Vdekshmëria foshnjore gjatë komunizmit: Kishte më shumë aborte se lindje

Vdekshmëria foshnjore gjatë komunizmit: Kishte më shumë aborte se lindje

Çelo Hoxha

Në komunizëm Shqippëria ishte ndër vendet me vdekshmërinë foshnjore më të lartë në Evropë, gjatë periudhës 1960-80, dhe dy herë më të lartë se në kohën e mbretërisë. Ky ëhtë një prej përfundimeve dalë nga një studim I publikuar pak ditë më parë në një konferencë shkencore të organizuar nga Fakulteti i Shkencave Sociale, i Univeristetit të Tiranës.

Sipas studimit të kryer nga historiani Çelo Hoxha, njëkohësisht nëndrejtor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, vetëm në periudhën 1960-1980, ku është përqendruar studimi, në Shqipëri vdiqën në total 127 189 fëmijë të moshës 0-1 vjeç, mesatarisht 6056 fëmijë në vit.

Krahasuar me numrin e përgjithshëm të vdekjeve në nivel kombëtar për të njëjtën periudhë, thuhet në studimin e mbajtur në konferencën “Qasje shkencore dhe kulutore për totalitarizmin: rasti i Shqipërisë”, vdekjet e foshnjave zënë 35.6% të vdekjeve. Për vitet para ardhjes së komunistëve në pushtet, për të cilët ka statistika (1938, 1939, 1942), vdekshmëria foshnjore, e krahasuar me vdekjet e përgjithshme në nivel kombëtar, ishte 18.5%, gati sa gjysma e vdekshmërisë në periudhën 1960-80. Ose, në shifra absolute, në periudhën 1960-80 numri mesatar vjetor i fosnjave të vdekura ishte 6056, ndërsa për perioudhën 1938-42 ishte me 3110 vdekje.
Krahasuar me disa vende të Evropës shifrat e Shqipërisë për vdekshmërinë foshnjore ishin shumë të larta, thuhet në studim.

Sipas studimit, më 1980, për çdo 1000 lindje të gjalla, Shqipëria kishte 49.9 vdekje të fëmijëve 0-1 vjeç, ndërsa Greqia (për 1978-ën) 19.3 vdekje , Italia (1977) 17.7, Jugosllavia (1977) 34.9, Hungaria (1978) 24.4 dhe Austria (1978) 15 vdekje. Për vitet e tjera, të cilat studimi i jep me shifra të detajuara, vdekshmëria foshnjore në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera, ka qenë më e madhe.

Studimi vëren se, “në krahasim me vendet e tjera, Shqipëria kishte vdekshmëri të lartë për fëmijët e të gjitha moshave.” Nga një krahasim i bërë nga institucionet shqiptare, numri i vdekjeve të moshës 1-4 vjeç, për 100 000 banorë, ishte i tillë: Shqipëria për vitin 1980: 379, Greqia për vitin 1978: 67.1, Italia për vitin 1977: 62, Jugosllavia për vitin 1977: 134.7, Hungaria për vitin 1978: 63.1, dhe Austria për vitin 1978: 72.4.
Sipas studimit, “edhe në vdekshmërinë e fëmijëve të moshës 5-14 vjeç Shqipëria kishte shifra të larta krahasuar me vendet e tjera.”

Krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria nuk kishte pasur gjithmonë shifra negative, thotë studimi. Duke iu referuar një raporti të ministrisë së Shëndetësisë, më 1959, vdekshmëria e fëmijëve 0-1 vjeç, më 1938, ishte më e ulët se në disa vende të Evropës. Sipas raportit që i referohet studimi, më 1938, Shqipëria kishte vdekshmëri foshnjore më të ulët se Italia, Rumania dhe Bullgaria.

Gjatë periudhës 1960-80, që është dhe fokusi i studimit, abortet ishin një fenomen tjetër negativ në fushën e demografisë, thotë studimi. Sipas studimit, ndryshe vdekshmëria foshnjore, abortet, shumica e tyre të sforcuara, patën rritje të vazhdueshme, sa më 1980 në Tiranë kishte më shumë aborte sa lindje.

Gjatë periudhës 1960-80, në total ndodhën 209 173 dështime, thuhet në studim. Më 1960, viti me numrin më të ulët të dështimeve, raporti lindje-dështim ishte 22.5 me 1, ndërsa më 1980, viti me numrin më të lartë, ky raport zbriti në 4.4 me 1. Shkaku kryesor për vdekshmërinë foshnjore dhe abortet ishte, sipas raportit, varfëria. Në rastin e foshnjave ishte kequshqyerja, ndërsa në rastin e aborteve dëshira e prindërve për të mos pasur shumë fëmijë.

Më poshtë po sjellim një pjesë të shkëputur nga studimi i historianit Çelo Hoxha, që lidhet me abortet të cilët pësuan një rritje të frikshme në vitet 1960-1980.

Rritja e pandalshme e aborteve
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 2 mars 1959, iu kushtua rëndësi një informacioni, i cili nuk ishte parashikuar për diskutim, por gjendej si detaj brenda raportit kryesor të mbledhjes. Tema për shqyrtim ishte vdekshmëria foshnjore, një çështje e njohur dhe e parapërgatitur, dhe mbledhja ishte një formalitet për të miratuar projektligjin, i cili shoqëronte raportin. Sipas procesverbalit të mbledhjes, diskutimet e ministrave nisën me abortet, të cilat në raport përmendeshin si një nga tri arsyet që kishin ndikuar në uljen e numrit të lindjeve. Anëtarët e qeverisë dukeshin të irrituar nga statistikat në rritje të shtatzënive të dështuara.

Gjatë tre dekadave në vijim, shtimi i përvitshëm i aborteve u kthye në normë. Sa për një ide të përgjithshme: Më 1960 në Shqipëri kishte 5.6 herë më shumë aborte se më 1951, më 1989 kishte 7.55 herë më shumë se më 1960 dhe 42.2 herë më shumë se më 1951.

Në fillim të viteve 50 numri i aborteve, në nivel Republike, ishte i ulët. Vetëm më 1954 abortet e kaluan kufirin 1000 në nivel Republike, një viti më pas u ulën përsëri. Më 1956, numri i aborteve arriti 1206 dhe deri në fund të regjimit komunist nuk njohu më ulje. Sipas një raporti të ministrisë së Shëndetësisë, për periudhën 1957-58, 87% e aborteve ishin spontane, 6% të provokuara dhe 6% mjekësore. Këto shifra konsideroheshin si jo reale, dhe ky dyshim mbeti i përhershëm, sepse, nga studimet e shteteve të tjera, thuhet në raport, rezultonte që në 10 aborte 9 ishin të provokuara. Një argument në mbështetje të kësaj teze, sipas raportit, ishte rritja e numrit të aborteve në qytet, të cilat zinin 71.7% të aborteve në nivel Republike, ndërsa fshati, me kushte pune dhe jetese më të vështira, zinte vetëm 28.3%. Pjesa më e madhe e grave, të cilat abortonin, ishin në marrëdhënie pune dhe shumica e tyre në ndërmarrje prodhimi. Ligjet e shtatzënisë nuk respektoheshin nga qendrat e punës, thotë raporti, të cilat shpesh nuk i merrnin parasysh raportet mjekësore të grave shtatzëna për punë të lehtë, por i vendosnin ato në punë me gara, në sektorë me nxehtësi ose pesha të rënda.

Abortet ishin dy lloje: 1) spontane (patologjike) dhe 2) të provokuara. Në kategorinë e dytë hynin a) abortet mjekësore, ato që kryheshin me qëllim për të shpëtuar jetën e nënës për arsye sëmundjeje, b) abortet e shkaktuara nga vetë gruaja “për të mbuluar një gjendje barre që nuk duhet të vihet në dukje për arsye shoqërore (relacione jashtë martesore),” dhe c) abortet që kryenin vetë gratë e martuara për arsye se nuk dëshironin fëmijë menjëherë pas martesës, për arsye se kishin shumë fëmijë ose për arsye ekonomike.  Këto ishin argumentet teknike, qëllimi i ndalimit të abortit ishte rritja e popullsisë.

Më 16 janar 1959, Ministria e Shëndetësisë kishte informuar KQ të PPSH për gjendjen e aborteve në gjithë vendin me një raport brenda të cilit kishte përfshirë dhe një propozim për zgjerimin e llojeve të abortit që duheshin lejuar. Ky propozim dukej se ishte nxitur nga zhvillimet për këtë çështje në Bashkimin Sovjetik dhe vendet të tjera socialiste si Rumania dhe Bullgaria. Propozimi bazohej në kujdesin për evitimin e rreziqeve nga infeksionet që paraqiste një abort i provokuar jashtë institucioneve mjekësore nga persona jo profesionistë dhe në kushte të pa favorshme, që çonte në sterilitetin e mëvonshëm të gruas, si dhe për të ardhmen e fëmijës. Propozimi kërkonte që aborti të lejohej për gratë shtatzëna të pamartuara dhe për gratë që kishin më shumë se tre fëmijë e nuk kishin kushte ekonomike për të rritur më shumë. Duke përjashtuar abortet mjekësore, gjithë llojet e tjera propozoheshin të bëheshin me pagesë 1000-1500 lekë.  Propozimi u diskutua në Sekretariatin e KQ. Anëtarët e sekretariatit ishin kundër zgjerimit të kategorive të abortit të lejuar, megjithatë ranë dakord që çështja t’i kalonte qeverisë për të vendosur.  Në mbledhjen e qeverisë, 2 mars 1959, propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë nuk u përmend, por, kur ministri i Drejtësisë, Bilbil Klosi, kujtoi se BGSH kishte kërkuar lejimin e aborteve, kryeministri Mehmet Shehu reagoi prerë: “Në asnjë mënyrë!.” Sipas tij, aborti duhej konsideruar krim, “vrasje se një njeriu.”

Ndryshe nga vdekshmëria foshnjore për periudhën 1960-1980, numri i aborteve kishte tendencë rritjeje. Më 1970, numri i dështimeve ishte 3.4 herë më i lartë se më 1960 dhe 1.7 herë më i lartë se më 1965. Më 1980,  krahasuar me vitin 1970,  rritja ishte 1.4 herë, dhe 5.1 herë krahasuar me vitin 1960.  Nga raporti 6 lindje-1 dështim që ishte më 1971 në nivel Republike, më 1980 ky raport shkoi në 4 me 1. Në raportin qytet-fshat, numri më i madh i dështimeve ishte në qytet. Në qytet, më 1980, raporti lindje-dështim u ngushtua në 2 me 1. Tirana, qyteti me numrin më madh të dështimeve, raportin 2 me 1 e kishte që më 1977.  Tre vjet më vonë, në kryeqytet lindjet ishin më të pakta se dështimet, 0.9 lindje për 1 dështim.  Më 1977, raporti lindje-dështim në Vlorë ishte 4 me 1, në Korçë 5 me1, Shkodër 6 me 1,  ndërsa më 1980 ky raport u bë i njëjtë në të tre qytet, 1 dështim për çdo 2 lindje.  Në këto qytete, më 1980, mundësia e dështimit të shtatëzanive (50%) ishte 3 herë më lartë se ajo e dështimit të çeljes së vezëve të shtruara nga pulat e detit (15-20%) në kooperativën e Dajçit, Lezhë.

Në raporte zyrtare thuhet që opinioni i specialistëve ishte se numri i dështimeve ishte më i madh nga ai që regjistrohej, sepse në institucionet mjekësore nuk paraqiteshin të gjitha rastet. Kur gratë kryenin dështim me dashje dhe nuk kishin pasoja shëndetësore, ato nuk paraqiteshin pranë institucioneve për ndihmë mjekësore.  Specialistët mendonin gjithashtu se përqindja dërrmuese e dështimeve ishin të provokuara nga vetë gratë ose kryheshin me ndihmën e një personi të dytë dhe vetëm një numër i vogël dështimesh ndodhnin pa vullnetin e grave shtatzëna. Të dhënat e sakta për numrin e dështimeve spontane dhe të provokuara mungonin, sepse gratë që dështonin nuk e pranonin që e kishin provokuar vetë barrën, për shkak se provokimi i dështimit konsiderohej vepër penale. Ato përpiqeshin gjithashtu të mbronin personin e dytë që mund t’i kishte ndihmuar në kryerjen e abortit. Në shumicën e rasteve mjetet që përdoreshin për provokimin e dështimit nuk linin shenja dhe mjeku e kishte të vështirë ta përcaktonte si të provokuar dështimin, i cili vlerësohej i tillë nga të dhëna të tjera.

Abortet e provokuara kryheshin më shumë nga gratë e qytetit. Sipas një raporti të vitit 1977, në qytet ishin kryer 81.9% e aborteve të provokuara, ndërsa 18% në fshat, nga 71.7% me 28.3% që ishte ky raport në periudhën 1957-58. Abortet spontane, sipas të njëjtit raport, ndodhnin më shumë si pasojë e punës së rëndë, sidomos në fshat. Një arsye tjetër e aborteve ishte dëshira e prindërve, sidomos në qytet, për të mos bërë shumë fëmijë. Për fshatin, veç punës së rëndë, përmendeshin shpesh si arsye të aborteve të ashtuquajturat zakone prapanike.  Prirja për të mos pasur shumë fëmijë etiketohej “një tendencë mikroborgjeze.”

Në analizat zyrtare vrasja e bebeve të pa lindura pa arsye të pranueshme, si kujdesi për shëndetin e nënës ose ndonjë zhvillim jo i mirë i fetusit, nuk ishte shqetësimi kryesor. Qeveria ishte kundër dështimeve, por, siç e theksoi në një rast ministri i Shëndetësisë, shqetësimi i qeverisë ishte shtimi popullsisë. Ministri Llambi Ziçishti u shpreh në një mbledhje të kolegjiumit të ministrisë së Shëndetësisë se nuk do të lejonte përdorimin e kontraceptivëve, madje përdorimi i tyre, për të parandaluar shtatzënitë e padëshiruara, duhej “dënuar rëndë njëlloj si dështimet [e provokuara].” Sipas tij, prishjet e shtatzënisë duheshin bërë të matura, aty ku duhej, jo në mënyrë masive.

Në përgjithësi, në të gjitha raportet, qasja e institucioneve ndaj abortit ishte më shumë për motive politike sesa humane. Fati i grave ishte shqetësim i dorës së dytë, kjo për arsye se ideologjia komuniste nuk e shikonte njeriun (gruan, në këtë rast) si individ, por si element përbërës të shoqërisë; ai nuk kishte, ose nuk duhet të kishte, identitet personal. Aty ku shfaqeshin shqetësime për individin, sepse shfaqeshin, ky ishte devijim nga ideologjia, jo normë. Problemi i gruas shtatzënë, thuhej në një raport të BGSH, duhej trajtuar si një problem politik, që ka të bëjë me shëndetin e nënës “si punonjëse e si qytetare.”  Këtë e vërteton dhe fakti që në dhjetra raporte për çështjen e dështimeve të provokuara ka shumë pak statistika për gratë e dëmtuara prej tyre, që mund të kishin humbur jetën apo mund të kishin mbetur invalide. Në një raport të BGSH jepen disa të dhëna të kësaj natyre, por ato janë shumë fragmentare për të krijuar një panoramë të qartë. Në tre muajt e parë të vitit 1975, në shtëpinë e lindjes në Tiranë u paraqitën 15 gra në gjendje të rëndë, prej të cilave 5 vdiqën dhe 10 mbetën invalide.

Pasojat e abortit të provokuar rrezikonin më së pari shëndetin e gruas, por shqetësimi i institucioneve ishin interesat shtetërore dhe shoqërore. Edhe aty ku shfaqej ndonjë grimë humanizmi, ajo kritikohej nga institucione të tjera. Një raport i Prokurorit të Përgjithshëm e vlerësonte si jo serioze punën e institucioneve shëndetësore dhe degëve të BGSH, sepse në bisedat e leksionet që zhvilloheshin për çështjen e aborteve, ishin përqendruar më shumë te dëmet e shëndetit të gruas që ato shkaktonin dhe “jo mbi domethënien politike-shoqërore” të tyre.  Abortet shikoheshin më shumë si një humbje ekonomike që i shkaktohej shtetit. Ndërprerja e barrës pa ndihmë të specializuar linte pasoja te gratë, të cilat ishin të detyruara të paraqiteshin pranë spitaleve. Për periudhën 1973-1975, vetëm në pesë rrethe kishte pasur 11 900 ditë pune të humbura për shkak të aborteve të provokuara.

Në këto pesë rrethe – Durrës, Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Mirditë – ishin harxhuar 181 400 lekë për shtrimet në spital. Në Shkodër ishin harxhuar 11 472 lekë, vetëm për mjekimin e 6 grave, pa llogaritur sasitë “e mëdha” të gjakut. Edhe shpërblimi për raportet që merreshin për shkak të aborteve llogaritej si humbje financiare e shtetit.  Si rregull, gruaja që shtrohej në spital qëndronte aty rreth 5 ditë, ndërsa paaftësia e përkohshme e saj ishte 7 ditë.  Sipas një raporti të vitit 1977, gratë nëpunëse – mjeke, mësuese, inxhiniere, etj. – ishin më të prira të merrnin raporte pushimi për paaftësi më të gjata, sesa gratë punëtore dhe kooperativiste. Nga llogaritjet e bëra për shtrimet në repartin e abortit në maternitet, gratë nëpunëse kishin marrë mesatarisht 31.4 ditë pushimi, ndërsa gratë punëtore kishin marrë 24.3 ditë. Gjithashtu një grua nëpunëse kishte qëndruar e shtruar mesatarisht 7 ditë më shumë se çdo grua punëtore e shtruar.  shqiptarja.com

Share this...
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInPin on PinterestShare on TumblrEmail this to someone