“Intuita më çoi drejt një bote magjike”

“Intuita më çoi drejt një bote magjike”

Tashmë është e zakontë që artistët shqiptarë të përzgjidhen dhe të marrin pjesë denjësisht në ngjarje të rëndësishme të artit kudo në botë. Kësaj radhe është emri i artistit Enkelejd Zonja, i cili është përzgjedhur në “NordArt”, ekspozita ndërkombëtare vjetore e arteve pamore, e cila zhvillohet në Gjermani.

Pjesëmarrës në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, në ekspozita personale dhe në grup, në galeri dinjitoze brenda dhe jashtë Shqipërisë (Itali, Austri, Sllovaki, Gjermani dhe Suedi), fitues i çmimeve të para dhe të dyta në konkurse zhvilluar brenda dhe jashtë atdheut të vet, dëshmon kështu se është një artist që u përket përmasave ndërkombëtare me rëndësi të konsiderueshme në fushën e artit pamor.

Artisti Enkelejd Zonja përfaqëson Shqipërinë në këtë ngjarje artistike ndërkombëtare me 5 krijimet: “Breaking news”, “Ordinary meal”, “Strained hope”, “Visit on the Wound” dhe “Still fog”.

Në këto piktura spikat ndjenja realiste nëpërmjet së cilës artisti synon të bëjë të dukshme fijet e pashkëputshme midis së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes. Në to ndihen drama shoqërore dhe shpresa të shërimit prej tyre, duke ikur prej këtij realiteti në mënyrë fizike apo virtuale, për t’i shpëtuar dukurisë së izolimit dhe shpërfilljes shoqërore, gjithashtu, për të shpëtuar shpresën dhe për të mos humbur idealet.

Brezat pasqyrohen në këto krijime duke shfaqur larmi dramash shoqërore të ndërthurura zinxhir, drama për të cilat nuk ekziston një fajtor i vetëm.

Ja, çfarë shpreh për “Civitas.al” i përzgjedhuri nga Shqipëria në “NordArt” në lidhje me ekspozitën ku merr pjesë dhe artin pamor, gjithashtu:

Çfarë hapash ndoqët për të qenë pjesë e kësaj ekspozite dhe si kryhet nga organizatorët përzgjedhja e artistëve?

Informacioni rreth këtij eventi më erdhi fare rastësisht nga një miku im. Megjithëse kishte disa kohë që e ndiqja si ngjarje në skenën e artit bashkëkohor, ishte hera e parë që aplikoja.

“NordArt” është një ekspozitë internacionale, e përvitshme, që ndodh çdo fillim qershori në Gjermani (Budelsdorf) dhe zgjat deri në tetor. Konsiderohet si një ndër ekspozitat më të mëdha në Evropë për artin bashkëkohor, ku përzgjidhen rreth 200 artistë nga 93 vende të ndryshme të botës që praktikojnë mediume të ndryshme të artit vizual.

Nëpërmjet një thirrjeje të hapur ‘on line’ në internet artistët ftohen për të aplikuar, ku paraqesin dosjen e tyre, e cila përmban punët dhe biografinë e artistit. Në fillim bëhet një seleksionim paraprak, ku artistëve u komunikohet kualifikimi, më pas një intervistë dhe në fund stafi kuratorial bën një përzgjedhje finale.

Përse mendoni se ju përzgjodhën, saktësisht, për cilat vlera të pikturës suaj?

Mund të them që nuk ishte ndonjë surprizë përzgjedhja, sepse kisha besim te punët me të cilat aplikova. Sa i përket pyetjes suaj, se për cilat vlera ata e bënë këtë seleksion, nuk kam ndonjë ide të qartë. Për këtë duhen pyetur organizatorët dhe stafi i jurisë. Të paktën, me aq sa kam kuptuar nga bisedat gjatë procesit selektiv, juria ka vlerësuar një farë kualiteti në këto 5 punë me të cilat unë marr pjesë dhe, gjithashtu, besoj se përputhej me konceptin e kurimit të tyre.

Mbase një përgjigje më konkrete do ta kem, pasi të marr përshtypjet e tyre gjatë hapjes së ekspozitës apo ditëve që do të jem atje.

Sa e rëndësishme është kjo veprimtari artistike në botën e artit dhe për ju personalisht?

Po siç e përmenda pak më lart, kjo ekspozitë si një ndër eventet e rëndësishme të artit bashkëkohor në Evropë, ku ftohen dhe ballafaqohen qasje të ndryshme artistike, gjithashtu, edhe si një mundësi komunikimi midis kulturave të ndryshme nga disa vende të botës, sigurisht që mbart rëndësinë e vet brenda skenës së artit pamor ndërkombëtar e sidomos në atë evropian. Do të thosha, këto lloj ngjarjesh që bashkojnë jo vetëm artistë të gjeneratave të ndryshme, por dhe shumë njerëz të tjerë që i bashkon i njëjti interes, pra, dashuria ndaj artit, janë një mundësi e mirë për ta parë veten në një tjetër kontekst sa kulturor, edhe social. Kështu që në këtë pikëpamje për mua është një mundësi dhe eksperiencë e mirë jo vetëm për shkëmbim idesh apo kontaktesh, por edhe si zhvendosje nga rutina e përditshme drejt një atmosfere tjetër.

Çfarë përpiqeni të përcillni dhe ndryshoni në botën që ju rrethon me anë të artit tuaj?

Ç’është e vërteta, nuk e kisha menduar ndonjëherë më parë se një ditë do të merresha me art, megjithëse ka qenë qysh i vogël një pasion i fshehur. Dhe sot e kësaj dite, ndonjëherë pyes veten se si ndodhi që afro 8 vite më parë të bëja një zhvendosje 360 gradë për të hyrë në këtë skenë. Unë vija nga një tjetër formim dhe si për ironi, s’kishte të bënte fare me artin. Kështu që mbase intuita apo aventura më çoi drejt kësaj bote magjike.

Megjithëse besoj fort në fuqinë e artit e sidomos të atij vizual, do të thosha që jo domosdoshmërisht përpiqem të ndryshoj ndonjë gjë me të, edhe pse e di që forca e komunikimit dhe impakti që një vepër mbart ka potencialin për të influencuar sadopak në atë ambient nga i cili ajo është ngjizur.

Më shumë se për të ndryshuar përpiqem të përcjell vetëm një grumbull emocionesh dhe ndjesish të stimuluara nga mjedisi rrethues apo jo, që më shtyjnë e kuriozojnë dhe mezi pres t’i hedh e shikoj ato të marrin jetë në një copë beze, fletë, gur apo çfarëdolloj materiali apo mediumi për ta bërë ekzistente atë.

Kështu që e gjithë përpjekja apo pa e ekzagjeruar vuajtja, është ky lloj kurioziteti për të ndarë ndjesinë, pasionin, lojën e botës sime të brendshme me atë të jashtme. Në fund të fundit, thjesht përpiqem të argëtoj veten me këtë pasion.

Dhe, së fundmi, sa besoni në fuqinë e artit?

Jo vetëm në kohërat moderne, por duke u kthyer mijëra vjet para në histori, arti e sidomos ai pamor ka dominuar botën. Jo më kot faraonët, mbretërit, religjionet, liderët politikë kanë kuptuar dhe pasur nevojën e këtij mjeti kaq të fortë. Madje, dhe sot në botën e civilizuar dhe kohën e teknologjisë së lartë politika, bizneset, sistemet e shoqërive dhe kulturave të ndryshme etj., nuk bëjnë dot pa të.

Dhe dihet mirë që kjo lloj magjie dhe mënyrë komunikimi, mbi të gjitha ndjesor, është e vetmja armë jo vetëm për t’u përdorur si një mjet influence për të ndikuar në mendim dhe veprim për ndryshimin e botës, por edhe si mënyrë për t’i dhënë jetës dimensione të tjera. Arti është më i fortë se ne si qenie, më i fortë se religjioni apo politika.
Nuk ka zot që të tejkalojë fuqinë e artit do të thoshte historiani dhe filozofi Simon Schama në një nga librat dhe dokumentarët e tij të famshëm “The Power of Art”.

Arti është e vetmja forcë që mund të merret me të kaluarën, të tashmen dhe të hedhë dritë mbi të ardhmen.

Kështu që unë mendoj se arti, si e vetmja formë shprehjeje në hierarkinë e vlerave ka sunduar dhe do të sundojë botën pareshtur për aq kohë sa qenia humane të ekzistojë.

Artistë, filozofë, shkrimtarë kanë folur pa fund rreth artit, po unë do të doja ta mbyllja me një shprehje të Alber Kamysë (Albert Camus):

“Ne kemi artin, për të mos vdekur nga jeta”.

Intervistoi: Entela Bineri

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *