Kompozitori Enver Shëngjergji shpërthen kundër Mirela Kumbaros: Nuk denjon të takojë artistët

Kompozitori Enver Shëngjergji ka një krijimtari të pasur muzikore, i cili dhe sot kërkon që të ketë mundësi që një pjesë të asaj, që ka krijuar në 40 vjet, ta rikthejë për publikun në skenë. Janë këngë të njohura, të cilat ndër vite janë interpretuar nga këngëtarë të vlerësuar, por që deri tani edhe pse ka aplikuar pranë Ministrisë së Kulturës pohon se nuk ka pasur vëmendje.

Situata me projektet që financon MK vazhdon të jetë problematikë, nuk janë të paktë artistë apo dhe drejtues të ndryshëm aktivitetesh, që flasin për pakënaqësitë me financimet, e këtë herë edhe kompozitori Enver Shëngjergji tregon se prej dy vitesh projekti “Kënga jeta ime” kalon pa vëmendje.

“Është hera e dytë, që unë aplikoja në Ministrinë e Kulturës me këtë projekt, ku dhe për 2015 kam kërkuar për mbështetje financiare. Ky projekt ka në fokus një recital me krijimtarinë time 40 vjeçare në këngë të muzikës së lehtë. Për fatin tim të keq, edhe këtë vit Ministria e Kulturës, ministrja Mirela Kumbaro dhe bordi i projekteve nuk e vlerësoi.

Në bordin që miraton projektet nuk gjen asnjë muzikant. Edhe këtë vit shikoj që në ato 92 projekte të realizimit që ka mbështetur ministria me një pagesë të pjesshme, emri im nuk është. Unë i kam lexuar 92 projektet, që janë afishuar në faqen e ministrisë dhe shikoj që nga njerëz që kanë vërtetë karrierë artistike për t’u vlerësuar kam parë vetëm një material, që thotë “Romanca shqiptare, muzikë, festival” i Haig Zacharian dhe Endri Sinës.
Gjithashtu shikoj që janë dhe disa aktivitete, që nuk janë të kësaj ministrie, por të atyre që kanë qenë më parë. Ideja ime është, që më shumë ka predominuar arti figurativ dhe disa aplikime në sferën e artit dramatik.

Muzika sipas meje nuk ka vëmendjen që duhet. Në ato aplikime shikoj disa terma dhe projekte, që nuk po arrij t’i kuptoj? Janë disa lloj terminologjish që edhe pse unë nuk jam ndjekës i tyre, shikoj që nëse do të ishin të 92 projektet, që janë miratuar po të bënim një pjesëtim, kjo do të thoshte që Tirana dhe Shqipëria do të kishte jetë artistike me plot aktivitete, por kjo është në procedurën e tyre. Unë thjesht dua të bëj një pyetje: cilat janë arsyet zonja ministre e Kulturës, që keni dy vjet që nuk miratoni projektin tim?

Më lind pyetja. Ose ju nuk e ndiqni jetën artistike në ekranet e televizioneve, nuk e njihni sa duhet jetën artistike në shtypin e shkruar, dhe si duket emri im nuk ju paraqet asnjë lloj interesi, pasi keni dy vjet, që e kaloni projektin tim tangent. Më lind e drejta të them, kush jeni ju zonja Kumbaro dhe kush jam unë Enver Shëngjergji? Po ti hedhim të dy emrat në popull, kam bindjen se mosha mbi 40 vjeç besoj e njohin krijimtarinë time, por dhe ky brez i ri besoj do ta ketë dëgjuar emrin tim. E vetmja që nuk e paska dëgjuar emrin tim dhe nuk e di se kush jam unë, jeni ju. Unë si artist kam lexuar CV tuaj. Ju keni 4 diploma, por nuk keni një vepër. Unë kam një diplomë dhe kam me dhjetëra vepra. Kjo tregon, që ju për brezin tim nuk e njihni jetën artistike, ju dhe vartësit tuaj atje.

Më vjen keq që ministria mendon që unë me një karrierë 40 vjeçare nuk paskam lënë një gjurmë në artin shqiptar. Në vitin 2011 unë kam bërë një koncert recital me krijimtarinë time të muzikës popullore, ku u ekzekutua një pjesë e krijimtarisë sime, që u interpretua nga artistë të mirënjohur të Ansamblit Kombëtar. S’e kuptoj pse është kaq e painformuar ministria për jetën artistike të brezit tim? Nuk ka vëmendje për brezin tonë nga ministria.

Nuk shikoj as ndonjë hov cilësor në drejtim të Ministrisë së Kulturës. Arti dhe kultura kanë probleme shumë, pak bëhet, shikojmë institucionet e artit në vend, mes problemeve. Artistët punojnë në kushte jo të mira, godina të institucioneve që presin vëmendje dhe buxhet për t’u rregulluar. Në radhë të parë unë do të doja që ministrja e Kulturës duhet të presë artistët, të marr mendim prej tyre. Të arrish të takosh ministren e Kulturës është shumë e vështirë. Kur isha në Amerikë kam takuar dhe senatorin që mbulon zonën e Çikagos për një problem, ka dy vjet që i kam kërkuar takim ministres dhe nuk është bërë i mundur. S’e kuptoj pse. Qoftë dhe për respekt duhet të më priste”, shprehet ai.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *