Djali përdorues droge, babai vetëvaret në ballkonin e shtëpisë

Djali përdorues droge, babai vetëvaret në ballkonin e shtëpisë

Nuk ka mundur të durojë më dramën e djalit të tij 20-vjeçar dhe i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme, në lagjen 16 në Korçë. Pëllumb Tole, 49 vjeç, është gjendur i vetëvarur nga fqinjët në ballkonin e shtëpisë së tij.

“Nuk mundem ta shtyj më, ndihem i pafuqishëm për t’ia dalë. Kur të vini në shtëpi, nuk do më gjeni të gjallë. Por ju mos u merakosni, kështu është më mirë për mua. Nuk mundem më”.

Këto kanë qenë fjalët e fundit që 49-vjeçari, me profesion tregtar, u ka thënë në telefon pak para aktit të rëndë familjarëve të tij.

Sipas policisë, babai i dy fëmijëve ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe nuk kishte probleme apo konflikte në familje. Mësohet se ajo çka ishte kthyer në një shqetësim për të ishte përdorimi i vazhdueshëm i drogës nga ana e djalit të tij 20-vjeçar.

Tola ishte përpjekur për të rehabilituar të riun me qëllim largimin e tij nga droga, por nuk ia kishte dalë. Sipas të dhënave, një situatë e tillë ka rënduar gjendjen psikologjike të tij dhe për rrjedhojë 49-vjeçari i ka dhënë fund jetës.

Policia tha se babai i dy fëmijëve e kishte përgatitur me detaje skenën e vetëflijimit dhe në mëngjes nuk kishte dalë në punë, por kishte dërguar djalin e tij dhe të fejuarën. Pak minuta para vetëvarjes, i ka telefonuar edhe nënës së tij duke e vënë në dijeni për ngjarjen. Sipas të dhënave të grupit hetimor, ka qenë pikërisht kjo telefonatë që ka alarmuar familjarët.

Djali i viktimës, sapo ka marrë njoftimin e gjyshes së tij, është nisur në drejtim të shtëpisë, por dera ka qenë e mbyllur nga brenda me çelës. I është dashur të shkallmojë derën, por pavarësisht kësaj, ai e ka gjetur babain e tij të pajetë. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, ku ka rezultuar se Pëllumb Tole ishte vetëvarur me litar.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *