Zbulohet laboratori i falsifikimeve, prodhonin viza për në SHBA dhe Kanada

Zbulohet laboratori i falsifikimeve, prodhonin viza për në SHBA dhe Kanada

Dalin detaje të reja nga hetimet për grupin që falsifikonte viza dhe dokumente për të derguar emigrantë nga SHBA dhe Kanada.

Nga operacioni i koduar “One If – By Land”, u vunë në pranga 50 persona. Por mesohet se të rrasturait çifti Muçollari e ishte kthyer në një laborator që falsifikonte dokumente dhe që ndodhej te Kodra e Diellit.

Sipas policisë, Eno Muçollari kishte ndërtuar një laborator që kryente falsifikimin e kartave të identitetit dhe të pasaportave, shkruan Gazeta Shqiptare.

Pjesë e kësaj skeme ishte edhe bashkëshortja e tij, e cila është arrestuar tanimë, Lirije Muçollari. Apartamenti i tyre nga sa bëhet e ditur është mbajtur në vëzhgim për gati 3 muaj.

Gazeta mëson se Lirije Muçollari, më 16 janar të këtij viti ka udhëtuar drejt Italisë, ku dyshohet se mori lëndën e parë që përdorej për të falsifikuar letërnjoftimet. Ajo u kthye 4 ditë më vonë dhe mësohet se brenda bagazheve të saj janë gjetur nga policia materialet si letra plastike, kartonë si ato të kartave të identitetit. Mirëpo, ajo u la e lirë të vazhdojë dhe është ndjekur kur është konstatuar se ajo është kthyer në banesën te Kodra e Diellit, ku ka takuar disa persona të ndryshëm po atë ditë.

Ndërkohë që janë kapur biseda telefonike dhe videopërgjime audio.

Sipas burimeve nga policia, personat e përfshirë në trafikun klandestin pasi dublikonin pasaportat, vidhnin identitetet dhe më pas vendosnin fotot e personave që interesoheshin për të ikur në SHBA apo në Kanada. Burime për “GSH” bënë me dije se operacioni ka nisur prej më shumë se një viti më parë, ndërsa përveç policisë shqiptare, ky operacion u asistua edhe nga oficerë të SHBA-së. Ndërkohë operacioni vijon dhe po bëhet i koordinuar për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa mendohet se pjesë e kësaj skeme janë më shumë se 60 persona. Për operacionin punuan edhe 2 agjentë speciale të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit, të atashuar pranë ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

Ndërkoë po sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, itineraret që përdornin pjesëtarët e 7 grupeve të strukturuara kriminale janë: Shqipëri-Itali- Mbretëri e Bashkuar; Shqipëri-Francë-Mbretëri e Bashkuar; Shqipëri- Bullgari-Belgjikë-Republika Domenikane-SHBA/Kanada dhe Shqipëri- Spanjë-Amerika Latine-SHBA/Kanada.