Audio-përgjimi Agron Xhafajt, prokurorët udhëtojnë për të dytën herë në Itali

Audio-përgjimi Agron Xhafajt, prokurorët udhëtojnë për të dytën herë në Itali

Prokurorët që po hetojnë audio-përgjimin e denoncuar nga Partia Demokratike, ku pretendohet se është përfshirë vëllai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për të dytën herë brenda pak javësh, kanë shkuar në Itali për të marrë kontakt me institucionet homologe që po kryejnë ekspertizën e zërit. Ndërkohë mësohet se, njëri nga prokurorët e çështjes ka qëndruar në Itali javën që shkoi ku ka marrë kontakt me autoritetet për sqarimin e procedurave me qëllim që përgjigja e kërkuar të mbërrijë sa më shpejt në Shqipëri. Shkak dyshohet të jetë bërë procedura që do të ndiqet për kryerjen eskpertizës së audio-përgjimit në një nga laboratorët e policisë së vendit fqinj, ku nuk përjashtohet edhe mundësia e regjistrimit të çështjes në Itali.

Dërgimi i zërit nga organi i akuzës me anë të letër-porosive duket se ka hasur e probleme proceduriale që mund të vonojnë rezultatin e saj, pavarësisht angazhimit te disa institucioneve.

Burime nga organi i akuzës thonë se nuk është e nevojshme marrja e një tjetër kampioni zëri për Agron Xhafajn, pasi ai është marrë konform të gjitha procedurave ligjore në prani të një eksperti dhe të prokurorit të çështjes. Madje i gjithë momenti i marrjes së zërit është filmuar nga ana e prokurorisë në cilësinë e provës.