Vrasja me çekiç i ish-kryeplakut, policia dyshon mbi të birin

Konfliktet në familje mbeten pista kryesore ku grupi hetimor po punon për zbardhjen e vrasjen e ish-kryeplakut të fshatit Shkallë të Shijakut, Mirash Djaloshi. Ai u gjet i masakruar me çekiç në kokë mëngjesin e së premtes në afërsi të shtëpisë së tij. Sipas gazetës “Panorama” është verifikuar se viktima nuk ka pasur asnojë konflikt të hapur me persona jashtë rrethit familjar. Po ashtu ka rënë edhe pista e grabitjes pasi në trupin e tij janë gjetur të gjitha sendet me vlerë.

Në këto kushte, vëmendja kryesore e grupit hetimor është përqendruar te konflikti në familje, pasi rezulton se kryefamiljari kishte pasur grindje, sidomos me djalin e tij Ardianin, ditët e fundit.

I nxitur nga alkooli, 54-vjeçari kishte nisur grindjet me familjarët e tij, teksa të birit të kërkonte punë, pasi situata ekonomike në familje ishte shumë e vështirë. Djali i madh i familjes mësohet se para pak muajsh kishte dalë nga burgu, ku vuajti dënimin për veprën penale të vjedhjes.

Sipas të njëjtave burime mësohet se familjarët e viktimës kanë dhënë deklarata kontradiktore para oficerëve të Policisë. Sipas tyre, kryefamiljari kishte dalë pasditen e së enjtes rreth orës 19:00 nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer. Por, nuk kanë mundur të justifikonin prezencën e aparatit celular të kryefamiljarit, i cili ndodhej në shtëpi, ndërkohë që ai u gjet i pajetë pak metra larg banesës. Policia ka zbuluar se në celularin e viktimës nuk kishte asnjë thirrje të dyshimtë apo mesazh kërcënues dhe ka intensifikuar hetimet në drejtim të konfliktit familjar.

“Kemi hetuar dhe pyetur me dhjetëra persona rreth karakterit të viktimës, por rezulton se ka gëzuar respekt në fshat. Kemi verifikuar dyshimet për ndonjë konflikt të mundshëm, por rezulton person i shoqërueshëm dhe pa konflikte. Dyshimet tona kryesore janë fokusuar te konflikti familjar, por paralelisht po verifikojmë edhe në drejtime të tjera”, u shprehën burime nga grupi hetimor.

Mirosh Djaloshi u gjet i vrarë pak metra larg banesës së tij mëngjesin e së premtes, i goditur pas koke disa herë me çekiç.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *