Pas SHBA-ve edhe Izraeli largohet nga UNESCO

Pas SHBA-ve edhe Izraeli largohet nga UNESCO

Izraeli ka marrë vendim që të largohet nga UNESCO, e kjo vjen vetëm disa orë pas largimit të SHBA-ve, që është bërë e ditur gjatë ditës së enjte.

Amerika ka listuar pikërisht Izraelin si arsye të largimit të saj, duke e akuzuar këtë organizatë për paragjykime “anti-izraelite”.

Kryeministri Benjamin Netanyahu i ka dhënë instruksione Ministrisë së Punëve të Jashtme të përgatisë tërheqjen e Izraelit nga UNESCO, paralelisht me SHBA-në”, sipas zyrës së kryeministrit izraelit.

“UNESCO është bërë teatër i absurdit ku deformohet historia në vend që të ruhet”, deklaroi Netanyahu.

SHBA njoftoi sot se do të tërhiqet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), duke akuzuar institucionin se ishte anti-izraelit.

SHBA do të mbajë statusin e vëzhguesit, saktësoi Departamenti i Shtetit, në vend të përfaqësimit të tyre në agjencinë e OKB me seli në Paris.

Mirëpo, sipas gazetës Foreign Policy, vendimi amerikan ka të bëjë edhe me planet për zvogëlimet e shpenzimeve.

Aktualisht mandati i drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, është në përfundim, anëtarët e kësaj organizate janë duke votuar për udhëheqësin e ardhshëm.

Pas dy ditë votimi të fshehtë, që mund të zgjasë deri të premten, kandidati nga shteti i Katarit, Hamad bin Abdulaziz al-Kawari, është duke udhëhequr ndaj kandidatit të Francës, Audrey Azoulay, dhe atij të Egjiptit, Moushira Khattab.

Mundësia e madhe që Kawari të bëhet udhëheqës i UNESCO-s konsiderohet nga Izraeli dhe SHBA-të si “akt anti-izraelit” dhe dështim që këtë post ta marrë një personalitet më i përshtatshëm.