Raporti nxjerr të palarat sheshit: Në komisariate ushtrohet dhunë e torturë

Raporti vjetor i Avokatit të Popullit mbi nivelin e respektimit të të drejtave të personave të shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar në njësitë policore, konfirmon një realitet tjetër mizerabël nga ai që trumbeton dhe përpiqet të vizatojë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në raport evidentohen 9 problematika të rënda, duke nisur që nga dhuna fizike dhe psikologjike, mbipopullimi, mbajtja e personave në mënyrë të paligjshme, moskryerja e detyrimeve ligjore nga personeli policor, plotësim jo korrekt i zërave të regjistrave për personat e shoqëruar dhe ndaluar etj.

Gjithsesi, konstatimi më i rëndë ka të bëjë me dhunën fizike të ushtruar në rajonet e policisë. Raporti evidenton edhe komisariatet, ku është ushtruar dhunë ndaj të ndalurve dhe të arrestuarve. “Pretendime për raste të ushtrimit të torturës dhe keqtrajtimit fizik e psikologjik të shtetasve nga punonjësit e policisë, sidomos ndaj atyre që dyshohen si autorë të veprave penale në Komisariatet e Policisë nr. 2 dhe 5, Tiranë, në DPV Tiranë, në Komisariatin e Policisë Pogradec, si dhe në Komisariatin e Policisë Shkodër. Ankesat e gjetura të bazuara u pasuan nga rekomandime konkrete për marrjen e masave lidhur me personat përgjegjës”, thuhet në raport.

Ndryshe nga raportet e viteve të mëparshme, Avokati i Popullit nuk publikon rastet konkrete të dhunimeve në komisariate. “Gjatë vitit 2015, janë administruar 42 ankesa ndaj organeve të Policisë së Shtetit për ushtrim të dhunës fizike nga ana e punonjësve të saj gjatë shoqërimit, arrestimit në flagrancë, ndalimit apo gjatë marrjes në pyetje në njësitë policore.

Disa nga këto raste janë bërë publike nëpërmjet organeve të medias, të cilat i kanë marrë rastet në mënyra e forma të ndryshme, si drejtpërdrejtë, nëpërmjet filmimeve të bëra me aparatet e telefonave celular nga persona të afërm të të dhunuarve, apo edhe kalimtarë të rastit. Këto raste Institucioni i Avokatit të Popullit i ka marrë në shqyrtim me iniciativë. Nga çështjet e shqyrtuara janë zgjidhur në favor të ankuesve 10 ankesa, janë vlerësuar të padrejta 26 dhe janë nxjerrë jashtë juridiksionit 4 prej tyre”, thuhet në raport.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *