Para kamerave/ Incidenti i Ramës me Robert Ndrenikën

Para kamerave/ Incidenti i Ramës me Robert Ndrenikën

Robert Ndrenikës nuk mund t’i ndodhte ndryshe. Legjenda e skenës shqiptare, që ka fisnikërinë e domosdoshme për të dëgjuar përpara se të flasë, që ka forcën e brendëshme për t’u përpjekur të kuptojë përpara se të kritikojë, ka mbetur sot i zhgënjyer nga kryeministri. Sepse me bonsensin dhe mirësinë që e karakterizon, është përdorur prej tij.

Të gjitha mediat raportuan se pas fjalës prezantuse të Edi Ramës, pasi ai tha se teatri do të shembet për t’u ngritur një më i mirë, pasi tha se artistëve nuk u takon të gjykojnë godinat, por kanë detyrën të bëjnë histori brenda tyre, edhe Ndrenika deshi të thotë dy fjalë. Sepse ai ishte bindur se aty nuk kishte vajtur për të bërë spektatorin. Se i patën thënë që do kishte një diskutim publik për teatrin e ri.

Ndrenika gjendej në Kryeministri, ku pak çaste më parë u bë prezantimi i projektit të Teatrit të ri Kombëtar dhe ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe një pjesë e artistëve. Në fjalën e tij Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë “për të shembur teatrin ekzistues dhe ndërtimin mbi të, të një Teatri dinjitoz”. Sipas tij, sot Teatri Kombëtar është jashtë çdo standardi.

Dhe në fund të fjalës së Kryeministrit, Robert Ndrenika kërkoi fjalën. Por Rama nuk e lejoi të flasë duke i kërkuar që më parë të shohë prezantimin e projektit.

“Jo jo, prit shiko projektin njëherë”.

“Mirë dakord po shoh projektin”, i është përgjigjur pa mikrofon aktori i madh.

Por, pasi prezantimi i projektit të arkitektit danez Bjarke Ingels përfundoi, e mori përsëri fjalën Rama i cili tha: “Unë po largohem tani diskutoni me njëri- tjetrin”.

Dhe menjëherë pas kësaj kamerat me regji qëndrore nga kryeministria u mbyllën. Ndoshta Robert Ndrenika mund ‘ti ketë thënë ato që kishte për të thënë, po atë s’e dëgjoi më askush. Kryeministri u largua dhe transmetimi për publikun e gjërë u ndërpre. Robert Ndrenika u përdor thjesht si fasadë. Ai që është mësuar të jetë vetë në skenë, këtë herë shërbeu si dekor për të mbushur sallën.

Dhe faji nuk është i tij. Ai vajti në atë takim, pavarësisht se një pjesë e protestuesve, që bashkë me të kishin thënë se do kalonin vetëm mbi trupat e tyre për të shembur TK e vjetër, plot besim. Me qytetarinë e atij që ka nevojë ta dëgjojnë dhe të dëgjohet. Por mëkati i tij i vetëm është se besoi se po merrte pjesë në një tubim ku gjendeshin të ngjashëm me të.

Në fakt në atë sallë ishin ata që edhe stadiumin e prishën duke nxjerë kritikët nga salla, edhe planin e kullave të Tiranës e kaluan ditën e vitit të ri në 31 dhjetor. Ishin ata që për sa kohë ka kamera flasin vetëm vetë. Dhe prandaj Robert Ndrenikën nuk e lanë të replikonte për sa kohë ato qenë ndezur. /lapsi.al