përcakton qartë se “Kushdo ka të drejtën për arsimim”). Nuk dihet nëse kjo notë do të ruhet edhe në vitet në vijim, sepse në ngjaftë që vitin e ardhshëm ulet, e zëmë, në 5.9 dhe jo 6, duhet menduar se çdo bëhet me ata të vitit paraardhës që nuk u futën dot për 0.1 pikë të notës mesatare.

Por edhe sikur kjo notë 6, të lihej e pandryshuar për shumë vjet të tjera, kuptohet qartë se shkollat e mesme private do të lulëzojnë, pasi shumëkush e kupton që ekzistenca e tyre s’do të kishte kuptim sikur të vendosnin nxënësve të tyre nota poshtë 6. Pasojat në vitet që do vijojnë dihen, pasi do të kemi rritje fiktive të mesatareve. Kësisoj nuk do të mbeten pas as shkollat e mesme shtetërore, pasi mësuesit do të binin lehtësisht pre e presionit të prindërve me pushtet, apo joshjesh nga dhuratat e prindërve me mundësi të mira ekonomike.

Gjykuar për sa më sipër, politika e hartuar në këtë drejtim, nuk përmirëson aspak cilësinë e nxënësve, por përkundrazi shton fiktivitetin dhe pse jo korrupsionin. Sistemi i ri i pranimeve, në këtë formë që do të aplikohet, ka për të prodhuar efekte të pariparueshme në arsimin e mesëm, pasi në vend të cilësisë do të prodhojë fiktivitet, në vend të dijes do të prodhojë nota, ndërkohë që do të shtojë edhe kostot për çdo familje shqiptare, për çdo aplikim që fëmijët e tyre do të bëjnë, pa llogaritur më tej tarifat e larta universitare që i presin në hyrje të institucioneve të arsimit të lartë.

Vonesat e akteve nënligjorë, ka shumë të ngjarë të jetë e vonuar pikërisht sepse këto pikëpyetje i kanë ngritur edhe stafet akademikë apo specialistët e fushës, edhe pse më shumë herë me gjysmë zëri, sesa më zë të plotë, por gjithsesi mbetet fakti që sistemi i ri i pranive në universitete, është cilësisht më i dobët, vështirësish më i aplikueshëm, dhe me një kosto më të madhe për familjet shqiptare.

Shumë shpejt, duke filluar nga muaji shtator i këtij viti, koha do ta tregojë se sistemi i kaluar Meritë Preferencë është më efikas, më i mirë menaxhueshëm, dhe më ekonomik. Nxitimi për të ndryshuar sistemin e pranimeve, duke favorizuar qartazi arsimin privat, në të gjithë nivelet e tij, do të japë shpejt shenjat e para të dështimit, dhe politikbërësit do të jenë të detyruar t’i rikthehen sistemit Meritë-Preferencë (ndoshta me ndonjë emërtim tjetër), për të shpëtuar veten e tyre dhe kësisoj dëmet që do t’i vijnë arsimit të mesëm në vijim.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *