Tragjike! Kjo është pamja e emigrantëve që mbërrijnë në Greqi

Megjithëse marrëveshja BE-Turqi ka filluar të zbatohet zyrtarisht prej mëngjesit të së dielës, në ishujt grekë kanë mbërritur prej mesnatës mbi 800 refugjatë, ndërsa dy foshnje 1 dhe 2 vjeç janë mbytur afër ishullit Ro, kur kanë rënë në det nga një gomone, që sillte rreth 40 refugjatë nga brigjet turke.

Sipas marrëveshjes, që pretendon të frenojë fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve drejt Europës, të gjithë ata që hyjnë prej 20 marsit në Greqi, me këtë mënyrë, konsiderohen ilegalë, do të kthehen në Turqi dhe nuk do të kenë më mundësi të rihyjnë në Europë në mënyrë të ligjshme.

Ndërkohë, për çdo sirian ilegal që do të kthejnë organet greke në Turqi, BE-ja do t’i japë azil politik një siriani që ndodhet në Turqi dhe që ka kryer atje procedurat e azilit, politikë që do të zbatohet deri sa ky numër të shkojë në 72 mijë persona.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, organet greke kanë filluar të evakuojnë të gjithë refugjatët, në ishujt ku ndodhen 5 pikat e pritjes dhe regjistrimit, të cilat tani e tutje do të shqyrtojnë dokumentet e të gjithë atyre që do të kthehen pas. Po bëhen përpjekje për të rikthyer normalitetin edhe në Portin e Pireut.

E ndërsa numri i përgjithshëm i refugjatëve në kampet e ndryshme greke po shkon në 50 mijë, mediat vendase shtrojnë pyetjen se çfarë do të bëhet me ta.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *