A shpenzojnë shqiptarët për kinema?! Të fundit në Evropë

A shpenzojnë shqiptarët për kinema?! Të fundit në Evropë

Pavarësisht se tregu i kinemave në vendin tonë ka njohur një rritje të lehtë gjatë vitit të kaluar, shqiptarët mbeten frekuentuesit më të paktë të kinemave në Europë, thotë raporti i fundit vjetor i Unionit Ndërkombëtar të Kinemave.
Sipas këtij raporti, në Shqipëri, hyrjet në kinema vlerësohen në vetëm 0.1 për frymë gjatë 2017-ës. Kjo është norma më e ulët në Europë, thotë raporti, ndërkohë që për vendet më të zhvilluara të Europës kjo normë ngjitet ndjeshëm.

Numërohen rreth 300 mijë bileta të prera për në kinematë e vendit përgjatë 2017-ës. Sa i përket shpenzimeve të shqiptarëve për në kinema, për 2017-ën ato kapin vlerën e 180 milionë lekëve, çka përkthehet në rreth 1.4 milionë euro. Çmimi mesatar i biletës vlerësohet në rreth 4 euro.

Ndër të tjera, Shqipëria ka edhe një tjetër rekord, atë të numrit më të vogël të kinemave për 1 milionë banorë. Pavarësisht këtyre të dhënave, që e vendosin Shqipërinë të fundit në Europë sa i përket prezencës por edhe frekuentimit të kinemave, vihet re një rritje e konsiderueshme e frekuentimeve, me rreth 7% për vitin 2017.

Në krahasim me fqinjët ndërkohë, kjo është norma më e ulët e rritjes. Sa i përket filmave më ë shikuar në kinematë shqiptare gjatë vitit të kaluar, “Fate of the Furious”, zë vendin e parë./scan