Londër, gazetarët në protestë

Londër, gazetarët në protestë

Me gojën e mbyllur me ngjitës e pankarta në duar, ku shkruhej “kjo çështje është një padrejtësi”, qindra gazetarë u mblodhën në Londër për të protestuar ndaj dënimit me 7 vjet burgim, dhënë në Egjipt tre gazetarëve të “Al Jazeera”-s.

Një ditë më parë, një gjykatë e Kajros i shpalli reporterët Peter Greste, Mohamed Fahmy dhe Baher Mohamed, fajtorë për përhapje të lajmeve të rreme. Që të tre ata i mohojnë akuzat e priten ta apelojnë vendimin polemizues.

Presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi, deklaroi se nuk do të ndërhyrë te Gjyqësori, të cilin e përshkruan si të pavarur, ndërsa më parë, ministrja e Jashtme e Australisë, Julie Bishop, i tha BBC-së se do të punojë me qeverinë egjiptiane, për të siguruar sa më shpejt të jetë e mundur lirimin e Greste-s, i cili është shtetas australian.

“Ne e mbështesim tranzicionin e Egjiptit në demokraci, por kjo duhet të përfshijë edhe lirinë e fjalës e të shtypit. Për çdo rast, vendosja e sanksioneve ndaj Egjiptit nuk është në diskutim, sepse në këtë pikë nuk do të ndihmonte shumë”, tha Julie Bishop, ministre e Jashtme e Australisë.

I ati i Peter Greste tha për gazetarët në Brisbane, se familja e tij ishte thellësisht e tronditur nga lajmi. “Ky përbën një moment të errët jo vetëm për ne, por edhe për Gazetarinë në përgjithësi. Vendimi i Egjiptit është një shuplakë në fytyrë, për të gjithë njerëzit mendjehapur të botës”, u shpreh ai, duke shtuar se “gazetaria nuk është krim, ndryshe të gjithë ju duhet të ishit prapa hekurave”.

Stacionit satelitor të Katarit iu ndalua raportimi nga brenda Egjiptit, pas akuzave se transmetonte lajme mbështetëse për ish-presidentin Mohamed Morsi dhe Vllazërinë Muslimane.

“Al Jazeera” i mohon me forcë të tilla pretendime. Grupi i të drejtave të njeriut, “Amnesty International”, e cilësoi procesin gjyqësor një farsë hakmarrëse dhe vazhdë e mosmarrëveshjeve mes lidershipit aktual egjiptian dhe Katarit, i cili përkrah Vllazërinë Muslimane.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *