Durrës, përfundojnë “Netët e muzikës klasike”

Durrës, përfundojnë “Netët e muzikës klasike”

Edicioni i 6-të i festivalit “Netët e muzikës klasike”, në Durrës u mbyll mbrëmjen e kaluar me një koncert të pazakontë. Në programin përmbyllës të Bienales jubilare përballë publikut që kishte mbushur sallën e teatriut “Aleksandër Moisiu”, kuarteti instrumental i drejtuar nga Florian Vlashi prezantoi një koncert ndërdisiplinor për lidhjet e ngushta mes matematikës dhe muzikës.

Në koncertin që zgjat afro një orë, Vlashi nuk është pedagogu i mërzitshëm që sqaron në tabelën e zezë formulat logaritmike, por thjesht një bashkëbisedues i këndshëm, tepër i kulturuar dhe i azhornuar, që zgjon kureshtjen e spektatorëve për lidhjet e ngushta të muzikës klasike dhe moderne me “gogolin” e shumicës dërrmuese të nxënësve, matematikën.

I ndihmuar nga bashkëshortja e tij violonçeliste, Rediana Lukaçi dhe instrumentistët Adelina Hasani e Arben Llozi, “Muzika dhe Matematika, përveç se janë dy lëndë të magjishme, të bukura dhe inteligjente, janë bëre studime dhe është provuar se fëmijët që studiojnë muzikë që në moshat e hershme, kanë një zhvillim neuronal më të madh se sa pjesa tjetër”, tha Vlashi gjatë leksionit për matematikën.

Violinisti ilustroi me pasazhe muzikore jo vetëm tekstin e përgatitur prej tij me shumë kujdes, por edhe fotot shpesh herë të papritura, të cilat projektohen aty ku një profesor strikt matematike do të kishte instaluar tabelën e zezë. Nga asat e matematikës dhe fizikës, Pitagora e Ajnshtajni, (pasioni i parë i të cilit ka qenë violina), lektori instrumentist kalon në konceptet matematike që kanë shfrytëzuar kompozitorët gjenialë Johan Sebastian Bah dhe Ëolfang Amedeus Moxart, e më pas te modernët Iannis Xenakis e John Cage. Por nuk ndalon këtu.
Pas foto-montazheve gazmore të mjeshtrave të mëdhenj klasikë i vjen radha Majkëll Xheksonit. Artisti shqiptar që jeton e punon prej 21 vjetësh në Spanjë gjen rast të urojë të gjithë ata që kanë ditëlidhjen e veçanërisht të atin, Gjergj Vlashi, që festoi pak ditë më parë 85-vjetorin e lindjes, me tingujt e një kombinimi të notave të gjeniut Moxart me “Hapy Birthday”.

Edicioni i këtij viti i titulluar “Durrësi, 700 vjet muzikë nga Jan Kukuzeli në ditët tona” tërhoqi vëmendjen e dëgjuesve për nivelin e lartë profesional dhe përkushtimin e artistëve bashkëatdhëtarë nga Spanja, Holanda e Franca, të cilët bashkëpunuan me artistët nga Durrësi për ti dhënë jetë edhe këtij edicioni të ri.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *