Brukseli i trembur nga refugjatët: Mund të vërshojnë nga Adriatiku

Mbyllja e kufijve një ditë më parë nga Sllovenia, Kroacia, Serbia e më pas dhe Maqedonia, që ia hoqi të drejtën e kalimit edhe atyre pak refugjatëve sirianë të lejuar deri më tani, shton akoma më shumë frikën se emigrantët do të tentojnë hyrjen në vendet e BE-së përmes Shqipërisë dhe detit Adriatik.

Nuk ka ende asnjë shenjë për ndonje grumbullim njerëzish në kufirin shqiptaro-grek, por rreziku që Shqipëria të kthehet në portë hyrëse drejt Italisë mbetet i pranishëm.

“Ne duhet të mendojmë të gjithë së bashku mbi pasojat që mund të ketë marrëveshja e arritur në parim mes BE-së dhe Turqisë dhe të përgatitemi për skenare të reja, ku përfshihen edhe rrugët alternative”, tha një zyrtar i lartë i bllokut në Bruksel, duke iu referuar ujdisë për mbylljen e rrugës ballkanike.

Se çfarë nënkupton një pakt i tillë, këtë e pranoi mes rreshtash edhe komisioneri i Zgjerimit, Dimitris Avramopoulos.

“Ekziston gjithmonë mundësia që ky fluks njerëzish të devijojë në drejtime të tjera me bllokimin e rrugës së Ballkanit. Për momentin, sidoqoftë, nuk është rasti të shqetësohemi. Të gjitha vendet e rajonit janë të përgatitura për një situatë të tillë”, tha Avramopulos.

Megjithatë, sqaroi ai, nuk ka shenja të ndonjë fluksi migrator drejt Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër në zonë. Sipas Agjencisë europiane të mbrojtjes së kufijve, Frontex, kufirin shqiptaro-grek vitin që shkoi e kaluan ilegalisht vetëm 8,932 emigrantë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë.

Comments

Ne i duam komentet
No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *