Si u zhdukën në Angli 4 komandot shqiptarë

Si u zhdukën në Angli 4 komandot shqiptarë

Detaje të reja bëhen me dije se si 4 efektivët e forcave komando të dezertojnë duke qëndruar në Angli.

Kanë qenë 11 forca komando që janë nisur në drejtim të Anglisë në fillim të muajit Tetor 2017 të ftuar nga Ministria Britanike e Mbrojtjes për të marrë pjesë në një stërvitje në formën e një gare njohur si testi me emrin “Patrulla Cambrian”.

Në këtë test kanë marrë pjesë më shumë se 1000 ushtarë britanikë dhe ushtarë nga ushtritë e 28 vendeve të botës mes tyre edhe nga Shqipëria. Testi është organizuar nga Brigada 160, dhe komanda ushtarake e Uellsit në bazën Brecon.

Një burim nga Forcat e Armatosura i tha “Report TV” se “Shqipëria kishte kohë nuk merrte pjesë në këtë test por ishte këmbëngulja e Ambasadës Britanike në Tiranë që bëri të mundur pjesëmarrjen e komandove shqiptarë”. I njëjti burim theksoi se 4 ushtarakët nga Batalioni i Këmbësorisë në Zallherr Aleksandër Shkulaku, Ylber Tokli, Reni Ajazi dhe Klevis Lamkaj një ditë përpara largimit nga Uellsi kanë kërkuar leje për të dalë nga baza Brecon e vizituar qytetin e Kardifit. Leja i është aprovuar por ata nuk janë kthyer më në bazë. Kreu grupit të 11 ushtarakëve shqiptarë menjëherë ka njoftuar autoritetet e bazës Brecon dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Kërkimet e policisë ushtarake në Uells kanë rezultuar të pasuksesshme. Nga hetimet paraprake rezulton se 4 ushtarakët shqiptarë nuk kanë përdorur trenin për tu larguar nga Uellsi por dyshohet se një i afërm i tyre ka shkuar dhe e i ka marrë me makinë për ti çuar në qytetin e Birmingemit në Angli.

Mësohet se fotot e 4 ushtarakëve shqiptarë i janë shpërndarë të gjitha njësive të policisë ushtarake në Britaninë e Madhe. Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë për median deklaroi se “Sipas “Kodit Penal Ushtarak”, ndaj 4 efektivëve, pranë Prokurorisë së Rrethit, Tiranë është depozituar kallëzim penal “Për dezertim”. Prej disa javësh, çështja është në hetim nga ana e autoriteteve përkatëse”.

Nëse autoritetet britanike do të mund të arrijnë të kapin 4 ushtarakët shqiptarë dhe ti ekstradojë ata drejt Shqipërisë Aleksandër Shkulaku, Ylber Tokli, Reni Ajazi dhe Klevis Lamkaj rrezikojnë të dënohen deri me 5 vite burg për veprën penale të dezertimit. /Report Tv/

Share this...
Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInPin on PinterestShare on TumblrEmail this to someone