Prokurorët belgë zbulojnë një tjetër bashkëpunëtor të sulmeve në Paris

Përmes një analize ADN-je prokurorët belgë, kanë identifikuar një bashkëpunëtor të terroristit Salah Abdeslam, përgjegjësi kryesor për sulmet e nëntorit në Paris.

Personi në fjalë quhet Najim Laachraoui, 24 vjeç dhe ende në arrati. Në një deklaratë zyrtare prokuroria belge thotë se, ai ka përdorur një identitet të rremë dhe se ADN-ja e tij është gjetur në një nga shtëpitë e përdorura nga rrjeti i xhihadistëve që mbështeste Abdeslam.

Abdeslam u arrestua të premten e kaluar dhe ende po merret në pyetje nga prokurorët belgë. Avokati i tij ka mohuar raportimet në media se, klienti do të kthehet në informator për një lehtësim të dënimit.

Nga ana e tyre, prokurorët belgë kanë sqaruar se, shtatorin e kaluar Abdeslam kishte udhëtuar dy herë në Budapest të Hungarisë, duke përdorur një makinë të marrë me qira.

Në makinë ishin edhe dy persona të tjerë që përdornin patenta belge të falsifikuara me emrat Samir Bouzid dhe Soufiane Kayal. Soufiane Kayal është identifikuar tashmë si Najim Laachraoui, përmes ADN-së së gjetur në shtëpitë e përdorura në Auvele dhe në lagjen Shaerbek të Brukselit.

“Hetimet treguan se, Kayal mund të identifikohet si Laachraoui, lindur më 18 maj 1991 dhe që ka udhëtuar në Siri në shkurt të vitit 2013”, thuhet në deklaratën e prokurorisë.

Ndërsa Samir Bouzid ishte “me siguri” Mohamed Belkaid, i vrarë nga një snajper i policisë gjatë një operacioni në një shtëpi jashtë Brukselit, më 15 mars. Prokurorët kanë kërkuar ndihmën e publikut për të gjetur Laachraoui.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *