vetingu7_1490167046-2851427
12/08/2017 - 12:05

Vetingu, gjyqtarët dhe prokurorët kalojnë pronat në emër të të afërmve

Mbi 2 mijë të afërm të gjyqtarëve dhe të prokurorëve janë duke u verifikuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Pastrimit të Parave, nga Hipoteka dhe nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. ILDKP, organi kyç që po merret me verifikimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të vetingut, ka zbuluar se pjesa dërmuese e njerëzve të drejtësisë pronat i kanë në emër të të afërmve dhe familjarëve të tyre. Nga verifikimet që janë bërë, rezulton se banesat, bizneset, tokat dhe pasuri të tjera në rastet më të shumta janë në pronësi të bashkëshortëve dhe familjarëve të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Ka dhe raste të tjera kur ato janë në emër të prindërve të tyre.

Për këtë arsye, ka nisur një verifikim shumë i gjerë nga ILDKP, e cila ka vënë në lëvizje hipotekat dhe DPPPP për të parë më me detaje situatën. Sipas informacioneve, po shihet nëse pronat kanë ndryshuar pronësi kohët e fundit, si dhe nëse janë shtuar apo blerë. Nga burimet pranë ILDKP, numri total i të afërmve dhe familjarëve të gjyqtarëve dhe i prokurorëve që po verifikohen, arrin në mbi 2 mijë. Këtu futen prindërit, bashkëshortët dhe fëmijët e tyre, ndërsa në disa raste dhe krushqitë dhe të afërm të tjerë. Dyshimet janë se gjyqtarët dhe prokurorët e kanë shpërndarë pasurinë e tyre, duke mos mbajtur në emër të tyre gjithçka, pasi disa apartamente i kanë kaluar në emër të bashkëshortëve ose bashkëshorteve, apo dhe në emër të fëmijëve dhe prindërve të tyre. Sipas të dhënave, vitet e fundit ka pasur një trend rritës të pronave që administrojnë fëmijët e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Shumë prej atyre që i kanë fëmijët në moshë madhore, u kanë besuar biznese dhe kompani të ndryshme dhe kjo po verifikohet nga ILDKP nëse gjithçka është në rregull apo ka tentativa për të fshehur pasuritë. Nga ana tjetër, mësohet se Hipoteka është duke punuar duke verifikuar çdo dosje pronësi, pasi ka shumë nga ata që kanë shitur dhe kanë blerë prona gjatë vitit 2016 dhe në gjysmën e parë të vitit aktual. Dyshimet janë se ka pasur mashtrime me vlerën e pronave dhe për këtë arsye po shihet çdo detaj me kujdes. Në shtator pritet që të jepen efektet e para të vetingut dhe aty do dalin dhe emrat e parë që nuk e justifikojnë dot pasurinë.

Shitja e pronave

ILDKP ka konstatuar se një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh kanë bërë shit-blerje pronash gjatë vitit 2016, periudhë kur u miratua ligji dhe filloi zbatimi i tij. Për këtë arsye, mësohet se po bëhet një verifikim në terren i të gjithë emrave dhe po verifikohen të gjitha aktet e shitjes apo blerjes së pasurive.

Dyshimet e ILDKP janë se mund të bëhen mashtrime me vlerat e objekteve. Mund të ndodhë që një objekt shitet me një vlerë shumë të lartë prej çmimit real, në mënyrë që të justifikohen të ardhurat. Por ka dhe nga ata që pasi kanë shitur objekte, kanë blerë të tjera me çmime shumë herë më të ulëta.

ILDKP këtë e shef si një lëvizje të dyshimtë dhe janë vënë në lëvizje të gjitha organet e Hipoteka dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave. Në Hipotekë po kontrollohen të gjitha dokumentet, pasi mund të ketë persona që shitjet apo blerjet mund të mos i kenë deklaruar në formularë. Megjithatë, ILDKP ka gati një listë me emrat që kanë kryer të tilla veprime dhe janë duke u verifikuar. Nëse gjithçka rezulton e ligjshme, ata do e kalojnë vetingun, por nëse shitja e pasurive ka qenë lëvizje për të shmangur vetingun, atëherë do mbeten në klasë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>