Sekuestrohet hoteli në Vlorë, u ndërtua me lekët e drogës

Një ndërtesë 5-katëshe me destinacion resort turistik në zonëm e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë do të konfiskohet me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda.

Hoteli është në pronësi të shtetasit Shpëtim Brahimaj, por për të cilën ka dyshime të arsyeshme se është ndërtuar nga të të birit të tij, Isuf Kokaj (Brahimaj), i vrarë pas një atentati me minë të telekomanduar në fund të gushtit 2014.

Në vijim të hetimeve për atentatin ndaj tij, një ndër pistat e ngritura nga autoritetet hetimore ishin edhe përplasjet e mundshme për trafikun e lëndëve narkotike, pasi Isuf Brahimaj (Kokaj) ishte dënuar nga autoritetet italiane dhe hollandeze për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.
Në kuadër të veprimeve verifikuese, u konstatua se familja Brahimaj, më konkretisht babai i viktimës, shtetasi Shpëtim Brahimaj, kishte legalizuar në emër të tij një ndërtesë 5-katëshe të papërfunduar, e cila ishte destinuar për shërbime hotelerie.

Fillimisht, Prokuroria e Vlorës kreu veprimet proceduriale, nga ku u krijuan dyshime të arsyeshme se pronari i deklaruar nuk kishte mundësi financiare të realizonte shpenzimet për ndërtimin e hotelit, të cilat, sipas çmimeve referuese arrijnë në 100 milionë lekë të reja.

Në këtë vlerë nuk është llogaritur vlera e truallit, e cila sipas dokumentacionit të blerjes është shënuar 120 mijë euro, por që dyshohet se është blerë rreth 700 mijë euro. Edhe kontrata e blerjes së truallit është nënshkruar nga shtetasi Shpëtim Brahimaj, pavarësisht se ai nuk ka pasur mundësi reale financiare të realizojë këto të ardhura.

Prokuroria e Vlorës kërkoi vendosjen e sekuestros preventive për objektin dhe truallin, e cila u pranua nga ana e Gjykatës së Vlorës. Më pas, çështja iu kalua për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është përgjegjëse për zbatimin e ligjit të njohur si “Antimafia”.
Në vijim, Gjykata për Krime të Rënda caktoi sërish masën e sekuestros preventive, në bazë të kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *